Takim liderësh për zhbllokimin e punës së Kuvendit?

Maqedonia

Takim liderësh për zhbllokimin e punës së Kuvendit?

Më: 10 mars 2021 Në ora: 16:33
Kuvendi i Maqedonisë

Një takim i ri liderësh ose mes grupeve të punës mund të jetë zgjidhja e ardhshme për funskionimin e Kuvendit, pasi opozita shqiptare vendosi bllokimin e të gjitha procedurave në plenare dhe në komisione. Revolta e Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa erdhi pasi bllokimit të propozimit të tyre për ligjin për shtetësi. Kryeministri Zoran Zaev vazhdon të mendojë se zgjidhja e propozuar ligjore e opozitës shqiptare është e papranueshme.

Nëse ka nevojë për takim liderësh për këtë, do të bëjmë edhe takim liderësh, edhe me opozitën maqedonase edhe me opozitën shqiptare dhe me të gjithë partitë tjera opozitare në Kuvend por vërtetë dëmi rëndon vetëm mbi qytetarët. Zgjidhjen që do ta gjejmë, duke u ulur bashkë, le ta propozojnë Aleanca dhe Alternativa. Nuk kemi paragjykimet se kush do ta bëjë propozimin -tha Zoran Zaev, kryeministër.

Por, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thotë se partitë e tjera parlamentare nuk kanë treguar as interesim për t’u ulur për të gjetur zgjidhje për ligjin e shtetësisë. Deri sa kjo nuk bëhet, opozita shqiptare nuk do të hyjë në seanca plenare për të krijuar kuorumin e nevojshëm.

Jemi të detyruar që të vazhdojmë me këtë reciprocitet, pavarësisht pasojave. Jemi të bindur që shumë shpejt kreu shtetëror do të jetë i detyruar që t’i takojë subjektet politike për të gjetur një zgjidhje. Ne nuk jemi të interesuar të kalojë patjetër kështu. Ne jemi të interesuar të zgjidhet çështja e qytetarëve që nuk kanë shtetësi – u shpreh Skender Rexhepi, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Opozitarja maqedonase, VMRO-DPMNE, do të futet në sallë për të votuar vetëm ligjet me të cilat ata pajtohen. Zgjidhje shohin vetëm përmes dialogut mbi ligjet, para se ata vinë në Kuvend.

Nuk do t’u marrim pjesë në ligje që janë kriminele, borxhe që nuk sjellin përftime për qytetarët por do të marrim pjesë në ligjet që janë të lidhur me masat anti-kovid, kovid-krizën dhe të ngjashëm – tha Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.

Deri në tejkalimin e situatës, shumica parlamentare si e vetme nuk do të ketë shumicë për votimin e nismave. Akuzojnë opozitën për krijimin e një praktike të keqe në Kuvend.

Kjo është një praktikë e keqe, kjo është një praktikë e cila nuk do të duhet të vinte në shprehje në punën e Kuvendit sepse po e bllokon punën e Kuvendit, po e frenon punën e Kuvendit dhe në fakt manifeston një sjelle të papërgjegjshme të partive politike opozitare – deklaroi Arbër Ademi, BDI.

9 marsi ishte parashikuar si ditë votimi për propozimet për të cilat tashmë ishte shterur debati por shumica kishte tre deputetë më pak. Sonja Mirakovska, Kostadin Kostadinov dhe Panç Minov kanë vendim për izolim si pasojë e kontaktit ose infektimit me virus korona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat