Komuna e Çairit ankohet se janë shkurtuar dotacionet për arsim fillor nga Ministria e Arsimit

Maqedonia

Komuna e Çairit ankohet se janë shkurtuar dotacionet për arsim fillor nga Ministria e Arsimit

Më: 12 dhjetor 2023 Në ora: 17:29
Komuna e Çairit

Sot, drejtorët e shkollave fillore të Komunës së Çairit, së bashku me Sektorin e Arsimit dhe Financave në Komunën tonë, kanë ngritur një shqetësim serioz lidhur me shkurtimin drastik të bllok dotacioneve për arsimin fillor nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

“Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, planifikimi i bllok dotacioneve për arsimin fillor për vitin 2024 për Komunën e Çairit nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut është 525 milionë denarë nga të cilat vetëm për rroga të punëtorëve në 10 shkollat fillore si dhe regresi i cili nga ky vit është i obligueshëm, kap shifrën e 500 milionë denarëve dhe pjesa e mbetur prej 25 milionë denarëve është tepër e vogël për mbulimin e të gjitha harxhimeve tjera si: ngrohjen qendrore, pra naftën për ngrohje, energji elektrike harxhimet e tjera elemetare për të funksionuar mësimdhënia, mirëmbajtja e objekteve, transporti i nxënësve e kështu radhë.

Pra kjo shumë, që na i ka ndarë Ministria e Arsimit në formë të bllok dotacionit për 10 shkollat e Komunës së Çairit nuk është aspak e mjaftueshme për funksionimin adekuat të procesit edukativo arsimor”, thuhet në deklaratën e tyre për mediat.

Drejtorët e shkollave dhe Sektori i Arsimit dhe Financave kanë shprehur shqetësimin e tyre duke kërkuar urgjentisht rishqyrtimin e këtij vendimi. Ata e vlerësojnë shkurtimin e bllok dotacioneve si një lojë të pamoralshme që dëmton shkollat fillore dhe rreth 10 mijë nxënës. Ata kërkojnë nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit të kthehen në vendimin e tyre, duke siguruar kushte të mira për mësim dhe jo duke lëmoshë arsimin.

“Qeveria bashkë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në vend që të fokusohet në sigurimin e kushteve sa më të mira për shkollat rrjedhimisht për arsimin, ata po shkurtojnë buxhetin për arsimin, në vend që të sigurojnë libra e tekste shkollore që ende mungojnë edhe pse jemi në fund të gjysmë-vjetorit të parë, ata pa mëshirë po shkurtojnë buxhetin e arsimit, në vend që të ngritin arsimin në piedestalin më të lartë ata po e përçmojnë arsimin. Rezultatet e PISA-s janë vetëm edhe një dëshmi se sistemi ynë arsimor ka marrë kahjen e gabuar pikërisht me veprimet e këtilla që po e dëmtojnë arsimin” përfunduan dekaratën e tyre. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat