​Taravari: Fushata jonë ishte demokratike

Maqedonia

​Taravari: Fushata jonë ishte demokratike

Më: 24 prill 2024 Në ora: 23:53
Arben Taravari

Kandidati i VLEN për president të Maqedonisë së Veriut Arben Taravari është deklaruar në kohën kur rezultatet aktuale presidenciale po tregojnë se do të ketë një raund të dytë më 8 maj.

Ai në një status në Facebook ka shkruar se fushata e VLEN ishte demokratike dhe do të vazhdojnë edhe më të bashkuar.

“Ne kemi Vlera, ne jemi VLEN. Më vjen keq që BDI nuk deshi të koordinohej me ne për president shqiptar. Ata preferuan të manipulojnë, me vota joshqiptare. Por manipulimeve do t’u vijë fundi në 8 maj. Dihet se në zgjedhjet parlamentare shqiptarët do të dalin shumë më shumë, kundër çdo pazari. Bashkë, pa hile, me vendosmëri”, ka shkruar Taravari.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Maqedonisë së Veriut ka numëruar deri më tash 81.06 për qind të votave për raundin e parë të zgjedhjeve të shtata presidenciale, sipas të cilave prin kandidatja e VMRO-DPMNE, Gordana Siljanoska me 40.05 për qind, pasuar nga kandidati i LSDM-së Stevo Pendarovski me 19.55.

Bujar Osmani nga Fronti Evropian ka 14.15 për qind, Arben Taravari nga VLEN 9.99 për qind, Maksim Dimitrievski, kryetari i Kumanovës 8.47, Biljana Vankovska Cvetkovska “E Majta” 4.30 dhe Stevco Jakimovski, kryetari i Karposhi Shkup me 0.72 për qind.

Raundi i dytë do të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat