Zyrat tatimore të DAP-it me orar të vazhduar të punës

Maqedonia

Zyrat tatimore të DAP-it me orar të vazhduar të punës

Më: 15 mars 2018 Në ora: 14:48
Ilustrim

Zyrat tatimore të Drejtorisë për të ardhura publike (DAP) sot do të punojnë me orar të vazhduar të punës sepse skadon afati për parashtrim të Paraqitjeve tatimore vjetore (PTV).

Siç kumtoi DAP, të gjitha drejtoritë rajonale në Shkup, Tetovë, Shtip, Manastir, Strumicë dhe Prilep do të pranojnë paraqitje deri në orën 21:30, repartet tatimore në Ohër, Strugë, Resnjë, Kavadar, Veles, Negotinë, Kumanovë, Kriva Pallankë, Koçan, Vinicë, Shën Nikollë, Berovë, Gjevgjeli, Radovish, Gostivar, Kërçovë dhe Dibër do të pranojnë paraqitje deri në orën 18:00 ndërsa sportelet tatimore në Demir Hisar, Makedonski Brod, Krushevë, Kratovë, Dellçevë, Probishtip dhe Vallandovë, duke përfshirë edhe sportelet shtesë të hapura në Qendër (ndërtesa e LSM), si dhe në  komunat e Gjorçe Petrovit, Gazi Babës dhe Aerodromit, do të pranojnë paraqitje deri në orën 18:00.

Për parashtrim jo në kohë, respektivisht mosparashtrim të paraqitjes tatimore dhe për të ardhura jo të plota të paraqitura, ligji parashikon gjobë prej 100 deri në 200 euro në kundërvlerë të denarit.

Përfundimisht me ditën e djeshme, në nivel të gjithë Maqedonisë janë parashtruar 393,145 paraqitje tatimore vjetore, nga të cilat 1,934 në mënyrë elektronike. Në Shkup janë parashtruar 149,201 raporte, prej të cilave 1,2001 elektronike, në Manastir 53,448, prej të cilave 137 janë elektronike, në Tetovë 51,498, prej të cilave 160 janë elektronike, në Strumicë 34,435, nga të cilat 124 janë elektronike, në Prilep 35,275 prej të cilave 117 janë elektronike dhe në Shtip 69,288 prej të cilave 195 elektronike.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat