Prokuroria: Vrasja e 65-vjeçarit ishte e dhunshme dyshohet se u krye me mjet të mprehtë

Mitrovica

Prokuroria: Vrasja e 65-vjeçarit ishte e dhunshme dyshohet se u krye me mjet të mprehtë

Më: 11 janar 2023 Në ora: 15:22
Prokuroria Themelore në Mitrovicë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka lëshuar komunikatë për media për vrasjen e një 65-vjeçarit dje në Mitrovicë. Prokuroria njofton se viktima që u gjet i vrarë brenda Shoqatës së të Shurdhërve në Mitrovicë ka qenë anëtar i saj. Lidhur me rastin nuk është identifikuar akoma asnjë person i dyshuar.

Sipas prokurorisë vrasja është e dhunshme dhe sipas ekspertit mjeko-ligjor që ka dalur në vend ngjarje, dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e disa goditjeve me një mjet të mprehtë.

“Prokurori kujdestar ka dalur në vendin e ngjarjes, dhe ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, njofton prokuroria.

Gjithashtu, prokuroria thekson se deri më tani nuk ka të identifikuar persona të dyshuar për këtë rast.

“Por prokurori i shtetit në koordinim me policinë janë duke zhvilluar hetime intensive në mënyrë që të identifikohet kryerësi i veprës penale “Vrasja”, me qëllim të arrestimit dhe vënies para drejtësisë”, përfundon njoftimi.

Media pak më parë raportoi se 65-vjeçarit të vrarë iu dha lamtumira sot në varrezat në Shipol të Mitrovicës.

Motivet e vrasjes mbeten të paqarta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat