LIVE: Nënë e fëmijë vdesin nga vërshimet në Pejë, familjari i viktimave rrëfen tmerrin që ka përjetuar

Peja

LIVE: Nënë e fëmijë vdesin nga vërshimet në Pejë, familjari i viktimave rrëfen tmerrin që ka përjetuar

Nga: Bota sot Më: 25 qershor 2023 Në ora: 06:10 Përditësuar në ora: 19:01 më 25.06.2023
Pamje nga vërshimet në Pejë

​Ahmeti pas vërshimeve në Pejë: Institucionet shtetërore të garantojnë reagim të shpejt

Njohësi i emergjencave dhe njëherësh drejtor ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), Tahir Ahmeti, vërshimet janë fatkeqësi natyrore, dhe si të tilla shpeshherë nuk mund të parashikohen apo të parandalohen.

Ai i ka thënë se në këto momente dhimbjeje, nuk është aspak jetike që të kërkohet fajtori apo të tentohet të hidhet faji diku.

Sipas tij, të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë që të ndihmojmë Pejën, në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të këtyre vërshimeve.

“Jo domosdoshmërisht institucionet shtetërore mund të parandalojnë fatkeqësitë natyrore, por patjetër që institucionet shtetërore duhet të garantojnë reagim të shpejt, të koordinuar dhe profesional, në raste të tilla”, ka thënë ai.

​Ministrat Mehaj dhe Krasniqi vizituan Pejën pas vërshimeve

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, së bashku me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe me përfaqësues të AME-së, Policisë së Kosovës dhe FSK-së, kanë parë nga afër gjendjen pas vërshimeve të mbrëmshme në Pejë.

Sipas një komunikate, ata vizituan lagjet Asllan Qeshme, Xhemajl Kada dhe Fidanishte të cilat janë dëmtuar dhe prekur më shumë nga këto vërshime.

“Vizituan familjen Ademaj për t’i shprehur ngushëllime për dy më të dashurit e tyre që humbën jetën tragjikisht nga këto vërshime. Qeveria e Republikës së Kosovës ka vënë në dispozicion gjithë kapacitetet për të ndërhyrë aty ku ka nevojë.

Njësitet e kërkim-shpëtimit që nga mbrëmë kanë qenë në terren për të ndihmuar në përballimin e situatës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

​Muhaxheri: Jetët e humbura nuk mund të kthehen, tjerat rregullohen

Kryetari i Komunës së Pejes, Gazmend Muhaxheri deklaroi për KP se është tragjike rasti që ndodhi mbrëmë gjatë vërshimeve, ku si pasojë humbi jetën një nënë bashkë me fëmijën e saj 5-vjeçar.

Derisa tha se tanimë gjendja është e qetë, ai u shpreh se sasia e reshjeve të shiut të djeshëm nuk ndodhur që “ndoshta 50 vjet”.

Muhaxheri: Përveç rastit tragjik që kanë humbur nënë me fëmijë, tjerat sende që rregullohen

"Përveç këtij rasti tragjik që kanë humbur nëna me fëmijë, këto tjera janë sende që rregullohen, por këto dy jetë nuk mund të kthehen. Ka ra shi shumë kohë të gjatë dhe mbrëmë ka qenë sasi e reshjave që nuk ka ndodhur ndoshta për 50 vite. Duhet t'i bëjëm sajimet dhe të shohim çfarë do të bëjmë", tha Muhaxheri.

Mbrëmë, një grua dhe djali saj 5-vjeçar vdiqën si pasojë e vërshimeve në Pejë. Policia informoi se pas vdekjes së 5-vjeçarit, në lagjen "Asllan qeshme", u gjet e vdekur edhe nëna e tij, e cila ishte e zhdukur.

Flet familjari i dy viktimave në Pejë: Tmerr u kanë, mezi i kemi shpëtuar dy fëmijët e tjerë

Familjari i dy viktimave që vdiqën si pasojë e vërshimeve në Pejë, Milaim Ademaj, ka treguar se si rrodhi e tërë ngjarja dhe si i kanë gjetur trupat.

Ai ka thënë se rreth dy orë i kanë kërkuar trupat e tyre, teksa shtoi se mezi i kanë shpëtuar dy fëmijët e tjerë.

“Një orë e gjysmë dy orë, ka qenë tmerr”.

“Shi ka rënë, ka rrëshqit një pjesë e kodrës, e ka nxënë djalin, u mbush te ky vëllai plot ujë, derisa e ka mbajtur muri, kur se ka mbajt u fut uji, mezi i kemi shpëtuar dy fëmijë të tjerë, jemi munduar që ta shpëtojmë nusen se atë voglin se kemi pa askund hiç, pastaj e kemi gjetur në një shtëpi të kojshive, nusen e kemi gjetur në të tretën shtëpi në bodrum”, u shpreh familjari për KlanKosova.

Ai theksoi se dy fëmijët janë në gjendje të mirë.

Gashi: Situata pas vërshimeve më qetë, dëmet më të mëdha në qendër të Pejës

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Gëzim Gashi, ka dhënë detaje mbi gjendjen aktuale në komunën e Pejës, pas vërshimeve gjatë së mbrëmjes së shtunës, ku pati dy viktima.

Një grua bashkë me fëmijën e saj pesëvjeçar kanë vdekur si pasojë e vërshimeve të mëdha në lagjen “Asllan qeshme” të Pejës.

Gashi potencoi se situata me ujë është qetësuar, por dëmet janë shumë të mëdha.

“Shiu është ndalë, situata me ujë është qetësuar, është në rregull. Por, dëmet janë shumë të mëdha, sidomos në qendrën e Pejës. Aty jemi duke e pastruar ujin”, ka thënë Gashi.

Veç dy viktimave, edhe dy persona janë duke u trajtuar në Spitalin e Pejës.

Dy të lënduarit nga vërshimet në Pejë janë jashtë rrezikut për jetë

Nga vërshimet në Pejë janë lënduar dy persona.

Ndërkaq kanë vdekur dhe dy të tjerë.

Zëdhënësi për media në Spitalin Rajonale të Pejës, Naim Sahiti, ka thënë se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë.

“Ata janë duke e vazhduar trajtimin nga dje në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës”, ka thënë Sahiti.

Flet Muhaxheri, tregon si është situata pas vërshimeve në Pejë

Vërshimet si pasojë e shiut të madh ishin tragjike për familjen Ademaj nga qyteti i Pejës. Gjithë vendi u trondit për vdekjen e një nëne dhe fëmijës të saj 5-vjeçar. Fillimisht u konfirmua se vogëlushi ishte dërguar në spital pa shenja jete, ndërsa nëna e tij rezultonte e zhdukur. Por tragjedia u thellua, kur Policia njoftoi se edhe gruaja u gjet e vdekur.

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se situata është e qetë dhe nuk raportohet për ndonjë incident tjetër, përveç rastit tragjik që ndodhi mbrëmë.

Muhaxheri tha se tash nuk ka ujë, ndërkohë që nuk dihet për dëmet e shkaktuara si pasojë e vërshimeve të mëdha.

Situata tash është e qetë, përveç rastit tragjik, që humbën jetën dy njerëz, nëna me djalin e vet. Tash për momentin nuk ka më ujë, as s’ka kurrgjë. Është herët me folë për dëme. Jeta e njerëzve është dëmi i madh. Ka qenë rrebesh, për një orë ka ra shi i madh, ka vërshu çdo gjë.“, tha Muhaxheri.

Mehaj i nisi mbrëmë njësitet e FSK-së në Pejë

Njësitet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë nisur mbrëmë në Pejë për të ndihmuar me situatën për shkak të vërshimeve të mëdha të ujit.

Këtë e bëri të ditur Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook.

“Njësitë tona të kërkim-shpëtimit tashmë janë nisur për në qytetin e Pejës, do të jenë aty ku ka nevojë për t’iu dalë në ndihmë në këtë gjendje të rëndë”.

“Me të gjitha kapacitetet tona jemi në dispozicion për të tejkaluar këtë situatë”, ka shkruar Mehaj.

“Mos dil, mos dil”, momenti kur vërshimet në Pejë e marrin një veturë me vete

Mbrëmja e djeshme ishte tragjike për qytetin e Pejës, ku si pasojë e vërshimeve nga reshjet e dendura të shiut humbën jetën fëmija 5-vjeçar dhe nëna e tij, e cila si fillim rezultonte e zhdukur deri në njoftimin për vdekjen e saj nga Policia e Kosovës.

Përveç kësaj tragjedie, dëmet materiale janë tejet të larta.

Shumë shtëpi janë dëmtuar, e shumë vetura janë vërshuar krejtësisht.

Media lokale “Peja në Fokus” ka publikuar pamje nga atje ku shihet një veturë në lagjen “Asllan Qeshme”, e cila nuk mund të lëvizte nga aty ku kishte mbetur, teksa një qytetar dëgjohej t’i bëjë thirrje shoferit të mos dilte prej saj.

Në pamjet e tjera shihet në veturë në rrugën “Mbreti Bardhyl” teksa rrëmbehet krejtësisht nga vërshimet.

Në lagjen Fidanishte u lënduan dy persona

Si pasojë e vërshimeve një nënë bashkë me djalin e saj 5-vjeç kanë vdekur në lagjen “Asllan Çeshme” në Pejë.

Vdekjen e 5-vjeçarit e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa nëna e tij u gjet nga njësitet policore rreth orёs 01:20, pasi fillimisht u raportua e zhdukur, gjithashtu vdekjen e gruas e ka konstatuar ekipi mjekësor.

Policia kishte kёrkuar asistim edhe nga njësia pёr kërkim shpёtim e FSK-sё tё dalin nё vendin e ngjarjes, pёr kërkimin e personit tё zhdukur (nënës së 5-vjeçarit).

Gjithashtu edhe nё lagjen “Fidanishte” nё Pejё dy persona kanё pёsuar lëndime trupore, tё njëjtit janё dёrguar nё Spiatlin rajonal nё Pejё, njofton policia.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, është shprehur i tronditur për humbjen e dy jetëve (nënë e bir), në Pejë, si pasojë e vërshimeve.

Muhaxheri ka deklaruar se ekipet ndodhen në terren të cilat po vëzhgojnë situatën e shkaktuar nga vërshimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat