Luftimi i krimit dhe korrupsionit, i vështirë por jo edhe i pamundur për Qeverinë Kurti II

Politika

Luftimi i krimit dhe korrupsionit, i vështirë por jo edhe i pamundur për Qeverinë Kurti II

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 28 mars 2021 Në ora: 08:28
Qeveria Kurti

Kosova vazhdimisht ka marrë kritika nga ndërkombëtarët për krimin dhe korrupsionin e lartë në të gjitha sferat.

Madje, këto janë dhe dy kushtet për Kosovën nga Bashkimi Evropian për të marrë liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.

Premtime për luftimin e këtyre dy dukurive negative ka pasur shumë, por që realizimi i tyre lë shumë për të dëshiruar.

E si prioritet të qeverisë së tij, luftimin e krimit dhe korrupsionit e ka kryeministri Albin Kurti.

“Për ne dy gjëra janë të rëndësishme, drejtësia dhe punësimi. Kur themi drejtësia, nuk themi vetëm drejtësia në gjykata, por edhe drejtësia në institucione, drejtësia në punësim. Ndërsa kur themi punësimi, mendojmë punësimi pa rreziqe e diskriminime dhe në të njëjtën kohë një punësim ku njerëzit punojnë nëpër profesionet e tyre. Gjysma e rinisë sot janë pa punë dhe pjesa e tyre nuk janë nëpër profesionet e tyre. Atëherë çfarë do të bëjmë ne janë tri gjëra themelore, është edukimi cilësor, është punësimi profesional dhe banimi i përballueshëm”, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti.

Por, a do të mundet Qeveria Kurti II ta luftojë krimin dhe korrupsionin, derisa Kosova njihet për korrupsion në shkallë të lartë?

Për këtë, kanë folur për gazetën “Bota sot” njohësit e çështjeve juridike.

Gashi: Prioritet i Qeverisë Kurti është imponimi dhe sundimi i ligjit

Lidhur me këtë, avokati Tomë Gashi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se njëra nga prioritetet e Qeverisë është luftimi i korrupsionit, gjë që do të arrihet me aplikimin e Vettingut të gjyqtarëve dhe në struktura policore, madje duke nxjerr edhe ligje për anti-mafia.

Image
Tomë Gashi

Gashi thotë se ata që nuk kanë probleme, nuk kanë arsye të frikësohen nga ky ligj, derisa shton se qeveria do të jetë stabile me program afatgjatë për luftimin e korrupsionit.

“Qeveria Kurti 1 njëjtë sikurse qeveria Kurti 2, njërin nga prioritetet kryesore që e ka pasur dhe e ka tani është luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar dhe imponimin e sundimit të ligjit. Kjo do të arrihet pa asnjë mëdyshje, duke aplikuar Vettingun për gjyqtarë, prokuror dhe për strukturat udhëheqëse të policisë së Kosovës, si dhe duke nxjerrë ligjin anti-mafia, që secili që bie ndesh me ligjin sa i përket veprave të caktuara penale të sferës korruptive, t’i konfiskohet pasuria materiale të cilën ai nuk mund ta justifikojë në bazë të të ardhurave që i ka. Por, nga ky ligj askush nuk ka arsye të frikësohet nëse nuk ka probleme të natyrës së ndjekjes penale për vepra penale të sferës korruptive. Kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se korrupsioni mund të zhduket me shkop magjik, por do të jetë qeveri stabile me program afatgjatë edhe në sferën e luftimit të korrupsionit”, ka deklaroi Gashi për gazetën “Bota sot”.

Kelmendi: Pa i goditur koka e krimit, nuk mund të luftohet korrupsioni

Kurse, njohësi i çështjeve kushtetuese dhe profesori Muhamet Kelmendi, ka thënë se nëse në Kosovë luftohen vetëm rastet e pambrojtura, atëherë nuk mund të ketë sukses luftimi i krimit.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, mënyra e goditjes së krimit si në rastin e muajit nëntor të burgosjes së disa personave, janë çështje të rënda të thellohen por edhe të konstatohen mënyrat e veprimit.

“Në Kosovë krimi është ngritur në nivelin e lartë. Luftimi i krimit dhe i korrupsioni në shtetin e Kosovës nuk mund të arrijë sukseset e veta nëse luftohen vetëm rastet e pambrojtura, pa i goditur kokat e krimit. Lufta këtej është e rëndë dhe kërkon kohë dhe guxim për të vepruar. Ndërsa, mënyra e goditjes së krimit, sikurse ishte rasti i filluar në muajin nëntor, ku u burgosen disa veta dhe tash, kur kemi vazhdimësi të aksionit dhe te arrestuarit, janë çështje që nga jashtë është e rëndë të thellohet dhe të konstatohet mënyra e tillë e veprimit. Mund të ndodhë se situata shkon në vazhdimësi te aksionet”, ka theksuar Kelmendi.

Tutje, ai ka shtuar se mbetet të shihet dhe të vërtetohet nëse në Kosovë kemi vazhdimësi të pranuar në luftimin e krimit, por e përbashkëta qëndron në atë se policia dhe prokuroria i mbështesin dhe japin pompozitet si të luftës kundër krimit.

Kelmendi thotë se sfidat e luftimit të krimit mbeten në nivelet e organeve të drejtësisë dhe të politikës.

“Këtu po përmend rastin në RFGJ që tash e me vite rrjedhë aksioni në Berlin e gjetiu kundër klanit arab. Gjatë tri a katër vjetëve kemi bastisje dhe arrestime të vazhdueshme. Tash a kemi në Kosovë në rastin e tillë një vazhdimësi të pranuar në luftimin e krimit, mbetet të pritet dhe të vërtetohet çështja pse kështu! E përbashkëta është se si Policia e Kosovës, ashtu edhe Prokuroria, po mbështeten në raste të zhurmshme dhe po i japin një pompozitet të lartë gjoja të luftës kundër krimit, kryesisht me mjete informative. Sa është e mirë kjo? Natyrisht se në raste të ndryshme del ndonjë prokuror a hetues dhe shpjegon gjendjen zhvillimore të veprimit të luftës kundër krimit. Por, këtu jo për propagandë, por për të treguar gjendjen dhe aksionin. Megjithatë mbetet për organet e luftimit të krimit sfida më e madhe, sfida e luftimit të krimit në nivelet e radhëve të organeve të drejtësisë dhe të politikës në vend”, ka shtuar profesori.

Më tej, Kelmendi ka theksuar se sektori privat dhe publik janë pasuruar shumë, kështu duke arritur të shtrihen në gjerësi, ku mendohet se pasuria në to ka arritur mbi 80% dhe sigurisht e arritur me korrupsion, andaj për këtë arsye pa e luftuar këtë nivel, nuk mund të ketë as perspektiva për ndërtimin e shtetit ligjor.

“Në këto dy nivele, pa përjashtuar as sektorin privat, si dhe atë publik, është kriminaliteti më i ashpër. Ato nivele janë pasuruar shumë. Kanë arritur të shtrihen në gjerësi dhe tash janë shumë të fortë dhe pothuajse të paprekshëm. Mendohet se nga pasuria e përgjithshme në vend, në sektorin personal dhe privat janë mbi 80% të koncentruara në duar të një përqindje të vogël, si u arrit kjo? Natyrisht me krim dhe me korrupsion. Tjetër formë në një vend si Kosova të pasurimit pa krim të lartë nuk ka. Dhe, natyrisht se pa e luftuar këtë nivel nuk ka perspektive ndërtimi i shtetit ligjor. E kjo arrihet, po e përsëris ndoshta me dhjetëra herë, është vetëm Ligji mbi pastërtinë e të punësuarve në organet e luftimit të krimit dhe të formave të tjera të dukurive kriminale. VETTING është arma kryesore”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Krasniqi: Nëse Kurti e ka seriozisht, do të luftojë këtë dukuri

Ndërsa, analisti politik dhe avokati i shtetit Islam Krasniqi, ka thënë se për Kurtin është e vështirë të luftojë këtë dukuri, por nuk e ka edhe të pamundur.

Image
Islam Krasniqi

Sipas tij, nëse Kurti këtë punë e ka me seriozitet, do t’i del si rrjetë fije-fije, sepse kjo është punë bashkëpunimi edhe kështu do të përfundojnë deri aty ku e kanë vendin.

“Z.Kurti apo kryeministri i Republikës së Kosovës e ka shumë të vështirë që të luftojë këto dukuri negative, mirëpo jo edhe të pamundur, pasi që e dimë të gjithë se korrupsioni dhe krimi i organizuar është rrjetë e cila i ka futur rrënjët në thellësi, e që kërkon shumë punë dhe angazhime. E mira e të gjithës është se nëse kryeministri e ka seriozisht këtë punë, ajo del si rrjetë duke e ngrehur fija fijen, sepse njerëzit e inkriminuar në institucionet tona kanë bashkëpunuar bashkarish dhe bashkarish mund të humbin fuqinë dhe të përfundojnë aty ku e kanë vendin”, ka deklaruar Islam Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat