Prapaskenat e “Minishengenit”, ndizet alarmi për Ballkanin: Erdhi si plan B, ja projekti i kujt është

Politika

Prapaskenat e “Minishengenit”, ndizet alarmi për Ballkanin: Erdhi si plan B, ja projekti i kujt është

Nga: P.R Më: 1 gusht 2021 Në ora: 19:49
Aleksandër Vuçiq, Zoran Zaev dhe Edi Rama

Gjatë punimeve të Forumit të Shkupit, në të cilin morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u vendos që projekti i “Minishengenit Ballkanik” të quhet “Ballkani i Hapur”.

E ky projhekt edhe pse ndryshoi emër, vazhdon të kundërshtohet ashpër nga Kosova. Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë, Donika Gërvalla, ka thënë se iniciativa Ballkani i Hapur, për Kosovën paraqet ide të rrezikshme.

“Si Republikë e Kosovës, iniciativën e Novi Sadit, në ndërkohë të mini-Shengenit, e që nga dita e djeshme, Ballkanit të Hapur, e konsiderojmë si të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja se kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët, si rajon, drejt BE-së, dhe përçimi i këtij mesazhi ne konsiderojmë se është më i rrezikshëm sesa vonesat që mund të ndodhin ndërkohë gjatë procesit tonë të integrimit”, ka thënë Gërvalla.

Se “Ballkani i Hapur” është projekt i rrezikshëm për gjithë shqiptarët, e thotë edhe profesor, doktor Enver Bytyçi. Por sipas tij, iniciativa e Ballkanit të Hapur është ide, projekt dhe vizion i Geroge Soros.

“Ai e ka shpall këtë projekt-ide që në vitin 1999. Aleks Soros erdhi në Tiranë në prag të samitit të së mërkurës dhe iu dha dorën e fundit asaj që do të bëhej në Shkup midis Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaevit, të tre këta neoliberalistë të anëtarësuar në organizatën fashiste të Sorosit. Si e tillë kjo iniciativë i shërben vetëm interesave të George Soros dhe të Serbisë. Sepse dihet që në vitin 1999 filantropi amerikan jo vetëm ishte kundër bombardimeve të NATO-s në Kosovë, por e shpalli këtë iniciativë të Open Balkan, me qëllim që të riparonte atë dëm që i shkaktoi Serbisë ndërhyrja ushtarake e Aleancës Atlantike në Kosovë”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Ai shton se kjo ide u rikthye si pjesë e planit B apo C, pasi dështoi ndarja e Kosovës.

“Sepse ishte projektuar ndarja e Kosovës dhe krijimi i Serbisë së Madhe. Por projektuesit e atij plani, Sorosi, Vuçiç, Rama dhe Thaçi dështuan. Në atë projekt Zaev ishte i dyzuar. Nga njëra anë nuk donte ndryshim kufijsh, nga ana tjetër nuk e thoshte aq hapur këtë kundërshti. Por e pati thënë kundërshtinë e shtetit maqedon presidenti i vendit. Dështimi i përpjekjeve për ndryshimin e kufijve nxori nga sirtari planin e krijimit të një minishengeni, që do të transformohej në Open Balkan”, shprehet profesor Bytyçi.

Por pse është i rrezikshëm Open Balkan, i cili deri pak ditësh u quajt “Minishengeni Ballkanik”?

“Duke qenë projekt serbo-sorosian, ne shkojmë të deduksioni se është projekt i rrezikshëm për Kosovën, për Shqipërinë, për shqiptarët, por edhe për popujt e tjerë të Ballkanit, përfshirë jo vetëm malazezët e boshnjakët, por edhe maqedonasit. Zaev është një lojtar naiv në këtë fushë-betejë, ose i shtrënguar t'i kundërvihet interesave të vendit të tij. Ndërsa Rama është vënë me koshiencë të plotë në funksion të projektit, sepse vizioni i tij është krijimi i një aleance strategjike me Serbinë, me qëllim që rivihet në zbatim teoria serbe "Ballkani ballkanasve"!”, thekson Bytyçi.

“Duke qenë se Open Balkan është konkretizim i nocionit serb të Miloshevicit së fundmi, Ballkani ballkanasve, padyshim që shndërrohet në një iniciativë anti-BE dhe anti-NATO. Sepse qëllimi i idesë serbe Ballkani ballkanasve është të largohet nga rajoni ndikimi i Fuqive të Mëdha. Por cilave prej tyre? Sigurisht jo të Rusisë. Përkundrazi të BE-së dhe SHBA-së! Kosova është shteti më properendimor dhe proamerikan në rajon, në Evropë dhe në botë! Ndaj ajo me të drejtë e konsideron këtë iniciativë si të rrezikshme për shtetësinë e saj. Qëndrimi i zotit Kurti duket i moderuar, por në fund të fundit ai e mohon pjesëmarrjen e Kosovës në këtë asociacion. Ndërsa zonja Osmani nuk është prononcuar. Por zonja Gërvalla është e prerë”, shton profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej profesor Bytyçi thekson se Ali Ahmeti është futur llugave për interesa serbe.

“Ministri i Ali Ahmetit në Maqedoninë e Veriut, zoti Osmani, mbajti qëndrim pro-Open Balkan, ndërkohë që homologja e tij e Kosovës e kundërshtoi atë, duke e cilësuar madje si rrezik. Duket qartë se Ali Ahmeti është zvarritur, si gjithnjë, në llugat e interesave serbe dhe për këtë arsye mbështet qeverinë e Maqedonisë së Veriut në këtë iniciativë. Sigurisht që ai ka edhe një marrëdhënie speciale me Edi Ramën, të bazuar jo në interesin kombëtar, por në interesin politik personal”, deklaron Bytyçi.

Ai thotë se ndryshimi i emrit nga “Minishengen” në “Open Balkan”, nuk e ndryshon thelbin e iniciativës.

“Madje Open Balkan është një emërtim që i jep kuptim më të qartë kësaj iniciative, sepse presopuzon që rajoni të hapet ndaj Rusisë dhe aktorëve të tjerë lindorë gjithnjë në kundërvënie ndaj BE-së, por edhe NATO-s dhe SHBA-ve. Ndaj zonja Gërvalla bën thirrje që iniciativa të tilla të mos dublojnë dhe zëvendësojnë procesin e Berlinit dhe procese të tjera të integrimeve evropiane. Integrimet evropiane përjashtojnë mundësinë e ri konfigurimit të hartës së Ballkanit Perëndimor, Iniciativat dezintagruese si kjo e Soros-Rama-Vuçiç lejojnë dhe inkurajojnë adaptimin e politikave të tjera anti-euro-amerikane në rajon”, shprehet Bytyçi.

Për fund, profesor Bytyçi thotë se në Kosovë ka një konsensus në Kosovë për ta kundërshtuar Open Balkanin, andaj edhe është nervozuar Edi Rama.

“Kosova është kundër projektit. Është e vendosur në kundërshtinë e saj. Madje me një lloj konsensusi. Edhe Abdixhiku, edhe Haradinaj u shprehën kundër Open Balkan. Nuk e di çfarë pret Memli Krasniqi, por jam i sigurt se edhe ai personalisht është kundër. Ndoshta ka kundërshti brenda partisë për një qëndrim të konfirmuar. Pra ka një konsensus në Kosovë për ta kundërshtuar Open-Balkan-in. Prandaj Rama është i nervozuar. Kundërshton, fyen, triblon, turfullon kundër Kosovës në sy të Vuçiçit, Zaevit dhe të gjithë atyre që nuk e duan shtetësinë e Kosovës. Rama bën atë që nuk guxon ta bëjë presidenti i Serbisë, pra është marionetë e Vuçiç. Luan po atë rol që luante Hashimi në zbatimin e projektit për shkëmbimin e territoreve dhe ndryshimin e kufijve”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat