Stërvitje, arrestime, bojkot zgjedhjesh në Kosovë, ish-ambasadori holandez: Ndërkombëtarët ta bëjnë këtë gjë ndaj Beogradit

Politika

Stërvitje, arrestime, bojkot zgjedhjesh në Kosovë, ish-ambasadori holandez: Ndërkombëtarët ta bëjnë këtë gjë ndaj Beogradit

Nga: A.Zh Më: 23 prill 2024 Në ora: 10:05
Robert Bosch

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë Robert Bosch, ka deklaruar se Serbia dëshiron tensione të reja me Kosovën.

Teksa ka komentuar lidhur me ndalimet e shtetasve të Kosovës nga Serbia në kufirin me Kroacinë javën e kaluar, Bosch ka pohuar që serbët bashkë me rusët, duan që të vazhdojnë tensionet në Kosovë.

Ai këtu ka përmendur edhe mosdaljen e qytetarëve serbë në zgjedhjet e së dielës në veri të Kosovës, ku u votua për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri të Kosovës.

“Po, Serbia dhe miqtë e tyre rusë duan që tensionet të mbeten.

Një shenjë tjetër e qartë është edhe bojkoti i zgjedhjeve në veri”, ka deklaruar Bosch në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Diplomati ka folur edhe për ushtrimet ushtarake të Serbisë, të cilat ushtria serbe po i kryen vetëm 30 kilometra larg kufirit të Kosovës.

Ai ka kërkuar reagimin e ndërkombëtarëve, që ta paralajmërojnë më zëshëm Serbinë për këto ushtrime.

“Ushtrimet (ushtarake) synojnë gjithashtu të krijojnë pasiguri në Kosovë.

KFOR-i është ende garanci se nuk do të shkojnë larg. Megjithatë, ndërkombëtarët duhet ta paralajmërojnë Beogradin në terma shumë më të fortë se deri tani. Nëse do të vazhdonin në këtë rrugë, nuk do të kishte punë si zakonisht”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, akuzoi Serbinë se janë duke bërë ushtrime me dronë luftarakë kamikaze, vetëm 3 kilometra larg kufirit me Malin e Zi.

Ai tha se me këto sjellje Serbia po tregon që është aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti, instanca, faktori, aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim edhe për Republikën tonë të cilën nuk e njeh, por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë”, ka thënë Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat