Lista destruktive serbe është bërë e patolerueshme!

Politika

Lista destruktive serbe është bërë e patolerueshme!

Nga: A.Z Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 20:09
Lista Serbe

Ditë më parë SHBA ka njoftuar se në listën e zezë ka futur nënkryetarin e Listës serbe, Millan Radojçiqin dhe 12 veta të tjerë të përfshirë prej vitesh në një grup të organizuar serb të krimit ndërkombëtar.

Madje janë identifikuar si të lidhur me skema të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.

Kjo na çon tek dilema e pashmangshme se çfarë duhet bërë me Listën serbe? A do të hyjë edhe ajo në Listën e zezë amerikane? A po këtë duhet ta bëjë Kosova.

Lidhur me këtë, analisti Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Kuvendi i ka 120 deputetë, të cilët janë zgjedhur me votim të fshehtë, ndërsa 20 prej tyre janë të komuniteteve që nuk janë shumicë.

“Kuvendi është institucion ligjvënës i Republikës së Kosovës, i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli. Ka 120 deputetë të zgjedhur me votim të fshehtë. Njëzet prej 120 vendeve janë të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet e tjera: turk, boshnjak, rom, ashkali, goran dhe egjiptian. Pse pakicat i kanë 20 vende të rezervuara, kjo u bë në bazë të pakos së Ahtisarit për minoritete. Ka pasur mendime të ndryshme lidhur me këtë çështje se a është mirë apo në dëm të Kosovës një vazhdim i tillë i mandateve për minoritet”, tha ai.

Image
Skender Mulliqi

Tutje ka theksuar se tani po shihet se këto po e dëmtojnë demokracinë, pavarësisht se është folur që e gjitha kjo ka ndodhur për arsye të përmirësimit të marrëdhënieve Kosovë- Serbi.

Më tej ka theksuar se obstruksionet politike të tyre po sjellin dëme të mëdha në Kuvendin e Kosovës.

“Por, tash nga kjo distancë kohore 20 vjeçare në pluralizëm, po shihet se një praktikë e tillë e vendeve të rezervuara është duke e dëmtuar demokracinë e brishtë në Kosovë. Çështja e vendeve të rezervuara për pakicat, sidomos për atë serbe, është përfolur se mund të jetë pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e që po shohim qe shumë kohë se është duke u shfrytëzuar nga Lista për shantazhe ndaj Kosovës. Obstruksionet politike të saj dhe koketimi i vazhdueshëm me politikën e Beogradit zyrtar, janë duke na sjellur dëme të mëdha në vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës. Nëse është menduar në fillim se vendet e rezervuara do të jenë joshje për minoritetin serb, që ata do të jenë më bashkëpunues në kuptimin politik, ekonomik etj, po shihet se të minoriteti serbë ky bashkëpunim nuk po ndodhë”, shtoi Mulliqi.

Më tej deklaroi se Lista serbe për t’i realizuar interesat politike po e shfrytëzon Kuvendin e Kosovës.

Mulliqi ka përmendur Rakiçin dhe Radojçiqin si dy nga udhëheqësit kryesorë që janë të përfshirë në vepra kriminale, duke filluar nga vënia e barrikadave e deri tek shpërthimet me bombë dhe rrahjet e shqiptarëve.

“Lista Serbe është duke e shfrytëzuar Kuvendin e Kosovës si trampolinë për t’i realizuar interesat politike të Beogradit dhe të Vuçiqit, për ndarje të Kosovës. Ky qëndrim i gjatë i kësaj Liste destruktive, është bërë tashmë e patolerueshme. Rakiçi dhe Radojçiqi si dy udhëheqës të Listës, janë të përfshirë në vepra të ndryshme kriminale në veri. Madje ata veprimtarinë e tyre subversive kundër interesave të Kosovës, e kanë zgjedhur përmes metodave radikale deri te përfshirja e tyre në incidente, si janë vënia e barrikadave, duke e penguar shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në veri të vendit. Madje edhe shumë incidente të tjera me shpërthime me bomba dhe rrahje të shqiptarëve, lidhen me këto grupe kriminale të Radojçiqit”, deklaroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat