Qarqet kriminale që kapën shtetin paslufte vranë bijtë e bijat më të devotshme/ Zogaj: Kosova nuk guxon t`i zbulojë dhe dënojë...

Politika

Qarqet kriminale që kapën shtetin paslufte vranë bijtë e bijat më të devotshme/ Zogaj: Kosova nuk guxon t`i zbulojë dhe dënojë...

Nga: M.L Më: 11 janar 2022 Në ora: 21:25
Intelektualët e vrarë për motive politike

Sot më 11 janar janë mbushur 23 vjet nga vrasja e veprimtarit të shquar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Enver Maloku.

Enver Maloku është përkujtuar sot nga bashkëpunëtorë e familjarë të tij të ngushtë.

Image
Skender Zogaj

Publicisti dhe anëtari i hershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Zogaj në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se Enver Maloku ishte njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëkohësisht zëri më i fuqishëm i saj.

“Enver Malokun e kujtoj si njërin nga gazetarët shumë aktivë e të përkushtuar të Radiotelevizionit të Prishtinës, ku u afirmua shumë shpejt, duke treguar zotësi profesionale dhe guxim intelektual, në trajtimin e "tabu" temave, që cenonin identitetin kombëtar, kulturor e historik të shqiptarëve! Si i këtillë u bë pjesë aktive e lëvizjeve të hershme demokratike duke dhënë kontribut shumë të madh intelektual në zgjimin dhe mobilizimin e vetëdijes kombëtare. Rezultat i kësaj fryme ishte formimi i LDK-së, ku Enveri është nga themeluesit dhe zëdhënësi më i fuqishëm i saj”, thotë Zogaj.

Ai ka rikujtuar se Enver Maloku ishte themeluesi dhe udhëheqësi kryesor i Qendrës për Informim të Kosovës, që boton informatorin ditor duke informuar publikun e vendit dhe atë ndërkombëtar për Kosovën e robëruar dhe regjimin gjenocidal serb që po ushtronte me forca policore e ushtarake për ta zhdukur popullin shqiptar.

“Informatori kishte rol të fuqishëm në ndërgjegjësimin e publikut dhe kancelarive diplomatike ndërkombëtare që, ta kuptojnë realitetin dhe të vendosin për intervenim ushtarak për çlirimin e Kosovës”, është shprehur ai.

Zogaj: Enver Maloku u vra për ta ndaluar fjalën e lirë të shprehjes të së vërtetës!

Sipas Zogajt, puna e bën Enver Malokun njërin nga bashkëpunëtorët kyç të Presidentit Ibrahim Rugova, të cilit i qëndron besnik i përbetuar.

Ai ka potencuar se Enver Maloku dhe shumë veprimtarë të tjerë të LDK-së, si Xhemail Mustafa, Smajl Hajdaraj, Ismet Rraci, Shaban Manaj, Sebahate Tolaj, komandant “Drini”, Ukë Bytyçi etj., u vranë nga kundërshtarët ideologjik të strukturuar në grupe kriminale.

Dhe kjo është njëra nga arsyet kryesore që kundërshtarët ideologjik të strukturuar në grupe kriminale, t'ia shuajnë jetën. E vrasin për t'ia ndaluar fjalën e lirë të shprehjes së të vërtetës! Këto qarqe kriminale për fat të keq pas luftës arrijnë të kapin shtetin dhe, për realizimin e përfitimeve personale, vrasin bijtë dhe bijat më të devotshme atdhetare: Enver Malokun, Xhemail Mustafën, Smajl Hajdarajn, Ismet Racin, Shaban Manajn, Sebahate Tolajn, komandant “Drinin”, Ukë Bytyçin, etj.etj. vrasjet e të cilëve janë pengu i lirisë së Kosovës që nuk po guxon të zbulojë dhe të dënojë vrasësit e bijve të saj më të mirë! Drejtësia kosovare ka dështuar, prandaj, Gjykata Speciale mbetet shpresa e radhës për zbardhjen e vrasjeve dhe njohjen e rrënjëve të strukturave kriminale, të cilat ia vrugëtuan bukurinë lirisë së Kosovës”, përfundoi Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat