Serbia zhduk çdo gjë shqiptare në komunën e Medvegjës / Kosova t’ia pasivizojë adresat serbëve

Politika

Serbia zhduk çdo gjë shqiptare në komunën e Medvegjës / Kosova t’ia pasivizojë adresat serbëve

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 11 shkurt 2022 Në ora: 21:13
Foto ilustrim: Shqiptarët duke protestuar
Kosova duhet të reagojë me urgjencë në Bashkimin Europian tek emisari Lajçak dhe Komisioneri Borell, por edhe tek të gjitha trupat e BE-së, për shkak të shkeljes skandaloze të të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

Për më shumë se një dekadë bisedimesh Kosovë-Serbi në Bruksel, shqiptarët në Kosovën Lindore, nuk kanë fituar asnjë të drejtë më shumë nga ato që kishin arritur me Marrëveshjen e Konçulit, pas një periudhe luftimesh.

Edhe ajo marrëveshje thuaja nuk ofron asgjë për shqiptarët atje, krahasuar me të drejtat e serbëve në Kosovë që u ofron Pakoja Ahtisari.

Bisedimet – humbje e vazhdueshme e shqiptarëve

Por, Serbia nuk ishte e kënaqur, atëherë dhe as tash me të drejtat e serbëve në Kosovë. E mbështetur edhe nga vende të tjera, diplomacia e saj, ia arriti që të nxisë një trysni ndërkombëtare, për ta ulur sërish Kosovën në bisedime me Serbinë, edhe pse Prishtina ishte garantuar se në Vjenë po i bënte kompromiset e fundit, por për ta arritur Pavarësinë formale. Ndërsa, në Bruksel kësaj here bisedimet do të nisnin nën petkun e ‘bisedimeve teknike’. Zotimi i atëhershëm i Qeverisë së Kosovës, të cilën e drejtonte Hashim Thaçi, ishte se nuk do të kishte bisedime politike.

Sipas analizës sime të bërë që në rastin e prezantimit të Projektrezolutës së BE-së për miratim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, se dokumenti paraqet rrezik të madh për Kosovën, sepse bëhet fjalë për një rezolutë, që jo vetëm çon në bisedime politike, por edhe e rrezikon integritetin e vendit në veri, se e zhvlerëson vendimin e GJND-së, pastaj se e përjashton miken tonë më të madhe SHBA-në nga roli parësor në bisedimet e vazhdueshme që kishte, në luftë dhe në procesin deri në pavarësimin e Kosovës etj.

As bisedimet që filluan më 2011 nuk përfunduan, dhe nuk janë ende drejt fundit të tyre, ndërsa çështja e shqiptarëve të Kosovës Lindore nuk u hap asnjëherë, përveç disa çështjeve periferike.

Ka pasur interesim dhe insistim nga opozita e mëhershme, tani parti në pushtet dhe nga partitë shqiptare të Kosovës Lindore, që të ketë reciprocitet ndërmjet dy shteteve për komunitetet retrospektive, por që nuk është arritur asgjë.

Në fakt, ka pasur disa marrëveshje dytësore të nënshkruara si çështja e diplomave, pra të dokumentacionit të lëshuar në Kosovë, por ende nuk i zbaton as ato Serbia.

Serbia ashpërson diskriminimin

Për dallim nga moszbatimi i tyre, Serbia ka shkuar më tej, tashmë po e ashpërson diskriminimin në përpjekje për të zhdukur çdo gjë shqiptare në komunën e Medvegjës, e cila përbën territorin më të madh nga tri komunat shqiptare. Ajo nëpërmjet strategjive represive, ia ka dalur që t’i dëbojë qetësisht shqiptarët shumicë në Medvegjë, autokton të lindur ‘bashkë me diellin’ atje, pastaj t’ua heqë të drejtat e shtetësisë, që nënkupton se ata më nuk mund t’i gëzojnë pronat e tyre, shtëpitë dhe tokat, duke qenë vetëm mysafir atje.

Në përmbushje të këtyre qëllimeve antinjerezore e antishqiptare, Serbia ka filluar edhe një diskriminim të ri, duke i shlyer mbishkrimet në gjuhën shqipe në Medvegjë.

Për këtë ka alarmuar aktivistja shqiptare në Gjermani Flora Ferati-Sachsenmaier.

“Partia në pushtet SNS vazhdon t’i heqë tabelat dygjuhëshe në Komunën e Medvegjës. Gjuha shqipe po hiqet sistematikisht nga të gjitha shenjat e informacionit (objektet e kujdesit shëndetësor, emrat e rrugëve, informacionet turistike)”, ka shkruar hulumtuesja shqiptare në Gjermani Flora Ferati-Sachsenmaier, në faqen e saj në twiter.

Sipas të dhënave të saja, në komunën e Medvegjës, vetëm në periudhën 2015 – 2019, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka fshirë mbi 4 mijë shqiptarë nga regjistri civilë. “Pasojat kanë qenë fatale për komunitetin shqiptar të kësaj komune”, ka vlerësuar Dr. Flora Ferati-Sachsenmaier, e cila është bashkëpunëtore shkencore në institutin Max Plank për Studimin e diversitetit fetar dhe etnik.

Ajo vlerëson se këto çështje janë të planifikuara nga qarqet më të larta politike në Serbi. “E njohur ndryshe edhe si ‘pasivizimi i adresave’ të vendbanimit, kjo praktikë diskrimunuese ndaj komuniteti shqiptar në Serbi paraqet një formë diskriminimi të paparë sot në Europë”.

Neni 18 i Ligjit për Vendbanim dhe vendqëndrim, i jep kompetenca organeve shtetërore serbe që të bëjnë verifikimin e adresave të përhershme të vendbanimit. Kur banorët shqiptarë nuk gjenden në adresën e deklaruar, nëse nuk lajmërohen në afat prej tetë ditësh i pasivizohet adresa e përhershme e vendbanimit. Me kaq merrë fund e drejta e gëzimit paqësor të pronës apo të vazhdimit të jetës në atë adresë dhe mjedis.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, nënkryetar i partisë së Aleksandër Vuçiqit, Nebojsha Stefanoviçi e kishte shpallur triumfin ndaj shqiptarëve në Medvegjë në vitin 2015: “ky rezultat i zgjedhjeve dëshmon se Medvegja është komunw serbe... dhe përpjekjet për t’i sjellur shqiptarët me autobusë e pa dokumente valide nga Kosova për të votuar në Medvegjë u ndalën”.

Ndërsa, Kosova as që e ka ideuar reciprocitetin në këtë pikë, nxjerrjen e një ligji të njëjtë të pasivizimit të adresave në Kosovë, në këtë rast për serbët, që nuk jetojnë më këtu. Ky hap do t’i pastronte listat e votuesve në Kosovë, dhe më e rëndësishmja ndoshta do ta mbushte mend Serbinë, por edhe përkrahësit e saj në Europë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat