Listat me veteranë të rrejshëm/ Analisti nga Amerika zbërthen problemin: Si u blenë me para dhe kush i ndihmoi mashtruesit?!

Politika

Listat me veteranë të rrejshëm/ Analisti nga Amerika zbërthen problemin: Si u blenë me para dhe kush i ndihmoi mashtruesit?!

Nga: A.M Më: 7 qershor 2022 Në ora: 19:03
Pamje nga protesta e veteranëve

Gjatë ditës së djeshme, veteranët e luftës së UÇK-së kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës në shenjë pakënaqësie për mos përfshirjes së tyre në rritjen e pagës minimale.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se veteranët ndihen të diskriminuar për shkak të anashkalimit të tyre.

Të pranishëm ishin një numër i madh i protestuesve.

Megjithatë nga Qeveria e Kosovës kanë bërë të ditur që pa pastrimin e listës së veteranëve nuk mund të ketë rritje të pagës minimale.

E lidhur me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli analisti nga Amerika, Binak Maxharraj.

Image
Analisti nga Amerika, Binak Maxharraj.

 

Sipas tij, fajtorët kryesor për rritjen e listës së veteranëve të luftës janë komandantët e UÇK-së, të cilët me interevenimet e tyre i pajisen me kartën e veteranit shumë persona që cilët nuk ishin pjesë e luftës.

“Veteranët e vërtetë (jo veteranët mashtrues) të UÇK-së janë vlera kombëtare që e bënë historinë e Kosovë. Në një klasë shkolle secili nxënës (ushtarë) e njohin njëri-tjetrin sepse në atë klasë kanë kaluar me vite. Po ashtu, në atë klasë dihen të gjithë arsimtarët (komandantët) e tyre që jepnin lëndë të ndryshme. Më të përfunduar klasën e fundit këta nxënës (tani veteranë) diçka nuk po iu ecë kur u takuan mes vetes pas luftës, duke e krijuar shoqatën e OVL. U çuditën të gjithë sa shumë veteranë qenkan bërë tani, askush nuk e dinte se nga erdhën gjithë këta kur në klasë(luftë) kanë qenë trefish më pak. Disa filluan të mendojnë se kjo nuk ka mund te jetë kopili e nxënësve(ushtarëve) të vërtetë në klasë, filluan të dyshojnë në arsimtarët (komandantët e tyre) sepse u kujtuan se këta edhe gjatë viteve në klasë nuk ishin te ndershëm sepse jepnin nota pa meritë sipas intervenimeve të të afërmve të tyre”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Maxharraj potencoi se ‘komandantët’ këto certifikata i lëshuan në këmbim të ryshfetit dhe parave.

Madje, ai beson se OVL e UÇK-së nuk ka bërë asgjë në pastrimin e listave të saj, vetëm sa ua ka rënduar situatën veteranëve të vërtetë, duke u bërë vegël e PDK-së.

“Dhe, doli e vërtetë se plan-prishësit e meritës së luftës ishin vetë këta komandantët të cilët me meritë e pa meritë lëshuan certifikata false për filan fistekun se ka qenë ushtar në luftë. Bile këtë e bënin edhe duke marrë para të mëdha, me ç’ rast numri i veteranëve të luftës pa kurrfarë baze u rrit në 60 mijë, pa meritë dhe kontribut në luftë u bënë veteranë, ani pse kurrë luftën me sy nuk e kishin parë.

Nuk thuhet kot se lavdin e luftës nuk e prishin luftëtarët por vetë komandantët, siç ndodhi me trefishimin e numrit të veteranëve të luftës me veteranë të rrejshëm, mashtrues, të cilët e blenë anëtarësimin për veteranë të luftës.

Ndërsa udhëheqësit e OVL-UÇK-së në vend se të angazhohen për pastrimin e listave, ata gjatë gjithë pas luftës nuk u morën me çështjen e veteranëve dhe pastrimin e listave sepse edhe ata e dinin se janë përtej më se të fryra, megjithatë u bënë vegla në shërbim të PDK-së. Ia nisën me djegien e flamurit të Dardanisë së Ibrahim Rugovës dhe nuk pushuan të merren me politikë për interes të partive politike derisa përfunduan në burg”, nënvizoi analisti nga Amerika.

Më tej, ai i vlerësoi lartë veteranët e vërtetë të UÇK-së duke potencuar se janë vlera kombëtare.

Mirëpo, Maxharraj një pjesë të fajit për fryrjen e listave ua lë edhe atyre, për neglizhencën dhe mos-angazhimin e duhur dhe shitjen e certifikatave me para.

“S’do mend shumë e as dije se veteranët e vërtetë të UÇK-së janë vlera kombëtare që e bënë historinë e Kosovës. Por, sot pse kanë ardhur në një situatë të tillë, pikë së pari janë fajtorë vetë, sepse në vend se të merren me politikë ata do ishte dashur së pari ta pastrojnë “klasën e vetë” nga kanë dalë dhe mos të lejohej që në atë klasë të futen edhe veteranë mashtrues të blerë me para, sepse këta udhëheqës dhe komandantë të luftës kanë harruar se liria nuk blihet me para, por ajo fitohet me gjakun e bijëve dhe bijave tona, por jo me veteranë mashtrues.

Sikur këtë ta kishin bërë me kohë OVL, duke mos ia lënë ne barrë financiare shtetit të varfër të Kosovës mbi 35 mijë veteranë mashtrues, sot veteranët e vërtetë do të ishin në situatë shumë më të mirë financiare dhe nuk do të kishin arsye të dalin në protesta. Pra, le ta dinë se veteranëve të vërtetë financat po ua “vjedhin” veteranët mashtrues”, tha Maxharraj.

Në fund, analisti nga Amerika potencoi se tani është momenti i fundit kur OVL-UÇK duhet të pastrohet nga mashtruesit.

“Është koha e fundit që në OVL të bëhet një thyerje e madhe, e dhimbshme por e domosdoshme që të pastrohet ajo nga veteranët mashtrues. Kjo është e domosdoshme. Kishte tentime që kjo të ndodhë para disa viteve, bile u dërguan në gjykatë komandantët që lëshuan certifikata false, por drejtësia e kapur nga klanet e ndryshme dështoi”, përmbylli Binak Maxharraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat