Bashkëluftëtari i Sali Çekajt i reagon ashpër Albin Kurtit: Po gabon rëndë në dy drejtime për Rexhep Selimin

Politika

Bashkëluftëtari i Sali Çekajt i reagon ashpër Albin Kurtit: Po gabon rëndë në dy drejtime për Rexhep Selimin

Nga: P.R Më: 7 shtator 2022 Në ora: 19:17
Albin Kurti dhe Rexhep Selimi

Në 23 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, merita i ka dhënë edhe njeriut që nga Gjykata Speciale akuzohet për vrasjen e anëtarëve të LDK-së dhe bashkëpunëtorëve të Ibrahim Rugovës.

Kurti në fjalimin e tij, e ka përmendur Rexhep Selimin, duke e cilësuar si Ministri i parë i Brendshëm i Kosovës.

“Viti i themelimit përkon me çlirimin e vendit tonë. Qindra ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1999 pas uniformës fitimtare ushtarake vazhduan me misionin e zyrtarit policor në shërbim të Kosovës. Angazhimi i policisë s’pushoj asnjëherë që prej atëherë. Nga ministri i parë i Brendshëm në Kosovën e çliruar, Rexhep Selimi e deri te ministri ynë aktual. Zyrtari policor përveç përgjegjësisë që mban mbi supe, çdo ditë të jetës së tij në detyrë dhe jashtë saj e ka peshën e misionit më fisnik që ndokush mund ta ketë, sigurinë e vendit dhe të jetës së qytetarëve. Liria dhe siguria janë qenësore dhe ju duhet të jeni garanci për to. Liria është e qytetarit dhe siguria është për qytetarin”, ka thënë Kurti.

E kritika për këtë po adreson Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.

Image
Saim Tahiraj

“Ti komentosh deklaratat kontraverse të këtij demagogu, vërtet janë bërë tepër monotone, madje do thosha të gërditshme. Një njeri kur në vazhdimësi i sulmoi pamëshirshëm dhe i gjakoste Policinë e Kosovës, sot të thurë lëvdata për ta, është fyerja më e madhe për Policinë e Kosovës! Ky njeri që nën petkun e kryeministri fyen rëndë kujtesën tonë, duke menduar se i kemi harruar ato skena të tmerrshme ku i gjakoste policinë tonë të nderuar. Sado që mendon se kollarja dhe posti i kryeministrit ia mbulojnë turpet e së kaluarës, gabon rëndë, sepse ato janë të freskëta në kujtesën tonë”, thotë Tahiraj.

Sipas tij, Rexhep Selimi nuk ka qenë asnjëherë Ministër i Brendshëm i Republikës së Kosovës.

“Kur thotë se ministri i parë i punëve të brendshme ishte Rexhep Selimi gabon rëndë në dy drejtime. E para, është se Ministri i parë i Punëve të Brendshme që nga 1991 ishte Januz Tërstena, në kuadër të qeverisë legjitime të Republikës së Kosovës. E dyta, Rexhep Selimi nuk ka qenë kurrë Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës. Ai ishte ministër i të ashtuquajturës "Qeveri e Përkohshme" e cila ishte produkt i LPK-së, ashtu siç ishte edhe SHPUÇK-së”, shprehet Tahiraj për “Bota sot”.

Për fund, ai thotë se në vend që t’i jap merita Rexhep Selimit, Albin Kurti do të duhej të kërkonte dhe të punojë për zbardhjen e vrasjeve politike në Kosovë.

“Ky njeri nën petkun e kryeministrit, në vend që të turpërohet për veprimet kriminale të atij ministri dhe asaj qeverie, thurë lavdata për të dhe për ta. Ai ministër sot po përballet me drejtësinë nga Gjykata Speciale në Hagë si i dyshuar për veprimet kriminale. Ky mashtrues i shekullit, në vend që t’i kërkojë falje Policisë së Kosovë për veprimet e tija banditeske në të kaluarën, iu thur lavdata pa fije turpi! Në vend që të iu kërkon falje familjarëve të cilët humbën më të dashurit e tyre nga vrasjet politike, thur lavdata për të dyshuarit që urdhëruan këto vrasje! Me këto veprime të fundit të demagogut, i fshehur nën maskën e kryeministrit, dëshmoi edhe njëherë se është besnik i LPK-së dhe ideologut të tij Qosiq dhe se VV-ja është strehimorja ku strehohet bërthama e saj!”, përfundon për “Bota sot”, Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit, Sali Çekaj.

Kujtojmë se Rexhep Selimi, bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe të tjerët, akuzohen nga Gjykata Speciale për vrasjen e anëtarëve të LDK-së dhe bashkëpunëtorëve të presidentit Rugova, për çka edhe nga 5 nëntori i vitit 2020 po qëndrojnë të burgosur në burgun e Hagës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat