Bërnabiç i mori në mbrojtje grupet kriminale serbe/ Nuk po luftohen grupet kriminale në veri të Kosovës

Politika

Bërnabiç i mori në mbrojtje grupet kriminale serbe/ Nuk po luftohen grupet kriminale në veri të Kosovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 8 shtator 2022 Në ora: 12:09
Ana Brnabiq

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci të hënën ishin për vizitë në Kosovën Lindore, tashmë e njohur me emrin tjetër Lugina e Preshevës. Kjo vizitë duket se u bë në kundërpërgjigje të vizitës që po e bënte në veri të vendit kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.

Kryeministrja serbe, nuk i kurseu provokimet, jo vetëm me retorikë, por edhe duke e vizituar familjen e kriminelit të shumëfishtë, Millan Radojçiq, i cili përveç se ndodhet në listën e zezë të SHBA-ve, për krim të organizuar ndërkombëtarë, dyshohet edhe për përfshirje në vrasje dhe krime të tjera brenda Kosovës, për të cilat po e kërkon drejtësia.

Ajo u paraqit me dy djemtë e Radojçiqit duke u ankuar për ata, se kinse po cenohen, dhe se ata do të jenë të mbrojtur, një tjetër pohim mashtrues, me qëllim të arritjes së efektit antiKosovë, që për shumë vite, veçmas nga 2004-ta kishin sukses në mashtrimet e tyre.

Ishte Millan Radojçiq, që disa javë para se të provokonte Serbia mobilizim me 31 korrik, me anë të një video të incizuar në veri, bënte thirrje për mbrojtje me armë, ndërsa gënjente se serbët ishin të rrezikuar nga Kosova, të cilin deklarim të rrejshëm të gjitha institucionet serbe e përdornin si paradigmë për të nxitur konflikt të armatosur në veri.

Por, retorika e rrejshme u kuptua me kohë nga Perëndimi dhe askush nuk iu besoi atyre rrenave, përveç se u panë me neveri.

Për dallim nga provokimet e Qeverisë së Serbisë, dy qeveritarët e Kosovës, nuk u morën me provokime dhe mashtrime.

Besnik Bislimi dhe Arbërie Nagavci gjatë vizitës në Preshevë janë pritur nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, por që kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi nuk i ka pritur në takim, kjo pasi sipas tij është injorimi që ata i bënë Luginës së Preshevës.

“E kanë injoruar Komunën e Preshevës dhe çdo shqiptar në Luginë. Arsye tjetër janë politikat e LVV-së, sepse unë nuk i nënshtrohem atyre dhe për shkak të kritikave, të cilat i jap në kuadër të politikave të saj në dialog. I shoh të mangët në koncept dhe në përfshirje të shqiptarëve në zgjidhje”, ka deklaruar kryetari i Preshevës Arifi.

Por cili është dallimi mes vizitës së kryeministres serbe dhe krerëve institucionalë të Kosovës në Preshevë?

Mehazi: Vizitat kanë kuptimin e një reciprociteti

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka thënë se vizitat kanë kuptimin e një reciprociteti, duke shtuar se vizita e presidentes serbe ishte më superiore përpallë vizitës inferiore të zv.kryeministrit të Kosovës, Bislimit, në Preshevë.

Ai më tej shprehet se, në Preshevë, zv. ministri i Kosovës, Bislimi me ministren Nagavci në Preshevë jo që u mohuan nga qytetarët shqiptarë të Preshevës, por edhe nga kryetari i këtij qytetit, Shqipërim Arifi.

Vizita e kryeministres së Serbisë, Brnabiq, në Kosovë dhe vizita e zv. kryeministrit të Kosovës, Bislimit së bashku me ministren Nagavci, në Luginë, formalisht e ka kuptimin e një reciprociteti, por politikisht vizita e Brnabiqit në Mitrovicën e Veriut dukej më superiore përpallë vizitës inferiore të zv.kryeministrit të Kosovës, Bislimit, në Preshevë.

Në njërën anë që nga kufiri e deri në Mitrovicë, kryeministrja e Serbisë, Brnabiq, u prit nga qytetarët serbë të Kosovës në mënyrë të organizuar nga Lista serbe dhe të tjerë, kurse në anën tjetër zv. ministri i Kosovës, Bislimi me ministren Nagavci në Preshevë jo që u mohuan nga qytetarët shqiptarë të Preshevës, por edhe nga kryetari i këtij qytetit, Shqipërim Arifi, kështu që delegacioni qeverisës i Kosovës, Bislimi dhe Nagavci, përveç Kryetarit të Këshillit Kombëtarë shqiptar, Ragmi Mustafi, nuk u prit mirë jo vetëm nga prefekti, Shqipërim Arifi, por edhe nga qytetarët e Preshevës. Ndoshta diktatura serbe ndaj shqiptarëve ka ndikuar që vizita e zv.ministrit Bislimi të mos jetë pompoze, por e heshtur, gjersa vizita e kryeministres së Serbisë, Brnabiq, në Mitrovicë ishte festive, entuziaste, ceremoniale e patriotike me kërcënime politike jo vetëm nga qytetarët serbë të Kosovës, por edhe nga kryeministrja serbe, Brnabiq, e cila hyrjen në Kosovë e konsideronte si tokë serbe, kurse në anët tjetër të kufirit në Preshevë, pala kosovare, Bislimi e Nagavci, nuk dallonin nga qytetarët e rëndomtë shqiptarë të Preshevës”, shpjegon ai.

Sipas tij, vizita e kryeministres serbe në Kosovë dhe vizita e Bislimit në Luginë japin shenja përmirësimesh

Përfaqësuesi i Qeverisë, zv. kryeministri Bislimit në Preshevë, i cili hyri e doli nga Serbia sikurse qytetar i rëndomtë i Kosovës, mos ndoshta për shkak të politikës pasive të Qeverisë së Kosovës ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, kaloi si në heshtje.

“Megjithatë vizita e kryeministres serbe në Kosovë dhe vizita e Bislimit në Luginë japin shenjat përmirësuese fqinjësore serbe-kosovare. Pas marrëveshjes së dokumenteve personale, ndoshta në mes dy shteteve fqinje ekziston një marrëveshje e fshehur që kryeministrja e Serbisë të shkonte në Kosovë për të qetësuar serbët e Kosovës me rastin e dakordimit të reciprocitetit, të respektimit të letërnjoftimeve mes dy shteteve fqinje...”, përfundoi profesor Mehazi.

Kelmendi: Reciprociteti është bazë e dialogut me Serbinë

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori Muhamet Kelmendi në një përgjigje për “Bota sot” flet për vizitën e kryeministres serbe në veri të Kosovës.

Ai thotë se qëllimi i kësaj vizite është përforcimin i grupeve kriminale që gjenden në atë pjesë.

“Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, me lejen e Ministrisë për Punë të Jashtme të Republikës së Kosovës, vizitoi veriun e Kosovës.

Vizita e tillë, si çdo vizitë tjetër e neoshovenistëve serbë, ka karakter politik dhe bëhet kryesisht për mbajtjen e frymës kriminale serbe në veri të vendit. Pas reciprocitetit në fushën e qarkullimit të njerëzve midis Kosovës dhe Serbisë, pritet edhe çështja e targave të zgjidhet. Këto zgjidhje ndikojnë dhe kanë ndikuar shumë në mentalitetin e grupeve kriminale të organizuara në veri.

Grupet e tilla ilegale kriminale të organizuara kanë filluar të humbin besimin. Ana Bernabiç vjen për të treguar se Serbia nuk i lë ata në baltë dhe se këto grupe të vazhdojnë punën kriminale. Nuk ka qëllim tjetër”, thotë profesori.

Ai ngrit shqetësimin se mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka barazi sa i përket çështjeve të minoriteteve.

Tutje, shtoi se grupet kriminale në veri kanë mbështetje nga Lista Serbe dhe shteti serb, andaj kryeministrja po i viziton ata.

“E keqja është këtu se nuk ka barazi midis Kosovës dhe Serbisë në çështjen e minoriteteve.

“Minoriteti shqiptar në Luginën e Preshevës nuk i ka as për së afërmi të drejtat e minoritetit serb me Kosovë. Këtu kërkohet reciprociteti në vizita, në të drejta dhe në çështje nacionale. Komunat shqiptare në Luginë janë të zhveshura nga kompetencat. Ndërsa, komunat serbe në veri dhe në Kosovë kanë të drejta të mëdha autonome. Ata veprojnë edhe me krime pa përgjegjësi.

“Reciprociteti këtu është pikëmbështetja e zgjidhjes së çështjes nacionale. Pa këtë nuk ka mundësi ndërtimi i një gjendjeje që premton. Nuk është fjala e organizimit të krimit në Luginë, por e të drejtave nacionale. Gabimi është se pse nuk po luftohen grupet kriminale në veri të Kosovës. Ato nuk kanë mbështetje politike dhe juridike. Të drejtat e minoritetit serb janë shumë të gjera. Ato janë grupe kriminale. Udhëhiqen nga Lista serbe dhe shteti serb. Këto grupe duhet luftuar në bazë të ligjit. E Bernabiç mu këto grupe kriminale i viziton. Për atë nuk është dashur të lejohet vizita”, përmbyll ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat