A do të ketë koalicion me LDK-në dhe kush e ka bllok? E zbulon anëtari i kryesisë së Guxo

Politika

A do të ketë koalicion me LDK-në dhe kush e ka bllok? E zbulon anëtari i kryesisë së Guxo

Nga: P.R Më: 12 shtator 2022 Në ora: 21:27
Partinë Guxo do ta udhëheqin Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla dhe Ministri i Bujqërisë, Faton Peci

Tashmë edhe zyrtarisht, lista Guxo e cila u themelua nga presidentja Vjosa Osmani para se të zgjidhej presidente, është transformuar në parti politike. Në vend të Vjosa Osmanit, partinë Guxo do ta udhëheqin Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla dhe Ministri i Bujqërisë, Faton Peci, të cilët u votuan me 373 vota pro, 23 kundër dhe tre abstenime.

Por cila do të jetë e ardhmja e partisë Guxo dhe me kënd do të jetë në koalicion, për gazetën “Bota sot” ka folur anëtari i kryesisë së Guxo, Luan Gacaferi.

Gacaferi thotë se Guxo do ta vazhdojë koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje, për të cilin thotë se është stabil pavarësisht largimit të një deputete nga partia Guxo.

Image
Anëtari i kryesisë së Guxo, Luan Gacaferi

“Kjo parti ekziston nga viti 2021 dhe nuk është nga pardje! Dikur ishte listë sot është parti, por që është e njëjta në përbërje e në tërësi! Unë kam mendimin tim personal, por vendimet merren në parti për koalicionin dhe meqenëse është fjala për Vetëvendosjen, unë mendoj se ky koalicion duhet të vazhdojë edhe për një kohë të caktuar, pastaj mbetet të shihet se çka ofron e ardhmja!”, thotë Gacaferi.

Vija të kuqe, anëtari i kryesisë së Guxo i vendos vetëm Partisë Demokratike të Kosovës.

“Unë si Luan jam kundër koalicionit vetëm me PDK-në dhe nëse kjo ndodh unë do largohem menjëherë! Përndryshe më partitë tjera politike pse jo!”, shprehet Gacaferipër “Bota sot”.

Por a mund të ketë një koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës?

“Kurse sa i përket koalicionit me LDK-në mendoj se jemi akoma larg dhe ndoshta në një të ardhme të largët dhe pasi të jetë pastruar mirë LDK nga kukullat e Hashimit e të Isës, pse jo! LDK nuk është armiku i Guxo, është vetëm kundërshtari politik i cili ka zgjedhur të luftojë Guxon pa asnjë arsye për mendimin tim, sepse LDK nuk e ka konkurrencë Guxo, por e ka PDK-në dhe VV-në!”, deklaron Gacaferi.

“Sidoqoftë koha do e tregoi se Guxo është një parti e cila vërtetë i duhet Kosovës për t'a mbajtur balancin politikë mes të "mëdhenjve"”, përfundon për “Bota sot”, anëtari i kryesisë së Guxo, Luan Gacaferi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat