“Duhet të armatosemi”/ Serbia ushtroi me “dronë kamikazë” në kufi me Kosovën/ Ekspertët komentojnë alarmin e Kurtit

Politika

“Duhet të armatosemi”/ Serbia ushtroi me “dronë kamikazë” në kufi me Kosovën/ Ekspertët komentojnë alarmin e Kurtit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 prill 2024 Në ora: 08:04
Policia e Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se ushtria serbe vetëm 30 kilometra larg kufirit të Kosovës është duke zhvilluar ushtrimin kryesor të tyre ushtarak.

Ai ka thënë se ata janë duke bërë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë.

Ai ka thënë se këto ushtrime janë duke u zhvilluar vetëm 3 kilometra larg kufirit me Malin e Zi dhe se me këto sjellje Serbia po tregon që është aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“30 kilometra larg kufirit të Kosovës në Pashter të Sanxhakut është duke u zhvilluar, mbase dita kryesore e ushtrimit të tyre ushtarak të quajtur ‘Vihor 2024’. Ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime përveç se është 30 km larg kufirit të Kosovës është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e Zi. Kjo është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti, instanca, faktori, aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim edhe për Republikën tonë të cilën nuk e njeh por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë”- ka thënë Kurti gjatë inaugurimit të punimeve të rrugës Kijevë – Dollc

Mehmeti: Duhet të forcohemi ushtarakisht, ta ndajmë kafshatën e gojës për armatim

Image
Faton Mehmeti

Analisti Faton Mehmeti në një përgjigje për “Bota sot”, deklarata e Kurtit është e drejtë, por që Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme që të përballet me Serbinë, andaj të vetmen shpresë Kosova e ka te KFOR-i.

Kosova, është ende larg nga të qenurit e suksesshme për t'u mbrojtur nga sulmet e Serbisë, e cila po forcohet çdo ditë e më shumë. Kështu që, e vetmja shpresë mbetet KFOR-i i aftë për të përballuar çdo sulm nga ana e Serbisë, përndryshe vështirë Kosova me kapacitete e saja të mund të përballojë sulmet e mundshme.

Kurti e ka dhënë alarmin me të drejtë kur dihet se Serbia po provokon dhe po shton forcat e saja çdo ditë në kufi me Kosovën. Duhet të forcohet ushtarakisht, ta ndajë edhe kafshatën e gojës për armatim.

Albin Kurti po ngreh alarmin me të drejtë, Serbisë nuk i zihet besë”, thekson ai për “Bota sot”.

Elezi: Deklarata e Kurtit, e nxituar

Kurse, eksperti i i sigurisë Bedri Elezi ka thënë se në këto stërvitje, Serbia ka përdorur edhe dronë të blerë nga Irani e që janë në kundërshtim me SHBA dhe NATO-n.

Image
Bedri Elezi

 “Jemi dëshmitarë të stërvitjeve ushtarake serbe të cilat janë bërë në afërsi të kufirit me Kosovën dhe Malin e Zi, përkatësisht diku 30 km larg kufirit me Kosovës dhe diku 5 km me atë të Malit të Zi.

Këto stërvitje ushtarake ishin të veçanta për arsye se në këtë rast janë përdor mjete të veçanta me të cilat është operuar dhe në rastin konkret janë përdorur edhe dronë kamikaz të cilët janë prodhim të Iranit dhe janë dronë për të cilat SHBA dhe aleatët e saj kanë konsideruar se nuk duhet të jenë pajisje të cilat duhet të përdoren nga shtetet të cilat kanë qëllime të jenë afër me faktorin ndërkombëtar dhe NATO-n, por që janë dronë që përdoren kryesisht nga shtete si Rusia dhe janë mjete që kryesisht përdoren për të bërë agresion apo për të kanosur sigurinë e vet shteteve anëtare të NATO-s.

Çdo blerje e armatimeve nga Irani është veprim jo i duhur, ku në fakt SHBA kanë vendosur sanksione ndaj shtetit të Iranit dhe aleatëve të tyre siç janë Rusia dhe Kina, dhe shkëmbimi tregtar në fushën ushtarake janë direkt në kundërshtim me parimet dhe normativat që kanë vendosur shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre”, thotë ai.

Derisa, ka komentuar edhe deklaratën e Kurtit, Elezi e ka quajtur të nxituar për vet faktin se në ato stërvitje sipas informacioneve që posedon, ka qenë edhe komandanti i KFOR-it, e që këta të fundit janë edhe gaarantues për sovranitetin e Kosovës.

Madje, Elezi bën thirrje të ketë kujdes më të shtuar në deklarime të tilla, sepse kjo po i bie që po akuzojmë edhe pratnerin kryesor të Kosovës, NATO-n.

“Për këto stërvitje ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka tërhequr vërejtjen se këto ushtrime janë kërcënim i drejtpërdrejt i sigurisë së Kosovës dhe se po bëhen me qëllim të kanosjes së sovranitetit të Kosovës, por në këtë rast ne mund të pajtohemi se ushtrimet e tilla bëhen pikërisht kur një shtet ka për qëllim cenimin e sovranitetit të saj dhe në këtë rast në raport me Kosovën janë më të theksuara sepse realisht Serbia në vazhdimësi po kërcënon sigurinë e Kosovës.

Në fakt, kryeministri i Kosovës, në rastin konkret besoj se ka qenë i nxituar me deklaratën e tij ngase në këtë stërvitje ushtarake ka marrë pjesë edhe komandanti i KFOR-it si i autorizuari kryesor i udhëheqjes së strukturave të NATO-s në Kosovës, strukturë e cila garanton sovranitetin e Kosovës bazuar në rezolutën 1244, dhe në këtë rast nuk dua të besoj dhe mendoj se ekziston mundësia që NATO të ketë dërguar përfaqësues të saj për stërvitje ushtarake e të cilat garantojnë sovranitetin e Kosovës.

Neve besojmë që Kurti, presidentja ose institucionet tjera të bisedojnë me komandantin e KFOR-it për arsye të pjesëmarrjes nëse i njëjti pjesëmarrjen e ka bërë në koordinim me NATO-n edhe pse ne kemi informacione që marrë leje për të marrë pjesë në këto stërvitje ushtarake nga NATO dhe njëkohësisht për qëllimet e pjesëmarrjes së tij dhe nëse ka një avancim të diskutimeve të dy vendeve për të garantuar se Serbia asnjëherë nuk do të niset në drejtim të Kosovës bazuar në përplasjet që do të ketë në garantuesin e sovranitetit të Kosovës, KFOR-in.

Andaj në raste të tilla duhet të kemi kujdes në deklarime publike për faktin se lajme të tilla jo vetëm mund të akuzojnë Serbinë por edhe por edhe partnerin kryesor të Kosovës NATO-n, ngase pjesëmarrja e Kosovës në këtë aktivitet fushor nënkupton edhe përfshirjen e NATO-s në cenim të sovranitetit të Kosovës!

Në fakt, reagim të ngjashëm duhet të kishte pasur edhe Mali i Zi për shkak se edhe për Malin e zi mund të konsiderohet si lloj provokimi, e që këto provokime mund të jenë për gjithë Ballkanin referuar faktit se Serbi është kërcënuese e sovranitetit rreth Bosnjës prandaj mund të them se ne duhet të punojmë ngushtë me NATO-n, shtetet anëtare dhe faktorë tjerë të rëndësishëm të cilët janë të përkushtuar në sigurinë e Kosovës”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat