“Mustafa u vra për eliminimin e Rugovës”- Bashkëluftëtari i Sali Çekajt tregon se kush i përpiloi listat e vrasjeve

Politika

“Mustafa u vra për eliminimin e Rugovës”- Bashkëluftëtari i Sali Çekajt tregon se kush i përpiloi listat e vrasjeve

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 23 nëntor 2022 Në ora: 17:28
Foto ilustrim- Xhemail Mustafa dhe Ibrahim Rugova

Sot janë mbushur 22 vite, nga dita që ish bashkëpunëtori i ngushtë i presidentit historik, Ibrahim Rugova, dhe ish kolumnisti i gazetës “Bota sot”, Xhemail Mustafa u vra në hyrje të banesës së tij në Prishtinë.

Kur kanë kaluar 22 vite, vrasja e tij, ashtu si shumë vrasje tjera politike, ka mbetur ende e pa zbardhur.

E sipas Saim Tahirajt, ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj, vrasja e Xhemail Mustafës u bë për ta dobësuar LDK-në.

Image
Saim Tahiraj

“Sot mbushen 22 vite nga dita tragjike ku në një atentat politik u vra intelektuali dhe atdhetari i madh Xhemail Mustafa! Vrasja e Xhemail Mustafës është vazhdimësi e shumë vrasjeve politike, të cilat u realizuan për të vetmin qëllim dobësimin e LDK-së, eliminimin e presidentit Rugova nga skena politike dhe marrjen e pushtetit me dhunë”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, LPK përpiloi lista për eliminimin e figurave të LDK-së.

“Kjo logjikë Staliniste e mbjellë dhe e trashëguar në gjenerata, deri te pjella e tyre LPK, zbatoi në përpikëri planin e tyre tragjik. Plan i përpiluar në lista të gjata, me emrat e personaliteteve më të shquara të LDK-së të cilët u ekzekutuan në mënyrën më makabre. Njëri ndër figurat më të rëndësishme që u ekzekutua para banesës së tij ishte edhe Xhemail Mustafa. Si shumë vrasje tjera politike të cilat asnjëherë nuk u zbuluan, edhe vrasja e Xhemail Mustafës mbeti enigmë e pazbuluar kurrë”, shprehet Tahiraj.

Ai thotë se bandat kriminale kanë uzurpuar drejtësinë në Kosovë, andaj edhe nuk janë zbardhur vrasjet politike.

“Shteti i Kosovës dështoi plotësisht në këtë drejtim. Sot po bëhen 22 vite nga vrasja makabre e Xhemail Mustafës dhe asnjë veprim i organeve të drejtësisë të shtetit të Kosovës. Ky është turpi i të gjitha pushteteve në Kosovë dhe popullit tonë. Kjo tregon se pavarësisht ndërrimit të pushteteve asnjëherë nuk ndryshoi asgjë, sepse bandat kriminale kanë uzurpuar institucionet e drejtësisë dhe bllokojnë hetimet”, deklaron Tahiraj, sipas të cilit, shpresa e vetme për zbardhjen e vrasjeve politike është Gjykata Speciale.

“Edhe populli i Kosovës po vazhdon të heshtë, si duket është pajtuar me realitetin e hidhur dhe po bëhet bashkëpjesëmarrës në heshtjen e krimit. E vetmja shpresë për familjarët e të vrarëve ka mbetur Gjykata Speciale me seli në Hagë. Urojmë që kjo shpresë të përmbushet me zbulimin e kriminelëve dhe urdhërdhënësit e tyre, të marrin dënimin e merituar. Vetëm me dënimin e kriminelëve do qetësoheshin shpirtrat e familjarëve dhe lira do jetë e plotë në Kosovë”, thekson Tahiraj.

“Një barrë të përgjegjësisë e bartë edhe një pjesë e udhëheqjes së LDK-së, të cilët nuk bën asgjë për zbardhjen e vrasjeve politike, madje pa fije turpi vizitojnë të akuzuarit në Hagë”, përfundon për gaztën “Bota sot” Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit, Sali Çekaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat