Djali i deputetit të vrarë të LDK-së: Shantazh i pastër, ky është mesazhi i marshit të marrëzisë

Politika

Djali i deputetit të vrarë të LDK-së: Shantazh i pastër, ky është mesazhi i marshit të marrëzisë

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 3 prill 2023 Në ora: 22:09
Shpëtim Hajdaraj

Shpëtim Hajdaraj, djali i deputetit të vrarë të LDK-së, Smajl Hajdaraj, i cili u vra në një atentat më 17 janar të vitit 2002, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, e ka quajtur marshin e djeshëm shantazh dhe ndërhyrje në punën e Gjykatës Speciale.

“Marsh i marrëzisë, e cila po vazhdon që nga paslufta dhe ende me shantazh e duke e kërcënuar drejtësinë me destabilitet të Kosovës. Mesazhi është ndërhyrje e shantazh i pastër ndaj drejtësisë”, thotë Hajdaraj për “Bota sot”.

Sipas tij, pas marshit të djeshëm, pa dyshim që të kërcënuar ndjehen dëshmitarët e mundshëm të Gjykatës Speciale.

Image
Shpëtim Hajdaraj

 

“Të kërcënuar ndjehen dëshmitarët direktë të këtij procesi dhe tërheqja e tyre është qëllimi i këtij kërcënimi. Zbulimi i vrasjeve politike nga kjo gjykatë, më së shumti varet nga provat se sa nga mendimet në kor e kuturu të protestuesve. Ka pasur raportime se shumë prova janë zhdukur dhe shumë dëshmitarë potencialë por që kanë qenë pjesë e krimeve, janë vrarë”, shprehet Hajdaraj.

Më tej, ai thotë se pret që Gjykata Speciale të zbulojë të gjitha vrasjet politike.

“Uroj të ketë mbetur ndonjë që do të flasë, por kjo do të varet nëse ata që kanë qenë pjesë e krimit dhe janë penduar dhe nëse kanë guxim të dëshmojnë. Vërtetë themi se Zoti për çdo krim lë dëshmitarë, dhe uroj që do të dëshmojnë. Pasi që një pjesë e tyre janë viktima të propagandës, ku me anë të propagandës dhe shpifjeve kanë arritur t’i bindin se ky apo ai person është “spiun i Serbisë””, deklaron Hajdaraj.

“Pra, shtiesit kanë kryer krime të shumta dhe kanë krijuar viktima të shumta, në njërën anë kanë shpifë e propagandu për personalitete ma atdhetare që i njeh rrethi e shoqëria, që ka quar deri te vrasja e tij/saj, pastaj etiketimi që i është bërë familjes së tij/saj, poashtu edhe viktima në radhën e vrasësve, pasi që edhe kanë krijuar vrasës dhe ata kanë menduar se po bëjnë “vepra patriotike””, përfundon për “Bota Sot”, Shpëtim Hajdaraj, djali i deputetit të vrarë Smajl Hajdaraj, vrasja e të cilit do të trajtohet nga Gjykata Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat