Specialja mund të jetë pikënisje drejt zbardhjes së vrasjes së Bardhyl Ajetit? Flasin familjarët

Politika

Specialja mund të jetë pikënisje drejt zbardhjes së vrasjes së Bardhyl Ajetit? Flasin familjarët

M.Lakna Nga M.Lakna Më 13 prill 2023 Në ora: 14:38
Bardhyl Ajeti

Fillimi i gjyqit ndaj ish komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët gjenden në paraburgim në Hagë ka zgjuar shpresat tek familjarët e të vrarëve për motive politike.

Ata po shpresojnë që më në fund do të zbardhen rastet e vrasjeve të më të dashurve të tyre, ndonëse disa nga këto vrasje nuk kanë ndodhur në periudhën që Gjykata Speciale e ka target të hetimeve.

Nebi Ajeti ishte shumë i vogël në moshë, kur iu vra xhaxhai i tij, gazetari i gazetës kombëtare “Bota sot” Bardhyl Ajeti.

Nebiu, ditët e fëmijërisë i ka kaluar duke i parë familjarët e tij që ngarendnin tek organet e drejtësisë vendore e ndërkombëtare për të kërkuar përgjigje për vrasjen e Bardhylit.

Bardhyl Ajeti ishte plagosur rëndë në fshatin Bresalc të komunës së Gjilanit, teksa po kthehej nga Prishtina për në shtëpinë e tij në Gjilan.

Ngjarja që kishte ndodhur më 3 qershor të vitit 2005 nuk u zbardh asnjëherë, derisa Bardhyli si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në një nga spitalet e Italisë.

Bardhyli u vra nga ata që i kishte “verbuar” etja për pushtet e para në Kosovën e sapo dalë nga lufta.

U vra pikërisht pse kishte guximin që të shkruante për këta keqbërës që donin ta "përvetësonin" edhe lirinë.

Nëna e Bardhyl Ajetit ka ndërruar jetë vitin e kaluar. Ajo vdiq duke shpresuar se një ditë drejtësia do ta thoshte fjalën e saj për djalin që ia vranë.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, nipi i Bardhyl Ajetit, Nebi Ajeti thotë se si familje e kanë mirëpritur fillimin e gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

“Edhe pse shumë i vonuar fillimi i gjykimeve për vrasjen e më shumë se 100 personave ndaj ish eprorëve komandantëve e sekserëve të UÇK-së është tejet i duhur. Gjykata duhet ta jap vendimin e saj që ish kokat e UÇK-së duhet të marrin dënimin e duhur”, ka deklaruar Ajeti.

Ajeti ka thënë se nuk iu ka ardhur mirë për reagimet dhe protestat e opozitës lidhur me punën e speciales të cilën e kanë formuar vet.

“Vlen te theksohet se është e gërditshme qasja e pozitës dhe opozitës me protesta e fjalime patriotike, kur dihet se vetë ata e votuan themelimin e kësaj gjykate. Pra e formoi Kosova e jo Serbia. Hipokrizi e skajshme kur dallohet se në kohën sa ishin në qeveri ata ishin kriminelë e pishtarë të korrupsionit, e tani deri sa ata qëndrojnë prapa grilave janë " të pafajshëm". Ne fund të fundit koha kalon, plagët nuk shërohen dhe uroj që fajtorët të marrin dënimin e duhur e pse jo të kalben ne burg”, është shprehur ai.

Nebi Ajeti shpreson që gjykimi në speciale të jetë një pikënisje edhe për rrugën drejt zbardhjes së vrasjes së axhës së tij, Bardhylit.

“Ne si familje, shpresë të vetme për zbardhjen e vrasjes së axhës e kemi Gjykatën Speciale, kjo pasi drejtësia vendore e ka neglizhuar në vazhdimësi rastin. Ndonëse hetimet e speciales nuk e përfshijnë kohën kur është vra familjari jonë, ne prap se prap shpresojmë që specialja të jetë një pikënisje në rrugën drejt zbardhjes së plotë të rastit”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat