Situatë tensionuese/ Deputeti flet për “Bota sot”: Tregon arsyet pse nuk duhet të mbahen zgjedhjet në veri!

Politika

Situatë tensionuese/ Deputeti flet për “Bota sot”: Tregon arsyet pse nuk duhet të mbahen zgjedhjet në veri!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 prill 2023 Në ora: 15:04
Foto ilustrim

Zgjedhjet në veri priten të mbahen më 23 prill 2023, të shtunën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) publikoi listën e qendrave të votimit dhe lokacionet e tyre.

Sipas vendimit të KQZ-së, numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.

KQZ tha se lista e qendrave të votimit është përgatitur në bashkëpunim dhe koordinim me organet e sigurisë.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që zgjedhjet në veri të shtyhen.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në një intervistë për media ka thënë se shtyrja është në dobi të Kosovës, në të kundërtën mbajtja e tyre, është humbje për vendin.

Ai shprehet se me mbajtjen eventuale rrezikohet edhe më tej policët që operojnë në veri.

“Duhet bërë kujdes, opsioni i ndaljes së këtij procesi është i mençur, është në dobi të Kosovës dhe e shpëton edhe fytyrën tonë si shtet. Ndërsa, insistimi për t’i mbajtur zgjedhjet realisht na thellon humbjet, por edhe na merr fytyrën sepse vërtetohet në ditën e zgjedhjeve që nuk jemi në situatën e duhur... Ne duhet të kemi guxim edhe politik, por edhe intelektual, që proceset që i sjellin humbje vendit të ndalen me kohë, mos të mbesim peng prej situatës që po ndodh atje”, theksoi Haradinaj.

Kundër mbajtjes së zgjedhjeve e ka përsëritur qëndrimin e tyre edhe deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj.

Sipas tij, janë shumë rrethana dhe faktorë që ndikojnë për shtyrje të zgjedhjeve.

“Partia jonë AAK, por edhe lideri z. Haradinaj ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve në veri. Ne e vlerësojmë që nuk janë momentet e duhura për Kosovën që te mbahen zgjedhjet. Janë shumë rrethana dhe faktorë, si mungesa e sigurisë në qendrat e zgjedhjeve, mungesa e sigurisë në teren e cila është nën kontroll të strukturave dhe bandave paralele e që do të rrezikojnë qytetarët që planifikojnë të votojnë, mos pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje, si dhe eskalimi i situatës në tërësi, që ne mendojmë se Qeveria e Kosovës duhet ti shtyjë zgjedhjet në veri”, ka thënë Lekaj për “Bota sot”.

Image
Pal Lekaj

Në anën tjetër, sot në Serbia ka filluar seanca qeveritare e kryesuar nga Ana Brnabiq dhe Ivica Daçiq, ku janë miratuar disa konkluzione që siç thonë ata, do të bëhen “kornizë zyrtare”.

Ata kanë miratuar që të lejohen targat KM.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se i ka nisur Brukselit një propozim “që përbën më shumë se kompromis nga pala serbe” rreth çështjes së targave KM. “Nëse nuk e pranojnë, pason kundërpërgjigja”, tha Vuçiq.

Ata gjithashtu kërkojnë formimi e Asociacionit siç e duan ata, e jo siç e do Kosova, por edhe largimin e njësive speciale nga veriu.

Deputeti Lekaj thotë se janë duke i përcjellë me vëmendje vendimet e tyre.

“Po, i kemi përcjellë vendimet e Rashkës të cilat kanë ardhur në koordinim nga takimi me Kryeministrin dhe Presidenten e Serbisë. Mund të them që është kurs i gabuar i politikës serbe përballë Kosovës, është kurs që krijon kriza në raportet mes dy vendeve dhe çalon rrugëtimin e Kosovës drejt Liberalizimit të vizave e Bashkimit Evropian”, thekson Lekaj.

Sipas tij, duhet reagim dhe kujdes të shtuar nga ndërkombëtarët përballë Serbisë.

“Serbia po dëshmon që i pengon çdo përparim dhe zhvillim i Kosovës, dhe kjo është për keqardhje. Është moment kur duhet një reagim dhe kujdes të shtuar të ndërkombëtarëve përballë Serbisë, e cila në vazhdimësi po e destabilizon rajonin dhe specifikisht Kosovën”, pohon deputeti.

Vendimet e qeverisë të pa menduara dhe jo strategjike e kanë kthyer Kosovën prapa, sipas Lekajt, gjersa shton që është momenti që Kurti të bashkëpunojë me opozitën.

“Qeveria me vendimet e saj të pa menduara dhe në mënyrë jo strategjike e ka kthyer Kosovën mbrapa për shumë vite në raport me Serbinë. Që dy vite qeverisje nuk ka pasur vizion dhe nuk ka ditur të funksionojë me Serbinë dhe Ndërkombëtarët, dhe prandaj kemi këtë rezultat me këto pasoja. Në këto ngjarje është momenti që Kurti të bashkëpunojë me opozitën dhe figurat e ekspertët e shtetit që kanë përvojën dhe njohuritë se si të kemi një Dialog e përfundim të suksesshëm të ndarjes me Serbinë. Deri tani fatkeqësisht ka munguar kjo afërsi dhe ky bashkëpunim nga Kryeministri, dhe duhet ta dimë që i vetëm s’ka mundur dhe s’do të mund të bëjë asgjë”, përfundon Lekaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat