“BE-ja dhe SHBA-ja të ndalojnë Vuçiqin” - Njihuni se si duket modeli kroat i Asociacionit

Politika

“BE-ja dhe SHBA-ja të ndalojnë Vuçiqin” - Njihuni se si duket modeli kroat i Asociacionit

Nga: Nehat Shaqiri Më: 11 maj 2023 Në ora: 22:33
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Qeveria e Republikës së Kosovës thotë se për të krijuar një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, do të shtyjë përpara një model kroat për pakicat kombëtare.

Ky “nivel i vetëmenaxhimit” parashihet me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër, më 19 mars, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paraqiti “draft-vizionin” e tij për këtë qëllim gjatë një takimi që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel.

Draft-vizioni erdhi si përgjigje ndaj një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Kurti e refuzoi, duke thënë se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Duke iu përgjigjur thirrjeve të shtuara të komunitetit ndërkombëtar për të dalë me një propozim konkret për themelimin e Asociacionit, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, u thirr pikërisht në këtë draft-vizion.

“Ne besojmë që propozimi ynë mundëson që të ndërtojmë diçka të re, të drejtë dhe të dobishme për të gjithë”, ka thënë Kryeziu.

Sipas Qeverisë së Kosovës, modeli kroat është zgjedhur për faktin se Kosova me Kroacinë “kanë ndarë një të kaluar të përbashkët” me rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë.

“Për më tepër, një model i tillë është pranuar në të kaluarën nga Serbia. Prandaj, besojmë që përbën referencë të duhur për rrugën përpara në raport me Serbinë”, tha zëdhënësi Përparim Kryeziu.

“BE-ja e SHBA-ja duhet ndalur politikën hegjeministe të Vuçiqit”

Për këtë çështje, analisti politik profesor Sulejman Mehazi thotë se modeli kroat është i arsyeshëm dhe ideal.

“Propozimi i modelit kroat asociacionues i pakicave serbe, por dhe pakicave tjera në Kosovë është për t'u përshendetuar, është model  mjaft i arsyeshëm e ideal që bie stabilitet e paqë jo vetëm në mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për tërë Ballkanin Perëndimor, nëse BE-ja është pajtuar me modelin e pakicave serbe të Kroacisë brenda kushtetutës dhe ligjeve kroate, pse mos të pajtohen edhe me modelin e njëjtë të pakicave serbe në Kosovë. Këtë model propozues të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, e përkrahu edhe Ministri i Diplomacisë së Kroacisë në Prishtinë, Goran Grliç Radman i cila tha se mund të ju shërbejë si shembull për Kosovën”, thotë Mehazi.

Sipas tij, nëse Kroacia në mes 600, 000 serbëve të "Kninska Republikës Serbe" promovon përmes Kushtetutës dhe ligjeve kroate të gjitha të drejtat e pamohueshme të pakicave, pse mos të realizohet ky model i mirë kroat edhe në Kosovë vetëm me 3-4% të pakicave serbe?!

“BE-ja e SHBA-ja si e qysh duhet ndalur politikën hegjeministe të Vuçiqit rreth e përqark Serbisë, apetitet hegjemoniste e okupuese serbe dhe gjatë shek. XXI nuk kanë të ndalur, pasi Serbia sot e kësaj dite është i vetmi shtet pa kufijtë e përcaktuar të saj për shkak idiotësisë politike hegjemoniste serbe”, pohon ai.

“Pra, modeli kroat i pakicave serbe është jashtëzakonisht i përshtatshëm jo vetëm për serbët, por edhe për qytetarët e të gjitha pakicave në Kosovë që bie paqë e stabilitet në mes dy shteteve fqinjë”, përfundon profesori Sulejman Mehazi.

Çfarë është modeli kroat?

Draft-vizioni, sipas Kurtit, do t’u ofronte pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë mundësi për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre përmes “kornizës së vetëmenaxhimit”, kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës, si dhe mundësi për t’u financuar nga Kosova dhe vende të tjera, përfshirë edhe Serbinë.

Ky dokument, gjithnjë sipas Kurtit, bazohet në modelin e Kroacisë për pakicat kombëtare, përkatësisht në modelin e Këshillit Kombëtar të Serbëve në Kroaci (SNV).

Siç shkruan në ueb-faqen e tij zyrtare, ky këshill “është një person juridik jofitimprurës”. Ai ka vulën dhe simbolet e veta, të cilat janë krijuar në përputhje me Ligjin Kushtetues Kroat për të Drejtat e Pakicave Kombëtare. Gjithashtu ka kryesinë, kuvendin, bordin mbikëqyrës, presidentin dhe këshillin.

Disa nga qëllimet e Këshillit Kombëtar të Serbëve në Kroaci përfshijnë: promovimin dhe realizimin e të drejtave në fushën e kulturës, arsimit, ekonomisë dhe interesave të tjera të serbëve, si dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar, kulturor, gjuhësor dhe fetar.

Statuti specifikon se ky këshill vepron në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtave dhe lirive fetare, të zhvillimit të komunitetit lokal, të zhvillimit të qëndrueshëm, të zhvillimit të zonave rurale dhe bujqësisë etj.

Ai bashkëpunon me institucionet shtetërore, qendrore dhe lokale, me organizata dhe institucione qeveritare dhe joqeveritare, si dhe me organizata ndërkombëtare.

Anëtarë të këtij këshilli janë përfaqësues të pakicës kombëtare serbe. Ai financohet nga buxheti kroat, por edhe nga mjetet e marra nga organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, donacionet, të hyrat vetanake, fondet e BE-së dhe aranzhime të tjera që janë në përputhje me ligjin kroat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat