“Serbia mund të ketë kurdisur ‘bombë’!”, vjen paralajmërimi për Kurtin – mirëpritet modeli kroat i Asociacionit

Politika

“Serbia mund të ketë kurdisur ‘bombë’!”, vjen paralajmërimi për Kurtin – mirëpritet modeli kroat i Asociacionit

Arife Morina Nga Arife Morina Më 12 maj 2023 Në ora: 10:06
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Së fundi, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se për të krijuar një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, do të shtyjë përpara një model kroat për pakicat kombëtare. 

Ky “nivel i vetëmenaxhimit” parashihet me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër, më 19 mars, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paraqiti “draft-vizionin” e tij për këtë qëllim gjatë një takimi që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel. 

Draft-vizioni erdhi si përgjigje ndaj një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Kurti e refuzoi, duke thënë se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. 

Draft-vizioni, sipas të parit të qeverisë, do t’u ofronte pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë mundësi për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre përmes “kornizës së vetëmenaxhimit”, kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës, si dhe mundësi për t’u financuar nga Kosova dhe vende të tjera, përfshirë edhe Serbinë. 

Ky dokument, bazohet në modelin e Kroacisë për pakicat kombëtare, përkatësisht në modelin e Këshillit Kombëtar të Serbëve në Kroaci (SNV). 

Siç shkruhet në ueb-faqen zyrtare të kryeministrit, ky këshill “është një person juridik jofitimprurës”. Ai ka vulën dhe simbolet e veta, të cilat janë krijuar në përputhje me Ligjin Kushtetues Kroat për të Drejtat e Pakicave Kombëtare. Gjithashtu ka kryesinë, kuvendin, bordin mbikëqyrës, presidentin dhe këshillin. 

Për gazetën “Bota sot”, Nasfuf Bejta dhe Leon Duhanaj komentuan modelin kroat të Asocaicionit dhe se në çfarë mënyre mund të pranohej ai. 

Bejta: Një asociacion pa kompetenca ekzekutive me garanca ndërkombëtare serbët e Kosovës kanë mundur ta kërkojnë para lufte 

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli deputeti i Kuvendit nga Lista Guxo, Nasuf Bejta. 

Fillimisht ai u shpreh se është kundër çdo forme të Asociaiconit apo vetmenaxhimit. 

Ai tha se ky është qëndrim i tij personal dhe bazohet në disa pika të ndryshme, e një nga ato është fakti se Kosova i trajton pakicat më së miri në Evropë. 

“Nëse kërkoni mendimin tim personal lidhur me asociacionin (zajednicën, vetmenaxhim...) unë jam deklaruar për asnjërën formë. Kur e them këtë (mendim personal) kam parasysh disa fakte relevante: 

1) Nuk ka nevojë për kurrëfar asociacioni në Kosovë sepse vendi ynë është vendi që më së miri në Europë i trajton pakicat kombëtare. Le të del një ekspert, njohës i mirë ndërkombëtar i këtyre të drejtave e të më demantoj. 

2) Nëse do të jemi pjesë e mekanizmave ndërkombëtare, për mosrespektim të të drejtave të pakicave mbajmë përgjegjësi dhe do të pasonin sanksione ndaj nesh, prandaj këtu qëndron garanca dhe siguria për pakicat(faktori ndërkombëtar)”, deklaroi ai. 

Image
Nasuf Bejta

Krahas kësaj, Bejta tha se duhet të merret parasysh edhe urrejta patologjike që serbët kanë ndaj Kosovës dhe shqiptarët, për këtë edhe nuk duhet pranuar asnjë Asocaicion. 

“3)A thua pse serbët nuk po mund të pajtohen të jetojnë me të tjerët në harmoni dhe respekt të ndërsjellët (nuk bënë për ta: slloveni, kroati, boshnjaku, shqiptari, maqedoni, malazezi....). Të gjithë të padrejtë e veç këta të mirë e të drejtë-absurd i llojit të vet. Në gjak e kanë hegjemoninë ndaj të tjerëve. 

4) Kur të merret parasysh edhe urrejtja patologjike ndaj shqiptarëve atëherë mendimi im personal është se nuk duhet të pajtohemi me kurrëfarë asociacioni. Gjithashtu, mendoj se një asociacion pa kompetenca ekzekutive me garanca ndërkombëtare serbët e Kosovës kanë mundur ta kërkojnë para lufte (qëndrimi paqësor vetëm që mos të ketë luftë e problemet të zgjidhen me dialog demokratik e përmbajtësor për të gjithë), mirëpo meqë lufta ndodhi me fajin e Serbisë, ajo (lufta) e ka definuar gjithçka sa u takon raporteve me Serbinë. Mendoj se dialogu është dashur të bëhet rreth normalizimit të raporteve si fqinj natyral, kuptohet me disa kushte nga pala jonë. Asnjë vend i botës nuk është çliruar plotësisht pa mbështetjen dhe përkrahjen e vendeve tjera. Trysnia për asociacion është e pakuptimtë dhe është edhe një ledhatim për Serbinë që po di me paraqitë veten si viktimë, e për çudi disa sikur edhe po i besojnë”, potencoi deputeti i Listës Guxo. 

Ndët të tjera, ai përmendi edhe presionin që po e bëjnë ndërkombëtarët për formimin e Asociacionit, ku beson që kryeministri Kurti do ta parandalojë ndonjë ‘bombë’ të kurdisur nga shteti serb. 

“5) Meqë jemi ardhur në një pozitë ku të gjitha vendet me ndikim po kërkojnë formimin e një asociacioni për serbët e Kosovës, atëherë kam shpresë tek kryeministri Kurti që me mençurinë e tij dhe ekspertëve rreth veti do ta bëjë më të mirën e mundshme në mënyrë që mos të jetë kjo një bombë e kurdisur e përkrahur nga Serbia dhe aleatët e saj që do të ishte me fatalitet për vendin tonë. 

6)Serbia nuk do të ndalet vetëm me kaq sepse synimi i saj është ndarja e Kosovës. E për të gjithë akterët e skenës politike që ndikuan me ardhë e me u ballafaquar me këtë të keqe të madhe për vendin kërkimfalja dhe distancimi do të ishte akt moral e kombëtar, por për fat të keq kjo e keqe sikur vazhdon të ketë mbështetës. Dhe në fund, nëse pasuritë e pjesës veriore (të vlerësuar nga ekspertët vendor e ndërkombëtarë) kalojnë vlerën e disa trilona dollarëve, atëherë çdokush mund ta kuptoj kërkesën serbe për këtë sajesë ogurzezë. Kjo nuk do të ndodhë me kurrëfarë çmimi se pastaj do të zbehej edhe lufta jonë për çlirimin përfundimtar nga Serbia”, përfundoi Nasuf Bejta për “Bota sot”. 

Duhanaj: Mendoj që fokusi qeveritar e jo vetëm, duhet të jetë statute dhe të mos lejohet të levizë nga fryma kushtetuese e Kosovës, 

Kurse, analisti politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se çështja e Asociacionit do të zgjidhje shumë më herët, nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk do e shfrytëzonte për poena elektorale. 

 “Çështja e asociacionit, ndoshta edhe do të zgjidhej shumë me lehtë, nëse nuk do të shfrytëzohej nga VV për agjenda elektorale. Ajo është derivat i planit Ahtisari, pastaj u bë pjesë e marrëveshjeve 2013 dhe 2015 ku Kosova ka marrë obligime ndërkombëtare për ta themeluar. 

Është për t'u theksuar dhe për habi, se si të gjitha ato kundërshtime që u bënë nga VV, u fokusuan në marrëveshjen mbi parimet, përkatësisht në pikat që u cilësuan jo në harmoni me frymën kushtetuese, duke i ngritur akuzat deri për tradhti kombëtare. Por, asnjëherë, askush nuk u mor me faktin se, pikërisht në ketë marrëveshje është vendosur nënshkrimi i Vuçiq, ku eksplicit thuhet se çdo draft statut mbi asociacionin, duhet t'i nënshtrohet kontrollit të kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës. Me ketë akt nënshkrimi, Vuçiq e ka çarmatosur juridikisht çdo mundësi për të nxjerrë ndonjë pushtet paralel”, deklaroi ai. 

Image
Leon Duhanaj

Duhanaj përmendi edhe draftin e Serbisë dhe komentoi edhe veprimet e Kurtit. 

“Fatkeqësisht VV me përkrahësit e saj, e zgjodhën të kundërtën, dhe pasi erdhën në pushtet, sabotuan aq sa munden derisa u bënë shkaktar të dezintegrimit total të serbeve. Si pasojë e këtij dezintegrimi, Serbisë iu rrit çmimi negociues pasi që më nuk flitej për integrim, por për pamundësinë e bashkëjetesës, gjë që për Serbinë ishte e mirëseardhur. 

Tani pas dy vjetësh në Qeveri, zotit Kurti i ra ndërmend vetëm dy ditë para se të prezantohej draft statuti që ta kontaktoj grupin punues gjë që ishte shumë vonë, dhe Serbia arriti që ta pasojë një draft me kerkesa maksimaliste. Ata edhe pse e dinë që nuk u kalon, e dinë që do të përdorët si dokument bazë dhe si i tillë do ta rrisë çmimin e kërkesave serbe dhe Kosovës do t'i rrisë nivelin e kompromisit”, nënvizoi analisti. 

Mirëpo, ai mirëpritit modelin e propozuar kroat, duke potencuar se fokusi të jetë që çdo ndryshim të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. 

“Për fat të keq, të gjitha këto degradime po i bëhen Kosovës nga vetë Qeveria Kurti, gjithnjë nën slloganin e nacionalizmit dhe "patriotizmit". Edhe me fatkeqësi është se askush s'po arrinë ta kuptojë sakt kauzën antikosovë të kësaj kaste, e që për fat të keq tashmë edhe po qeverisë me vendin. 

Modelet, të cilat janë duke u propozuar në tavolinë, e edhe ai kroat, mund të përdorën si të tilla, por baza e operimit do të përcaktohet me statutin e këtij asociacioni, e që për fat të keq, aty nuk i kemi puntë mirë. Në ketë kontekst, mendoj që fokusi qeveritar e jo vetëm, duhet të jetë statute dhe të mos lejohet të levizë nga fryma kushtetuese e Kosovës, sepse nëse kjo ndodhë, atëherë shteti do të shkojë drejtë zhberjes përfundimtare duke e realizuar planin pansllavist në përpikëri”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat