“Lajçak ka dozë të vogël të njëanshmërisë ndaj serbëve”, deputeti i AAK-së komenton vizitën e emisarit të BE-së

Politika

“Lajçak ka dozë të vogël të njëanshmërisë ndaj serbëve”, deputeti i AAK-së komenton vizitën e emisarit të BE-së

Nga: Naile Ejupi Më: 12 maj 2023 Në ora: 14:11
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, të enjten ka vizituar Mitrovicën dhe pas takimit me kryetarin e saj, Bedri Hamza, ka shkuar në pjesën veriore.

Lajçak shkoi në Veri duke kaluar mbi Urën e Ibrit në këmbë, derisa për rihapjen e saj tha se duhet të jetë pjesë e dialogut.

“Ura e Mitrovicës ka qenë pjesë e dialogut prandaj unë mendon që vendimi për hapjen duhet të merret në dialog. Gjithçka është në dorën e dy palëve. Unë dua që hapja e urës të jetë kontribut për stabilitet”, tha ai.

Ndryshe, Lajçak për çështjen e Urës së Ibrit kishte folur edhe në fund të muajit prill, pasi ishte bërë kërkesa e asamblistes që kjo Urë të hapet.

Ai kishte thënë se nuk është koha për këtë vendim.

“Ne ende po na u duhet të përballemi me këtë përditë. Teksa flasim, në Mitrovicë ka pasur kërkesë që të hapet ura [Ura e Ibrit]. Atmosfera, dukshëm, nuk është që të ndodh një gjë e tillë”, deklaroi Lajçak më 30 prill.

Duke folur rreth vizitës së Lajçak, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, thotë se një ndër problemet e sfidat e ndërtimit të shtetit të Kosovës ka qenë veriu dhe ura.

Sipas tij, Lajçak ka dozë të njëanshmërisë ndaj serbëve dhe kësisoj është mirë të mënjanohet.

“Lajçak duhet ta dijë që Ura e Ibrit është urë brenda shtetit të Kosovës, për të cilën mjaft jemi ndëshkuar si shtet e shoqëri. Kosovarët kanë pasur mjaft probleme dhe sfida në shtet ndërtim, e njëra prej tyre është veriu i Kosovës dhe kjo urë, ku mbi dy dekada kemi qenë të kufizuar për të kaluar e jetuar brenda shtetit tonë. Lajçak, ka një dozë të vogël të njëanshmërisë ndaj serbëve, dhe është mirë që të mënjanohet kjo, për shkak të rrethanave dhe proceseve të ndjeshme në mes të dy vendeve”, deklaron Lekaj.

Image
Pal Lekaj

Deputeti i AAK-së thotë se kryeministri ka mbështetjen e tyre për mbrojtjen e vendit, por sipas tij, Kurti po luan dy role.

“Në përgjithësi, mendoj që është koha që çdo ndalesë brenda dy Mitrovicave duhet të largohet dhe qytetarët e Kosovës duhet të lëvizin lirshëm brenda territorit të tyre. Kryeministri Kurti ka mbështetjen tonë, për të mbrojtur shtetin e Kosovës dhe marrëveshjen mes dy vendeve, ku ruhet Kosova e 17 shkurtit 2008. Por z. Kurti, fatkeqësisht, tani po luan dy role, rolin e pulës me ndërkombëtarët, dhe rolin e skifterit me qytetarët dhe spektrin politik. Pra, sa kemi parë deri tani, kryeministri nuk e ka dijen e negocimit me ndërkombëtarët dhe serbët, e po ashtu nuk e ka guximin politik për të kundërshtuar gjërat e gabuara dhe për të marrë vendime në të mirë të vendit”, shprehet Lekaj.

Ndërsa, duke folur rreth asociacionit dhe draft statutit të tij, Lekaj, shprehet se AAK është për një asociacion që nuk cenohet e drejta dhe integriteti.

“Ne si AAK jemi për marrëveshje dhe një asociacion ku nuk cenohen e drejta dhe integriteti i shtetësisë tonë. Çdo gjë që del jashtë kësaj, ne e kemi kundërshtuar dhe do ta kundërshtojmë, me çfarëdo mjeti demokratik”, përfundon Lekaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat