Kosova 24 vjet pas çlirimit, analistët tregojnë arritjet dhe sfidat!

Politika

Kosova 24 vjet pas çlirimit, analistët tregojnë arritjet dhe sfidat!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 13 qershor 2023 Në ora: 19:21
Dita e Clirimit

Më 12 qershor u shënua 24-vjetori i Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në vendin tonë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. 

Në këtë ditë kaq të rëndësishme nuk kanë munguar edhe fjalët e liderëve të shtetit. 

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti, vendosën kurora me lule nëpër disa lokacione në Prishtinë gjatë kësaj dite, duke nderuar figurat politike, aktivistët dhe ushtarët e rënë të NATO-s në Kosovë. 

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në shtetndërtimin e vendit. 

Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova. 

Ndërsa tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999. 

Por si mund të themi që  është Kosova pas 24 vjetëve të çlirimit të Kosovës, a kemi bërë aq sa duhet për shtetin tonë? 

Ahmeti: Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm në disa fusha 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti. 

Ai u shpreh se Kosova ka ende punë për të bërë në shumë fusha mirëpo që t’i jetësoj ëndrrat e saj, Kosova duhet të punoj shumë. 

“Progresi i shtetit të Kosovës nuk mund të kontestohet në asnjë mënyrë, por nëse shtrohet pyetja në një kontekst tjetër atëherë mund të konstatohet se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm në disa fusha. Përkujtimi brenda vetës ngërthen një mori arsye për të përkujtuar historinë e lavdishme të popullit të Kosovës, por brenda vetës ka edhe një mesazh të qartë se përfaqësuesit institucional, por edhe populli i Kosovës duhet të punoj shumë për të jetësuar ëndrrat e atyre që kanë sakrifikuar me gjithë qenien e tyre”, u shpreh ai. 

Image
Hidajet Ahmeti

Më tej, analisti thekson që nëse vazhdohet me logjiken e njëjtë qeverisës të pas luftës, shteti i Kosovës do humb besimin nga shoqëria për një të ardhme më të mirë. 

“Nëse vazhdohet me logjiken e njëjtë qeverisës të pas luftës, shteti i Kosovës do humb besimin nga shoqëria për një të ardhme më të mirë, pasi mundësia për një jetë më të mirë çdo ditë e më shumë po zbehët”, theksoi Ahmeti për “Bota sot”. 

Mehmeti: Çlirimi vërtet erdhi më 12 qershor, fal politikanëve tanë me kalimin e viteve u zbeh ky çlirim 

Ndërsa analisti politik Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë Kosova është tkurrur edhe gjografikisht edhe me poullësi, nuk është liria dh që kemi ëndërruar. 

“Çlirimi vërtet erdhi më 12 qershor, fal politikanëve tanë me kalimin e viteve u zbeh ky çlirim, me situatën që erdhi deri aty sa u vu në pikëpyetje shtetësia dhe integriteti i vendit. Është bërë shumë pak për të jetësuar ëndrrën, për t'i dhënë kuptim lirisë, gjë që s’ka ndodh, andaj edhe kjo festë është e zbehtë si kurrë më parë. Kosova është tkurrur edhe gjografikisht edhe me popullsi, nuk është liria dh që kemi ëndërruar”, potencoi analisti. 

Image
Faton Mehmeti

Në fund, Mehmeti nënvizoi që Kosova 24 vjet pas është si mos më keq, me popull deri diku 30 % më pak, me territor më pak për 820 hektërë, dhe me Asociacionin që po troket në derë. 

“Është dashur të punohet më shumë në ekonomi, në punësim, në pavarësi të gjykatave dhe arsim, shëndetësi më të mirë, këto s’kanë ndodh dhe fatkeqësisht të rinjtë kanë ikur dhe po ikin çdo ditë. Kosova 24 vjet pas është si mos më keq, me popull deri diku 30 % më pak, me territor më pak për 820 hektarë, dhe me Asociacionin që po troket në derë”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat