“Albin Kurti po i kundërvihet projektit të trekëndëshit”/ Bytyçi tregon planin Soros-Rama-Vuçiq për Kosovën

Politika

“Albin Kurti po i kundërvihet projektit të trekëndëshit”/ Bytyçi tregon planin Soros-Rama-Vuçiq për Kosovën

Nga: P.Rudi Më: 14 qershor 2023 Në ora: 21:34
Soros-Rama-Vuçiq

Ishte paraparë që të mbahej sot në Gjakovë, por mbledhja e dy qeverive shqiptare dështoi që të mbahej, pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama anuloi pjesëmarrjen për shkak të gjendjes së krijuar në veri të Kosovës dhe tensionet me Serbinë, si dhe raportet që kryeministri Kurti ka tani me bashkësinë ndërkombëtare.

Nga qeveria e Kosovës lidhur me dështimin e mbledhjes së dy qeverive shqiptare, thanë se është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme.

E dështimin e takimit të dy qeverive e kishte parashikuar edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

“Para tri ditësh në një reagim ndaj një statusi të mikut tim, zotit Koliqi, i cili thoshte se e pret me shqetësim mbledhjen e dy qeverive në Gjakovë, shtrova pyetjen: “Po sikur të mos mbahet kjo mbledhje”?! Ndërsa dje mbas dite kur pashë se Kurti u deklarua për draft-statutin e të ashtuquajtur Asociacion të Komunave Serbe në Kosovë, u binda se mbledhja do të anulohej. Përmenda këto dy fakte se nuk është vështirë të dallosh se çfarë projekton Edi Rama në mendjen e tij. Ai donte ta bënte mbledhjen e dy qeverive në Gjakovë, për t’u shfaqur si “patriot” nën parullat patriotike të për bashkimit, pavarësisht se vetë zoti Rama e ka përçarë politikën shqiptare si askush tjetër”, thotë Bytyçi, sipas të cilit, Edi Rama në vazhdimësi punon për ta zhbërë shtetin e Kosovës.

Image
Enver Bytyçi

“Edi Rama është si Penelopa – atë që qep ditën e shqep natën, në pritje të mrekullisë së tij për ta ndryshuar hartën e Kosovës në favor të Serbisë dhe kësisoj edhe për ta zhbërë shtetin e Kosovës. Do vinte në Gjakovë për t’i bindur disa injorantë se “Edi Rama është kalorësi i patriotizmit”, ndërkohë që me Sorosin dhe Vuçiqin punojnë pa ndërprerë për ta zhbërë Kosovën”. Shqiptarët do të duhej ta kishin njohur me kohë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën. Duhej tashmë të ishin bindur plotësisht dhe thellësisht se ai është bërë palë me Serbinë kundër Kosovës. Prandaj dhe zoti Kurti i tha që atë Asociacionin, të cilin Serbia e dëshiron për Kosovën ta çojë në Luginën e Preshevës. Por nuk e çon dot, se këtë projekt të Ramës për asociacionin në Kosovë nuk e do Serbia për shqiptarët në Luginë. Është i dëmshëm për Serbinë nëse e merr si model Lugina, ndërkohë është i dobishëm për Serbinë, nëse implementohet nga Kosova”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas Bytyçit, me vendimin e tij, Edi Rama i vendosi sanksione shtetit të Kosovës.

“Kryeministri i Shqipërisë e lajmëroi anulimin e mbledhjes në Gjakovë të të dy qeverive, duke thënë se “Nuk dëshiron ta bëjë këtë në kushtet kur Kosova është nën presionin e aleatëve perëndimorë dhe kërcënohet me sanksione”! Ndërkaq bëri të kundërtën para më shumë se një viti, kur Serbia nuk pranoi të vendoste sanksione kundër Rusisë. Asokohe, ne e dimë, zoti Rama mbajti një fjalim patetik në mbrojtje të Serbisë dhe presidentit të saj në Këshillin e Atlantikut Verior. Tha se “nuk duhet detyruar Serbia të vendosë sanksione kundër Rusisë, sepse ajo ka një histori dhe një kulturë që I lidh me rusët”! Ai i shpalli i pari sanksionet kundër Kosovës. Praktikisht anulimi i mbledhjes është një lloj refuzimi. Nëse i shohim masat e BE-së të njoftuara nga Radio Evropa e Lirë për Kosovën, janë të të njëjtit format ne këtë që bëri Edi Rama. Pra është ulje e nivelit të komunikimit, vizitave dhe marrëdhënieve. Rama hodhi I pari hapin e sanksioneve kundër Kosovës”, shpjegon Bytyçi.

Më tej, Bytyçi deklaron se Edi Rama është rreshtuar në krah të Serbisë dhe në mbështetje të ndarjes së Kosovës.

“Nuk i kërkoi BE-së dhe SHBA-ve që të mos vendosin masa kufizuese ndaj saj, siç u kërkoi në ndihmë të Serbisë. Kjo do të thotë se Rama është palë me Serbinë dhe nuk mund të jetë ndryshe, derisa ai mbështet projektin e Sorosit dhe Aleksandër Vuçiq për ndarjen e Kosovës dhe marrjen e minierave të Trepçës e të Ujmanit nga ana e Serbisë. Pra nuk kemi të bëjmë këtu me ndonjë “shqetësim” të Edi Ramës për fatin e Kosovës. Kjo është alibia e tij. Është iluzion ta besosh këtë”, nënvizon Bytyçi.

Ai thotë se kryeministri, Albin Kurti po i kundërvihet projektit Soros-Rama-Vuçiq.

“Kemi të bëjmë me faktin se Kurti po i kundërvihet projektit të trekëndëshit Soros-Rama-Vuçiq për ndarjen e Kosovës. Dhe Sorosi është përzgjedh në këtë treshe pikërisht për lobimin te aktorët perëndimorë, që ata të pajtohen me këtë projekt. Pse Britania e Madhe nuk është përfshirë në këtë lojë? Sepse në Britani Soros është i padëshirueshëm politikisht. Sepse atje Sorosi ka pak ose aspak ndikim. Pse edhe Italia gjithashtu është skeptike. Për të njëjtën arsye. Sepse qeveria Meloni është pak ose aspak e ndikuar nga Sorosizmi. Pse Departamenti i Mbrojtjes dhe republikanët në senatin Amerikan janë të rezervuar në projekte të tilla? Sepse aty ka më pak ndikim George Soros”, shton profesor Bytyçi.

“Disa tallen me opinionin publik kur thonë pajtimi I Kosovës me këtë plan diktohet nga lufta në Ukrainë. Është thjesht gogol lufta midis Rusisë dhe Ukrainës. Jo se Rusia nuk dëshiron të ketë një konflikt të ri në Ballkan. Por se bashkësia perëndimorë, pot ë ishte në një mendje, e kishte zgjidhur me kohë konfliktin midis Kosovës e Serbisë. Nuk është në një mendje, sepse Sorosi kërkon ta administrojë Trepçën. Ky është problem. Strumbullari i të gjithë konfliktit është Aleksa e George Soros, ndërkohë që na shitet “rreziku i një vatre të re konflikti”!”, potencon Bytyçi.

Për fund, Bytyçi kritikon qasjen e analistëve dhe shumë gazetarëve, të cilët i thuren elozhe Ramës pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive shqiptare.

“Dhe ne e dimë. Edi Rama mund të distancohet nga Kosova. Madje edhe nga Shqipëria e familja e tij, por kurrë jo nga Soros dhe Aleksandër Vuçiq! Albin Kurtin ai nuk e ka për gjë ta hedhë në greminë, mjafton të qëndrojë në pushtet bashkë me autokratin tjetër në Beograd. Megjithatë Baton Haxhiu e Berat Buzhala u bënë bashkë, duke ngrit lart gjestin e Edi Ramës për anulimin e kësaj mbledhjeje. Me dhjetëra analistë pushtuan mbrëmë ekranet televizive në Tiranë dhe në Prishtinë për t’i thur elozhe kryeministrit të Shqipërisë, bashkëpunëtorit të ngushtë të presidentit të Serbisë! Por të kundërshtosh planet e Sorosit, të Ramës dhe Vuçiq nuk është anti-amerikanizëm, siç duan të thonë disa. DASH në SHBA mund të vendosë masa kufizuese për Kosovën e liderishpin e saj. Por përsëri nuk mendoj se DASH përfaqëson plotësisht Amerikën. Më shumë përfaqëson Sorosin sesa Amerikën. E nëse më thotë dikush se “Amerika është vetë Sorosi”, atëherë një Amerikë të tillë ka të drejtë gjithkush ta dojë ose të mos e dojë! Por nuk besoj se është kjo!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat