Zbardhet prapaskena e Edi Ramës: Plani, motivi dhe synimi për ndarjen e Kosovës

Politika

Zbardhet prapaskena e Edi Ramës: Plani, motivi dhe synimi për ndarjen e Kosovës

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 27 qershor 2023 Në ora: 19:57
Edi Rama dhe Albin Kurti

Duke marr parasysh situatën e krijuar mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndërprerjen e dialogut mes dy vendeve, të hënën që shkoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencë shtypi me presidentin e Këshillit të Evropës në Bruksel, deklaroi se ai mbështet dhe madje kërkon me ngulm që të organizohet një konferencë ndërkombëtare për Kosovën.

Sipas Ramës, duhet të kyçen brenda kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, derisa ata të gjejnë një zgjidhje për konfliktin midis tyre.

Por këtë kërkesë të Edi Ramës po e kundërshton fuqishëm profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

“Them për konflikt midis këtyre dy liderëve përkatës të secilit vend, sepse sipas Ramës, nuk është Serbia ajo që bën agresion çdo ditë kundër Kosovës, por janë Kurti dhe Vuçiq ata që tensionojnë situatën për qëllime elektorale. Kjo është e vërtetë, por tensionet midis Kosovës dhe Serbisë gjatë gjithë historisë 200 vjeçare janë shkaktuar për shkak të etno-centrimit nacionalist të Serbisë e të serbëve, pra edhe atëherë kur nuk kanë ekzistuar liderët e politikanët e sotëm. Rama, kësisoj propozon konferencë ndërkombëtare për Kosovën. Kjo nuk është konferencë ndërkombëtare për Serbinë, por për Kosovën”, shprehet Bytyçi, sipas të cilit, në këtë konferencë do të diskutohej statusi dhe territori i shtetit të Kosovës.

Image
Enver Bytyçi

“Çka do të thotë se në këtë rast do të diskutohet statusi dhe territori i Kosovës. Gjithnjë në raport me Serbinë. Pra, Rama synon që ta “bëjë paqen ballkanike”, duke vënë si bast pasuritë, territorin, ose statusin e Kosovës. Kjo manovër e tij është në fakt ide e presidentit të Serbisë, është uudhëzues që atij i vjen nga Beogradi”, deklaron Bytyçi.

Ai thotë se të njëjtën gjë si Rama, e kishte kërkuar edhe Ivica Daçiq në vitin 2018, i cili në atë kohë ishte Ministër i Jashtëm i Serbisë.

“Në vitin 2018 ish-ministri i Jashtëm, sërishmi sot ministër i Jashtëm, Ivica Daçiq ka kërkuar zyrtarisht që për Kosovën dhe zgjidhjen e konfliktit me Serbinë të organizohej një konferencë ndërkombëtare. Të njëjtin propozim po bën Edi Rama. Më thoni ju lutem: - Nëse një kryeministër shqiptar kërkon sot pas 5 vitesh të njëjtën gjë sikurse e kishte kërkuar më parë Serbia, kujt i shërben kjo kërkesë?! Por shtrohen edhe disa pyetje të tjera: - Pse duhet Edi Rama të kërkojë konferencë ndërkombëtare për Kosovën?! Cili është motivi i tij? Ai thotë se konflikti midis Kosovës e Serbisë dhe stabiliteti në veri të Kosovës është interes jetik edhe për Shqipërinë dhe rajonin. Sipas kësaj logjike, në emër të b.thës së rehatshme të Edi Ramës Kosova ose duhet të heqë dorë nga pavarësia, ose nga integriteti territorial dhe sovraniteti i institucioneve të shtetit në të gjithë territorin e saj”, shpjegon Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, kjo sjellje dhe ky qëndrim politik i kryeministrit të Shqipërisë duhet kundërshtuar me të gjithë forcën.

“Në fund të fundit ne na bën ta kundërshtojmë këtë kërkesë të zotit Rama edhe fakti se Kosova nuk e kërkon një konferencë si kjo. Arsyetimi pse Kosova nuk është e interesuar për këtë lloj konference ka të bëjë me faktin se aty diskutimi nis nga e para. Se zhvleftësohen të gjitha arritjet e derisotme të Kosovës në rrugën e ndërtimit të shtetit dhe institucioneve të tij. Sepse zhbëhet ose pavarësia, ose territori. Por Edi Rama ia ka vënë syrin territorit. Është projekt serbo-soros-ramoviç”, nënvizon Bytyçi.

Më tej, Bytyçi thekson se Rama, Vuçiq e Soros po përpunojnë taktika të reja, të cilat qëllim kryesor e kanë ndarjen e Kosovës.

“Për këtë arsye ai po përdor të gjitha aftësitë e tij të mbrapshta për ta futur procesin në linjën që dëshiron. Kjo gjë po ndodh edhe për një arsye madhore. Kam shkruar e kam thënë vazhdimisht se në veri të Kosovës përballen dy palë me të njëjtin synim, kontrollin e territorit. Ajo që po ndodh tani po ndryshon ekuilibrat në favor të institucioneve të Kosovës sa i përket këtij kontrolli. Kjo do të thotë dështim i projektit të ndarjes së Kosovës. Atëherë Vuçiq, Rama dhe Soros po përpunojnë taktika të reja për të mos heq dorë nga synimi i ndarjes. Konferenca ndërkombëtare është më e suksesshmja për këtë”, shprehet Bytyçi.

“Do të ishte dhe asociacioni mjet e ndarjes së mëvonshme. Jo më kot u hoq nga diskursi i ndërkombëtarëve njohja reciproke. Sa pari, thanë të stabilizojmë marrëdhëniet e për këtë kërkojnë me ngulm asociacion. Asociacioni më vonë do të këmbehet me ndarjen e Kosovës, gjithnjë në momentin e njohjes. Duke mos e njohur juridikisht Serbia do ta përdorë asociacionin për ndarjen e Kosovës në këmbim të njohjes së mëvonshme”, shton Enver Bytyçi.

Sipas profesor Bytyçit, këtë e dinë edhe ata ndërkombëtarë që kanë hartuar projektin e asociacionit.

“Por ka ndërkombëtarë të tjerë perëndimorë që janë kundër këtij projekti. Britania e Madhe p.sh. Pse Edi Rama e ka forcuar diskursin e tij kundër Britanisë së Madhe?! Vërtet beson dikush se ka hallin e emigrantëve shqiptarë në këtë vend?! Jooo! Sepse Britania e Madhe është kundër ndarjes së Kosovës. Konferenca ndërkombëtare i shërben këtij qëllimi”.

“Për këtë arsye nuk pres që të zhvillohet ndonjë konferencë e tillë. Kjo për arsye se zoti Rama gjeti një president OJQ-je për ta diskutuar si opsion, pra nuk e priti as Borrelli që të hidhej në treg një ide e tillë. Nga ana tjetër, konferencë ndërkombëtare pa Britaninë e Madhe dhe Turqinë për Kosovën e Ballkanin nuk do të ketë. Aq më tepër që kryeministri shqiptar e sheh këtë konferencë në kuadër të NATO-s. Të dyja këto vende e kuptojnë fare mirë se cilat janë qëllimet e mbrapshta të Sorosit, Ramës dhe Vuçiq”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat