Instituti për Krime Lufte në Kosovë, mësohet si mund të jetë funksional dhe i suksesshëm

Politika

Instituti për Krime Lufte në Kosovë, mësohet si mund të jetë funksional dhe i suksesshëm

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 25 korrik 2023 Në ora: 21:11
Foto ilustrim

Kuvendi i Kosovës në lexim të dytë ka miratuar ditë më parë Ligjin për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Instituti do të ketë kompetenca dhe përgjegjësi në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës nga aspekti historik, ushtarak, ekonomik, juridik, ekologjik, kulturor, psikologjik, mjeko- ligjor dhe sociologjik përfshirë aspektet tjera me rëndësi për shqyrtimin e këtyre ngjarjeve. Ky institut pritet të dokumentojë krimet e kryera gjatë luftës duke siguruar edhe të dhëna të humbjeve në njerëz, dëmeve fizike dhe shpirtërore apo psikologjike, dëmeve ekonomike apo materiale, dëmeve në ambient, pronës kulturore dhe llojet e tjera të dëmeve të shkaktuara nga krimet e kryera gjatë luftës

Instituti do të hulumtojë dhe dokumentojë rrethanat, në të cilat janë kryer krimet gjatë luftës duke bërë grumbullimin, verifikimin, sistemimin dhe ruajtjen e të dhënave, si dhe siguron qasjen publike për viktimat dhe palët e interesuara në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Blakaj: Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe me shoqërinë civile është i domosdoshëm

Image
Bekim Blakaj

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, thotë se edhe pse Instituti është themeluar 24 vite pas përfundimit të luftës, ka ende mundësi që ai të kryejë punë të rëndësishme.

Sipas tij, duhet të ndahet buxhet i mjaftueshëm për Institutin dhe të ketë bashkëpunim ndër institucional edhe me shoqërinë civile, sepse kështu mund të jetë funksional dhe të ketë sukses.

“Edhe pse Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës është themeluar 24 vite pas përfundimit të luftës ende ka mundësi që ai të kryejë një punë të rëndësishme e cila duhet medoemos të bëhet në mënyrë që të regjistrohet në mënyrë të saktë historia e dhimbshme e luftës. Për të përmbushur misionin e vet Instituti duhet të përkrahet me të gjitha resurset nga ana e qeverisë. Duhet të ndahet buxhet i mjaftueshëm për Institutin, të sigurohen hapësira të përshtatshme dhe pajisje moderne për punë dhe të rekrutohen numër i mjaftueshëm dhe profesional i stafit, të cilët duhen të kenë trajnime shtesë. Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe me shoqërinë civile është i domosdoshëm. Vetëm në këtë mënyrë Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës mund të jetë funksional dhe të ketë sukses”, shprehet Blakaj për “Bota sot”.

Një Institut për hulumtimin e krimeve të luftës kishte ekzistuar edhe në të kaluarën.

Ai fillimisht ishte krijuar në vitin 2011, por nuk kishte funksionuar siç duhet dhe ishte mbyllur në vitin 2018, kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj.

Një institut i tillë ka ekzistuar në të kaluarën, atë e pati formuar Qeveria e Kosovës gjithashtu. Ai kishte publikuar tetë libra për vrasjet, për personat e pagjetur, për gjenocidin serb si dhe për shkatërrimin e monumenteve dhe pronave të shqiptarëve.

Mbyllja apo shuarja e atij instituti ishte bërë me arsyen se zyrtarët që punuan aty nuk patën rezultate, edhe pse të njëjtit ishin ankuar për mungesë të stafit e fondeve, si dhe mbështetjes shtetërore. Pas shuarjes së institutit, disa përgjegjësi janë bartur në Departamentin për Drejtësi Tranzicionale dhe Mbështetje të Viktimave të Krimit.

Blakaj Institutin e konsideron hap të vonshëm, por megjithatë kërkon përkrahje.

Sipas tij, deri më tani përpjekjet për dokumentimin e krimeve të luftës kanë qenë vetëm nga ana e organizatave të shoqërisë civile, prandaj ky dokumentim nuk është i mjaftueshëm.

“Pa dyshim se nisma për themelimin e Institutit është hap shumë i vonshëm, mirëpo, megjithatë, duhet të përshëndetet dhe të përkrahet, pa marrë parasysh se mund të ndodhë që dokumente apo dëshmi të shumta për krimet e luftës mund të jenë zhdukur përgjithmonë për shkak të kohës së kaluar nga periudha e luftës. Deri më tani përpjekje për dokumentimin e krimeve të luftës janë vetëm nga ana e organizatave të shoqërisë civile. Ky dokumentim nuk është i mjaftueshëm sepse nuk është gjithëpërfshirës dhe është i shpërndarë në arkivat e organizatave të ndryshme. Prandaj, është e rëndësishme që Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës të krijojë një data bazë qendrore ku do duhej të arkivohet të gjitha dokumentet, deklaratat dhe provat e mbledhura”, deklaron Blakaj.

Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1998 – 1999, janë vrarë më shumë se 13.500 persona, 76 për qind e të cilëve besohet se kanë qenë civilë.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e rreth 1.600 personave të pagjetur.

Ndërsa, opozita thotë se qeveria Kurti e ka zvarritur procesin e Institutit.

Lekaj: Vendim i duhur

Image
Pal Lekaj

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, pohon se shpreson që Instituti të bëhet funksional edhe në praktikë.

“Ne si AAK, çdoherë kemi qenë zë i fuqishëm dhe kemi kërkuar që Serbia t’i kthejë Kosovës eshtrat e të zhdukurve në luftë, humbjet e shkaktuara në aspektin ekonomik si dhe të bëjë kërkim falje për të gjitha familjet dhe institucionet shtetërore të vendit tonë për krimet e bëra. Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe me shoqërinë civile është i domosdoshëm, dhe shpresojmë që të bëhet funksional edhe në praktik ky institut”, shprehet Lekaj.

Sipas tij, rrethanat politike në vend, armiqësia me Serbinë, ndërtimi i shtetit dhe gjendja e dobët ekonomike dhe sociale kanë ndikuar që vendi të çalojë nga pjesa e Institutit.

“ Ndonëse në këtë temë, Qeveria Kurti që është qeveri momentale, e ka zvarritur pak këtë proces, pasi ka shkelur të gjitha parimet dhe premtimet e ndjekura për vite, ku kanë thënë që ne nuk ulemi në tavolinë dhe nuk dialogojmë me Serbinë pa u përmbushur kushtet e cekura më lartë. Deri më sot, nuk kemi qëndruar mirë fatkeqësisht. Mendoj që rrethanat politike në vend, armiqësia me Serbinë, ndërtimi i shtetit tonë, si dhe gjendja e dobët ekonomike dhe sociale, kanë ndikuar që vendi ynë të çalojë nga pjesa e Institutit ku do të mblidhen të dhënat për krimet e luftës. Në raport me Serbinë, ne si subjekt politik përkrahim çdo ide, plan dhe veprim të shtetit tonë dhe të spektrit politik, ku Kosova triumfon mbi të drejtën që na takon”, shton deputeti i AAK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat