Klan Kosova si biznes në Serbi, analisti kërkon këtë gjë nga Qeveria

Politika

Klan Kosova si biznes në Serbi, analisti kërkon këtë gjë nga Qeveria

Nga: Naile Ejupi Më: 3 gusht 2023 Në ora: 12:41
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Klan Kosova - Foto ilustrim

Gjykata Komerciale ka nxjerrë një Aktvendim, përmes së cilit shtyn ekzekutimin e vendimeve të Qeverisë për pezullimin e licencës së biznesit, derisa të merret një vendim përfundimtar për këtë rast.

Klan Kosova ushtroi padi pas vendimit të Komisionit të Ankesave të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i cili konfirmoi marrjen e licencës së mediumit, më 28 korrik. Mediat raportuan se rastin mund ta merrnin dy gjyqtarë e njëra prej tyre ishte Vlora Pacolli, motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli. Por, në Aktvendimin e publikuar sot kuptohet se rastin e ka marrë gjyqtari tjetër, që është Arnis Dumani.

Në arsyetimin për këtë aktvendim është përmendur se Klan Kosova tashmë ka bërë ndryshimet në regjistrat e biznesit të saj, për shkak të të cilave Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve tha se po ia merrte licensën.

Gjithashtu, në Aktvendim përmendet veprimtaria e Klan Kosovës si medium, duke u vlerësuar se mos-shtyrja e vendimeve të kontestuara, deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës, do të ishte në kundërshtim me interesin publik.

“Gjykata po ashtu vlerëson faktin se paditësi e ushtron funksionin e ofruesit të shërbimeve mediale audiovizuale dhe përderisa vazhdimi i ushtrimit të njëjtit funksion nuk përbën shkelje të interesit publik, gjykata në këtë rast vlerëson se mos shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese do të ishte pikërisht në kundërshtim me interesin publik dhe garancioneve që përcaktohen në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë për lirinë e mediave”, thuhet në Aktvendim.

Në anën tjetër, për rastin e televizionit ka folur edhe analisti shqiptar në Preshevë, Refik Hasani, i cili pyet sesi është e mundur që një biznes në Serbi të regjistrohet me licencë të Republikës së Kosovës.

“Si mund një biznes në Serbi të regjistrohet me licencë të Republikës së Kosovës? Në Kosovë, doli të jetë e vërtetë që disa biznese, janë ende me emërtime ,si: Peç, Urosevac, Gnjillane, Đakovica, dhe që këto janë e i përkasin Republikës së Serbisë!? Atëherë, nëse në Republikën e Serbisë lejohet një biznes në Serbi të regjistrohet me licencë Republikë së Kosovës, duke shënuar Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, Vranjë, Leskoc, deri te Molla e Kuqe”, shprehet Hasani.

Image
Refik Hasani

Ai përmend media që kanë mbetur nën administrimin e Serbisë, gjersa shton se nuk duhet lejuar licenca të funksionojnë me dispozita ligjore të shtetit tjetër.

“ Në krahinën shqiptare të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë, TV ,,Spektri”, TV, ,,Presheva” TV,,Aldi” , dhe Revista shqiptare ,,Perspektiva’’, ,,Nacionali” si dhe dhjetë portale informative, asnjë prej tyre jo nuk do t’ju lejuar të pajisen me licencë nga Republika e Kosovës. Jo vetëm TV ,,Klan Kosova’’, por asnjë licencë e asnjë biznes, nuk do të lejuar, të funksionojë me dispozita ligjore të një shteti tjetër”, shton Hasani.

Kujtojmë se ditë më parë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka vendosur ta pezullojë certifikatën e biznesit të televizionit Klan Kosova.

Siç thuhet në një njoftim të ministrisë, me këtë rast ndaj televizionit është iniciuar edhe kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. Mbështetur në aktet ligjore, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër. Për vendimin e ARBK-së, është ftuar në takim dhe është njoftuar pala, përkatësisht pronari i Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK”, thuhet në njoftim.

Ndaj vendimit të MINT kanë protestuar gazetarët, madje edhe kanë bojkotuar konferencën e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat