Kisha ortodokse, “vendstrehim” i terroristëve dhe kriminelëve serbë- Kosova të parandalojë keqpërdorimin e saj nga Serbia!

Politika

Kisha ortodokse, “vendstrehim” i terroristëve dhe kriminelëve serbë- Kosova të parandalojë keqpërdorimin e saj nga Serbia!

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 6 tetor 2023 Në ora: 10:03
Banjskë

Sulmi terrorist i 24 shtatorit që ndodhi në veri të Kosovës, ku si rezultat i sulmit nga terroristët serbë mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, sipas analistëve dhe njohëseve të zhvillimeve në vend, duhet të merret si alarm për institucionet e sigurisë në Kosovë për rolin e kishës serbe dhe ndikimin e saj në Kosovë, pasi terroristët serbë ishin të strehuar në Manastirin e Banjskës.

Kisha serbe e përfshirë në sulmin e 24 shtatorit

Analisti politik, Nexhat Haziri thotë se padyshim që në sulmin terrorist që ndodhi në veri kishte dorë edhe kisha serbe.

“Është fakt se ndikimi i kishës ortodokse serbe në politiken shtetërore në Serbi është i madh dhe kjo është vazhdimësi historike dhe kjo është aktuale edhe në rastin e Kosovës. Nuk mund të përjashtohet ndikimi i kishës edhe në rastin e fundit terrorist ndaj Kosovës, ku grupi i terroristëve serb me gjithë armatimin e tyre ishin strehuar në manastirin e Bajnskës”, shprehet Haziri për “Bota sot”.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, 24 shtatori duhet të jetë mësim për Kosovën për rolin që kisha serbe mund të luaj në Kosovë, ani pse me planin franko-gjerman Kosova ka pranuar statusin e kishës serbe.

“Sa i përket planit franko- gjerman dhe rroli i kishës apo më mirë të themi statusi i saj që parashihet me këtë plan, tashmë me pranimin e këtij plani nga Kosova njëherit është pranuar edhe statusi i kishës ortodokse serbe në Kosovë. Por ngjarjet e fundit të 24 shtatorit duhet të jenë mësim për Kosovën dhe institucionet e sigurisë për vigjilencën që duhet pasur edhe me veprimtarinë e kishës ortodokse serbe, ashtu siç kërkohet vigjilencë edhe grupet e tjera fetare, që mund të rrezikojnë sigurinë në Kosovë”, deklaron Nexhat Haziri.

Objektet fetare në duart e terroristëve

Kurse analisti tjetër, Gani Qarri thotë se është shqëtësuese se si terroristët serbë përdorën si mjet strehimi objektet fetare.

“Bazuar në faktin mjaft shqetësues, se sulmi terrorist në Banjskë u zhvillua edhe nga brendësia e Manastirit ortodoks, kjo nuk është më vetëm aventurë e papranueshme por edhe akt shumë i rrezikshëm, që në mungesë të përkrahjes nga banorët lokal të pakicës serbe, me porosi nga Vuçiqi dhe BIA serbe, në përshkallëzimin e shkaktuar nga terroristët e kryesuar nga Radojçiqi, medoemos të përfshihet edhe feja dhe objektet e kultit”, thekson Qarri, i cili ka një thirrje publike për institucionet e sigurisë në Kosovë.

“Shteti duhet të marrë kontakt të drejtpërdrejtë dhe të mbajë komunikimi të vazhdueshëm edhe me përfaqësuesit serb, të hierarkisë së kishës dhe manastireve ortodokse, që të jetë i informuar sistematikisht, në mënyrë zyrtare dhe formë të vazhdueshme për zhvillimet që ndodhin aty, për tu siguruar që ato, të mos tejkalojnë vijat e misionit të tyre fetar dhe tu futen, me apo pa dëshirën e tyre, aventurave politike të Vuçiqit, duke i kthyer kishat dhe manastiret në depo të armatimeve dhe vendstrehime të terroristëve serb”.

“Përndryshe nëse çdo formë komunikimi dhe lidhje sociale e politike, me serbët lokal, i lihet edhe më tej, vetëm të ashtuquajturës "lista srpska", që është dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë, kriminelit Vuçiq dhe Serbisë hegjemoniste, përpjekja e Vuçiqit dhe e BIA-s, për manipulimin e pjesëtarëve të pakicës serbe dhe detyrimin e kishës ortodokse, që, me çdo kusht, tash e tutje, tu ofrojë mbështetje krimit të organizuar dhe bandave terroriste serbe, në Kosovë, jo vetëm që nuk do të pushojë, por pas dështimit të turpshëm me 24 shtator, kjo tendencë do të forcohet edhe më tepër, deri në detyrimin e përfshirjes së kishës dhe manastireve, në të gjitha aktet që zhvillohen në veri”, shton analisti Qarri për “Bota sot”.

Image
Gani Qarri

Për fund, Qarri thekson se ka rrezik që objektet fetare serbe të rrëshqasin në duart e terroristëve dhe kriminelëve serb.

“Dhe në asnjë mënyrë, pakica serbe as kisha e manastiret ortodokse, nuk guxojnë të lihen më, si deri më tani, në dorën e terroristëve, që ti keqpërdorin për interesat e tyre meskine, andaj shteti i Kosovës duhet të tregojë kujdes të jashtëzakonshëm dhe një vëmendje do të thoja, madje edhe deri te ato, të përmasave historike, sepse, në qoftë se, përsëri i lihet dorë e lirë Serbisë, ajo do ta fut edhe fenë dhe involovojë kishat dhe manastiret ortodokse, në përshkallëzimet e çështjeve politike, të cilat me siguri, krimineli Vuçiq edhe në të ardhmen planifikon ti inskenojë në Kosovë, kështu që shteti i Kosovës, nëse nuk dëshmon përkujdesje maksimale, do të përballet vërtetë me rreziqe, të cilat vështirë se mund ta parashikojë kush saktësisht, se çfarë pasojash drastike do të krijonin për popullin dhe shtetin tonë të brishtë, edhe tash e tutje”, përfundon për “Bota sot” analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat