Shprehja e “turpshme” e Shqiprim Arifit për Albin Kurtin/ Analistët tregojnë arsyet, përmendin edhe idenë e shkëmbimit të territoreve

Politika

Shprehja e “turpshme” e Shqiprim Arifit për Albin Kurtin/ Analistët tregojnë arsyet, përmendin edhe idenë e shkëmbimit të territoreve

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 18 tetor 2023 Në ora: 08:07
Albin Kurti - Shqiprim Arifi

“Albin Kurti është tradhtar kombëtar” kështu po e quan kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi kryeministrin e Kosovës.

Ai ka akuzuar kryeministrin Kurti, për neglizhencë dhe mosdhënie të mbështetjes së duhur ndaj shqiptarëve në Luginë.

Ai ka shkuar edhe më larg me fyerje ndaj Kurtit, duke e quajtur “tradhtar të kombit”, pasi me marrëveshjen e Ohrit, sipas tij, varrosi aspiratën e shqiptarëve të Luginës për t’u bashkuar me Kosovën.

Tutje, ka thënë se ai po mundohet ta përçajë Luginën.

“Tre viteve të fundit mundohet të përçajë në vazhdimësi me ato raporte në Luginën e Preshevës që pak më parë i patët në emision. Nga ana tjetër kemi një Serbi që për serbët në Kosovë investon rreth 800 milionë dollarë në 20 vitet e fundit. Investon t’i mbajë aty dhe të mbështesë tezën e saj që Kosova është Serbi”.

“Unë nuk e njoh një politikan që ka bërë më shumë kompromise vitet e fundit, ka pranuar Asociacionin që e ka luftuar 10 vitet e fundit, ka pranuar që Lugina mos të përfshihet në marrëveshjen e Ohrit dhe ka hequr dorë nga reciprociteti”.

“Për ne në Luginën e Preshevës Albin Kurti është tradhtar kombëtar, pasi ka varrosur me marrëveshjen e Ohrit që ne të jemi pjesë e Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar Arifi.

Mehazi: Albini ua ka ndërprerë tregtitë politike dhe territoriale Vuçiqit, Thaçit, po dhe Shqiprim Arifit

Profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se deri tash Arifi nuk i dëgjohej zëri askund, derisa erdhi në pushtet Albin Kurti.

"Para se të se të bëhej Albin Kurti kryeministër i Kosovës askund nuk dëgjohej zëri kontrovers i kryetarit të Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifit, i cili kohët e fundit jo që është duke e kritikuar ashpër e pa argumente kryeministrin e Kosovës, Kurtin, por shkon aq larg sa që i thotë "tradhtar kombëtar" gjoja se me marrëveshjen e Ohrit si thotë Arifi Kurti ka varrosur dëshirën e tij dhe të presidentit të Serbisë, Vuçiqit, për shkëmbime territoresh në mes Kosovës e Serbisë”, thotë ai.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas tij, shprehja e tij është e turpshme dhe në linjë me opozitën në Kosovë dhe me Vuçiqin në Serbi.

Madje, ai shton se Kurti ua ka ndalur tregtitë politike e territoriale, andaj është edhe i pikëlluar Arifi.

“Shprehja e turpshme e Shqiprim Arifit se Kurti qenka "tradhtar kombëtar" e ka kuptimin e përkrahjes së partive opozitare PDK, LDK e AAK të cilët në bashkëpunim me Vuçiqin ishin për ndryshime kufijsh me Serbinë, dhe për këtë shkak është pikëlluar kryetari i Preshevës, Arifi, se kryeministri i Kosovës, Albini ua ka ndërprerë tregtitë politike dhe territoriale Vuçiqit, Thaçit, po dhe Shqiprim Arifit i cili më shumë është në anën e presidentit të tij të Serbisë, Vuçiqit sesa në anën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Mendësia e "tradhtisë kombëtare" të Kurtit për Shqiprim Arifin, është e baraspeshuar me mendësinë e Vuçiqit dhe Thaçit për shkëmbime territoresh.

Maraj: Shqiptarëve u duhet uniteti

Analisti Milazim Maraj ka thënë se Arifi para se ta akuzojë Kurti për tradhti duhet ta paraqes planin e vet për bashkimin Luginës me Kosovës

“"Në çdo kohë dhe para çdo sfide shqiptarëve ju duhet uniteti. Çdo veprim apo deklarim që ndikon në prishje të unitetit kombëtar është i dëmshëm dhe antikombëtar. Akuzat për tradhti kombëtare janë të shpeshta në fjalorin shqip nga ata që nuk e matin fjalën e vet publike. Nuk ka fytyrë eminente e kombit tonë që nga dikush nuk u shpall tradhtar e atdhetar. Kryetari i Preshevës Shqipërim Arifi me akuza ndaj një kryeministri shqiptar për tradhti nuk besoj që do të arrijë ndonjë synim; ani pse kjo akuzë nuk paraqet fare ndonjë synim, përveç një shfryrje të cilën nuk ka mund ta frenoj fuqinë e emocionit me forcën e tij intelektuale dhe të vendos arsyen mbi ndjenjën e vet.

Para se të akuzoj z. Albin Kurtin për tradhti, ai duhet të prezantoj planet e veta që i ka hartuar për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën e që këto plane i paska dëmtuar Albin Kurti me prishje të këtyre planeve apo projekteve. Cilat ishin projektet e z. Shqiprim Arifi për bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën? Ku i prezantoj ato? A u debatuan ato plane nga përfaqësues të kombit shqiptarë në rajon? Gjendja e shqiptarëve nuk është aspak e mirë, për këtë pajtohemi të gjithë. Për këtë ka angazhime që quhen të mira, jo mjaft të mira, aspak të mira por që në një formë apo tjetrën shpjegohen arsyet pse vlerësohen kështu, secili nga këndvështrimi i vet”, thotë ai.

Image
Milazim Maraj

Më tej, ai thotë se Arifi nuk vlerësohet as për kontributin e tij në unitetin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke thënë se as nuk njihet për angazhimet e tij në Luginë.

“Z. Shqiprim Arifi nuk është deklaruar për qëndrimin e tij në këto sfida kombëtare. Nuk vlerësohet as për kontributin e tij në unitetin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Nuk njihen në opinion angazhimet e tij për shkollat në gjuhë shqipe në komunën e tij apo në dy komunat fqinjë të banuara me shqiptarë. Nuk u deklarua në mbrojtje të interesave kombëtare të shqiptarëve, kundër pasivizimi të adresave të shqiptarëve, gjenocidin e heshtur të shqiptarëve, mos inkuadrimin e tyre në institucionet shtetërore ku do të përfaqësoheshin. Këto mos pajtim gati sa i lanë shqiptaret në Serbi pa përfaqësim me politikën e vet prej grindaveci, ndoshta po të kishte më shumë unitet të shqiptarëve do të përfaqësoheshim me më shumë deputet në parlamentin serb. Nuk kishte reagim z. Arifi as për “Mini shengen, as Open Ballkan”. Nuk ngriti zërin as për mos punësimin e shqiptarëve në spitalin e Preshevës aty ku shqiptaret janë shumicë. Kjo nuk e brengosi zotërinë që shëndetin shqiptarëve të ua besoj serbëve në këto institucion shëndetësor ani pse në kemi shumë shembuj ku shqiptarët kanë qenë viktima nga këta të ashtuquajtur “mjek serb”. Ky zotëri e dinë së Kosova nuk është e pranuar ende në OKB, andaj asnjë kritikë nuk e ka për ngritjen e zërit të Kryeministrit Edvin Rama në këto institucione të larta ndërkombëtare për shtypjen që u bëhet shqiptarëve në Preshevë Bujanoc dhe Medvegjë.

Maraj ia kujton Arifit se është Kurti ai që ka ndarë 2 milionë euro për shqiptarët në Luginë.

Më tej, ai thotë se në vend të ofendimeve sharjeve dhe poshtërimeve virtuale do të bënte më mirë të arsyetonte votën shqiptare në Preshevë.

“Ky kryeministër që ju e quani tradhtar, ka ndarë 2 mil euro për këtë krahinë të banuar me shqiptarë. Ato nuk janë shumë por nuk kemi informacione se keni kërkuar më shumë. Kush ishte propozimi për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën para planit të marrëveshjes së Ohrit. Ju nuk prezantuat një plan të veçantë ku do të prezantohej kjo krahinë me shqiptarë. Flamuri shqiptar dhe simbolet tjera nuk lejohen nacionale nuk lejohen në Krahinën e Luginës së Preshevës. Shqiptaret vetëm me një unitet të mirëfilltë, me interes të përgjithshëm kombëtar mund t’i kalojnë sfidat para të cilave gjenden. Andaj në vend të ofendimeve sharjeve dhe poshtërimeve virtuale do të bënit mirë të arsyetoni votën shqiptare në Preshevë. Të ofroni një mirëkuptim me përfaqësuesit shqiptar në Luginën e Preshevës dhe në regjion. Të renditen interesa kombëtare, të sistemohen më prioritete dhe të avancohen në momente të përshtatshme politike dhe gjeopolitike. Vetëm kështu do të arrinim atë që e meritojmë si komb. Ju përkujtoj këshillin ndërpartiak të shqiptarëve në Jugosllavi të udhëhequr nga Dr. Ibrahim Rugova. Analizoni cilat ishin arritjet me bashkëpunim, e cilat ishin pasojat në mungesë të bashkëpunimit”, përmbylli Milazim Maraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat