“Frikësohet Vuçiqi”, zbardhen prapaskenat e letrës së liderëve evropianë – Serbisë ka filluar t’i “ngushtohet rrethi”!

Politika

“Frikësohet Vuçiqi”, zbardhen prapaskenat e letrës së liderëve evropianë – Serbisë ka filluar t’i “ngushtohet rrethi”!

Nga: A.M. Më: 29 tetor 2023 Në ora: 15:53
Vuçiq gjatë takimit në Bruksel

Java që po lëmë pas në qendër të vëmendjes ka pasur takimet në Bruksel në kuadër dialogut Kosovë-Serbi.

Përveç takimit të kryeministrit Albin Kurti me liderët evropianë, të premten kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni përmes një letre kanë dalë me kërkesa të drejtpërdrejta për Kosovën dhe Serbinë.

Në letrën publike të tre liderëve evropianë të lëshuar të premten thuhet:

“Me qëllim të arritjes së progresit të shpejt në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç përshkruhet në draftstatut, ndërsa Serbisë që të jetësojë njohjen de-facto. Formalitetet, përfshirë ato ndërlidhur me adoptimin, nuk duhet të qëndrojnë në rrugën e progresit për këtë çështje”.

Opinionisti Dedë Preqi tha se letra e fundit e liderëve evropianë është shenjë që Bashkimi Evropian e ka marrë seriozisht çështjen e raporteve Kosovë-Serbi.

Po ashtu, ai u shpreh se brenda kësaj letre ka një porosi të qartë që të vendoset rruga e marrëveshjes dhe zbatimi i saj sa më parë dhe pa kushte.

“Ndërkaq sikur BE-ja, e ka marrë rolin e vet kryesor dhe me seriozitet çështjen e kësaj linje që ka të bëjë në marrëdhëniet në  mes Serbisë dhe Kosovës, dhe përshtypja e gjithë kësaj vjen me letren e fundit të një draft-statuti të propozuar nga kancelari gjerman O.Scholz, presidenti franqez E.Macron, kryeministrja italiane G.Meloni, të cilët kërkojnë që Kosova, të fillojë menjëherë procedurat për themelimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe, dhe draft-statuti i propozuar nga pesëshja evropiane me 21 tetor, do të realizojë njohjen e Kosovës nga Serbia.

Letra e përbashkët e liderëve evropianë e ka porosinë e qartë, duke iu referuar një norme qenësore dhe parimore në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja, në Bruksel me 27 shkurt, 2023, në mes Kosovës dhe Serbisë, që të vendoset rruga e marrëveshjes dhe zbatimi i saj sa më parë dhe pa kushte, me detyrimet e zotuara në kuadër të dialogut që përfshinë marrëveshjet e vitit 2013/2015, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, deklaroi opinionisti.

Krahas kësaj, Preqi tha bllokuesi kryesor i marrëveshjeve Kosovë-Serbi është presidenti serb, Aleksanda Vuçiq.

Image
Opinionisti Dedë Preqi

Ai mirëpriti draftin për Asociacionin, derisa shtoi se është në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit tonë.

“Sikur edhe më herët, poashtu edhe tani në takimet që ka pasur Kosova dhe Serbia, në Bruksel, në Ohër dhe vende tjera në ndërmjetësimin e BE-së, bllokuesi kryesor i marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve dhe paqes në mes këtyre dy vendeve ka qenë dhe është vetë Aleksandër Vuçiqi, prandaj bashkësia ndërkombëtare e di fare mirë, se kush është fajtori i gjitha incidenteve të deritanishme dhe i terrorizmit të fundit me 24 shtator të këtij viti në Banskë të Zveçanit në veri të Kosovës.

Një draft-statut që prezantohet nga emisarët e BE-së, me 21 tetor, ka të bëjë me çështjen e mbrojtjes dhe të drejtave të pakicave, në këtë rast i pakicës serbe në veri të vendit, me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por i cili do të jetë në përputhje me standartet evropiane, brenda parametrave të caktuara nga palët, që do të jetë në përputhje dhe harmoni me Kushtetutën e Kosovës, kundër një Asociacioni një etnik”, theksoi ai.

Në vazhdim, opinionisti tha se ndërkombëtarët do ashpërsojnë gjuhën dhe do u kërkojnë dy vendeve zbatimin e marrëveshjeve, veçanërisht Vuçiqit që në vazhdimësi refuzon të nënshkruajë marrëveshje për normalizimin me Kosovën.

“Sikur një përgjigje e mundshme dhe e pavonueshme do t’i kërkohet këtyre dy vendeve në zbatimin e Marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve për të cilat palët kanë arritur pajtueshmërinë, por ajo që nuk është arritur deri më tani, është mos nënshkrimi në mes palëve, gjegjësisht nga pala serbe dhe Vuçiqi, i cili po ngurron ta shkruaj një gjë të tillë, për ta lënë pezull dhe penguar Kosovën në inguadrimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Presidenti i Serbisë, A. Vuçiq, edhe këtë herë refuzon të nënshkruaj një marrëveshje të tillë me Kosovën, duke kërkuar t’i pranohet një letër anësore, e cila ka për qëllim t’i zhbëjë tri parime të marrëveshjeve dhe me domethënien e asaj që e kanë vështirë ta pranojnë dhe ta shohin një ditë Kosovën në OKB, duke iu referuar ekskluzivisht formimit të Asociacionit, si një lloj mashtrimi dhe përpjekje e saj dinake, duke e fshehur shpatën e Demokliut mbi kokën e shtetit të Kosovës”, nënvizoi Preqi.

Më tej, potencoi se presidenti ka frikë të nënshkruaj një marrëveshje para zgjedhjeve të Serbi, duke thënë se një gjë e tillë mund t’ia trazoj politikat e tij.

Ai tha se Serbisë po i ngushtohet rrethi dhe BE po e bënë testin e fundit për të dyja palët.

“Vuçiq përveç tjerave ka frikë të nënshkruaj diçka të tillë, dhe kuptohet se ishte një bashkëpunëtor i ngushtë  i kriminelit Millosheviq, si një njeri kundër normalizimit të marrëdhënieve dhe paqës  ndërnjerëzore, gjegjësisht në marrëdhëniet me shqiptarët, që sikur do ta përcjellte kjo traditë edhe pasadhësin e tij, i cili tani e ka frikë që mos të nënshkruaj asgjë para zgjedhjeve në Serbi, duke marrë parasysh se pushteti i tij autoritar e ka zgjatur mandatin e Vuçiqit, përmes turbulencave dhe incidenteve që ka instaluar dhe shkakëtuar në Kosovë.

Dorëzimi i draft-statutit nga pesëshja evropiane që i referohet palëve në marrëveshjet e tyre për stabilizimin dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes tyre, që dhe Kosova të fillojë menjëherë procesin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sikur BE-ja, po bënë edhe një test të fundit në mes palëve, në veçanti ndaj Serbis, së cilës po i ngushtohet rrethi dhe nuk do të tolerohet më asnjërën palë, ku çdo gjë është e mundshme, që edhe Kosova të njihet defakto nga pala serbe”, shpejgoi ai.

Ndër të tjera, përmendi edhe lojën e Serbisë së Vuçiqit, derisa paralajmëroi se një lojë e tillë nuk ka shumë jetëgjatësi.

“Politika e Vuçiqit dhe Serbisë, pretendon ta fusë në lojë bashkësinë ndërkombëtare, e cila është toleruar dhe përkëdhelur deri më tani si nga BE-ja, po ashtu edhe nga SHBA-të, por kjo tolerancë dhe ky ledhatim do t’i kushtojë Serbisë, sepse një lojë e tillë nuk ka shumë jetëgjatësi, kur dihet fare mirë se strategjitë e tilla nuk kanë sjellë perspektivë dhe të ardhme të mirë në mes popujve”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat