Vuçiq dha deklarata skandaloze dhe të rrezikshme/ A ka mbetur vend për një takim tjetër në Bruksel? Analistët zbërthejnë situatën

Politika

Vuçiq dha deklarata skandaloze dhe të rrezikshme/ A ka mbetur vend për një takim tjetër në Bruksel? Analistët zbërthejnë situatën

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 1 nëntor 2023 Në ora: 13:48
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

I dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në përmbledhjen javore të agjendës së tij, ka shkruar për takimet e së enjtes që u zhvilluan në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq. 

“Ideja ishte e thjeshtë – për të vazhduar diskutimet tona fundjavën e kaluar gjatë misionit tonë të përbashkët në Prishtinë dhe Beograd dhe për të avancuar zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit. Ato që ishin planifikuar të ishin takime të shkurtra me liderët evropianë, u kthyen në negociata të gjata të ndara me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti pasi liderët evropianë duhej të largoheshin për në Këshill”, ka thënë Lajçak. 

Lajçak ka treguar, se Kurti dhe Vuçiq janë treguar të gatshëm për zbatimin e marrëveshjes, por kanë pasur mospajtime për modalitetin. 

Tutje, emisari i BE-së, Lajçak ka thënë se Kurti dhe Vuçiq kanë pasur pyetje e komente, duke shtuar se shpreson se do të sqarohen gjatë javëve të ardhshme. 

Por, kur mund të ndodhë një takim i ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke qenë se kjo e fundit po refuzon të nënshkruajë marrëveshjen. 

Qarri: Vuçiqi, ka kohë që në vend të paqes kërkon luftë 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri. 

Ai u shpreh se Vuçiq nuk ishte i gatshëm për marrëveshje dhe se deklaratat e tij përbëjnë rreziqe të mëdha për sigurinë në Kosovë. 

“Në fakt Vuçiqi, ka kohë që në vend të paqes kërkon luftë, madje ai vetëm një muaj më parë, këtë e dëshmoi edhe me fakte, duke sponsorizuar drejtpërsëdrejti edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Sado që Lajçak shprehet se Kurti dhe Vuçiq janë treguar të gatshëm për zbatimin e marrëveshjes, në fakt vetëm kryeministri i Kosovës, ishte i gatshëm ta nënshkruante marrëveshjen, por jo edhe Vuçiqi, për aq më keq, vet deklaratat që dha Vuçiqi pas takimit ishin përveçse skandaloze edhe shumë të rrezikshme, të cilat dëshmojnë publikisht, se prapa tyre përfshihen pretendime të hapura territoriale, ndaj tokave të Kosovës. 

Kështu që deklaratat e Vuçiqit se Serbia nuk do ta njoh de facto ose de jure Kosovën, nuk do të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe nuk do ta pranojë integritetin territorial të Kosovës, përbëjnë rreziqe të atilla të mëdha, për paqen dhe stabilitetin në rajon, sa që në asnjë mënyrë, kjo nuk do duhej të lejohej. Përndryshe, po qe se Serbia edhe më tej, lejohet nga BE, që të mos i nënshkruaj as marrëveshjet e arritura, i mundësohet të parashtrojë kërkesa shtesë për ndryshimin e paragrafëve, edhe të marrëveshjeve tanimë të dakorduara, ndërmjet të dy vendeve me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-ve, deklaron se nuk do t’i zbatojë pikat e marrëveshjes, që nuk i pëlqejnë Serbisë dhe arsyeja e vetme, pse ajo merr pjesë në bisedime, është vetëm formim i asociacionit me kompetenca të një "repubklie serbe", pra shtetit në shtet brenda Kosovës, pretendimet e Serbisë ndaj territorit të Kosovës, acarohet edhe më tej potenciali për konflikte të mëtejme, deri në pozicionet shpërthyese”, u shpreh ai. 

Image
Gani Qarri

Më tej, analisti përmend nevojën që kryeministri Kurti kishte për sqarim plotësues për asociacionin pasi që ka të bëjë me kufijtë e Kosovës. 

“Mirëfilli nga të gjithë, se me këto qëndrime Serbia po përpiqet jo vetëm ta bllokoj inkuadrimin e Kosovës në organizatat tjera ndërkombëtare”, shprehet më tej ai. 

“Prandaj është plotësisht e natyrshme që pas pranimit nga Kosova të propozimit më të ri të BE-së si draft statusi fillestar për "asociacionin", kryeministri Kurti të ketë pyetje dhe bëjë komente, sepse Kosova ka nevojë urgjente për sqarime plotësuese qoftë edhe për shkaqe sigurie, ngase është në pyetje fati i shtetit të Kosovës. 

Kështu që veçanërisht pas sulmit terrorist serb, të 24 shtatorit të sponsorizuar direkt nga Vuçiqi, si dhe obstruksioneve më të reja të Serbisë hegjemoniste, të cilat u shpërfaqën edhe në takimin e fundit, BE dhe SHBA, duhet ta ndryshojnë rrënjësisht qëndrimin e tyre ndaj Serbisë. Pas obstruksioneve më të reja të Serbisë, edhe aktit terrorist serb, të 24 shtatorit në veri të Kosovës, është plotësisht e natyrshme që me pranimin nga Kosova të propozimit më të ri të BE-së si draft statusi fillestar për "asociacionin", kryeministri Kurti të ketë pyetje dhe bëjë komente, sepse Kosova ka shumë nevojë për sqarime plotësuese, ngase është në pyetje siguria e kufijve dhe fati i shtetit të Kosovës. Të cilat varen, jo vetëm nga qëndrimet e Serbisë hegjemoniste por edhe nga pozicionimi i BE-së dhe SHBA-ve, në raport me Kosovën, kur dihet tanimë, mirëfilli nga të gjithë, se me këto qëndrime Serbia po përpiqet jo vetëm ta bllokoj inkuadrimin e Kosovës në organizatat tjera ndërkombëtare, por edhe ta kthej shtetin e Kosovës në një Tajvan të Ballkanit Perëndimor. Në mënyrë që t’i mbajë të gjalla, pretendimet territoriale ndaj vendit tonë dhe të mos lejojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur me të drejta të plota, në OKB”, nënvizoi Qarri për “Bota sot”. 

Mehmeti: Nuk më befason gjuha e Lajçak-ut njeruit që ia ka mbajt anën Serbisë 

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që Lajçak u mundua ta nxjerr përsëri mirë Vuçiqin duke mos treguar arsyet e vërteta pse nuk ka marrëveshje. 

“Eufemizat e z.Lajçak nuk e ndihmojnë dot të vërtetën, ato vetëm sa e shtojnë edhe më shumë agoninë në të cilën ndodhet procis i dialogut. Do të ishte më e ndershme dhe më e drejtë nga z.Lajçak të fliste hapur për arsyet e dështimit të marrëveshjes me Vuçiqin si fajtorin kryesor. Nuk kishte nevojë për hir të balancimit të neutralizonte problemin në fjalë, megjithatë nuk më befason gjuha e Lajçak-ut njeruit që ia ka mbajt anën Serbisë më çdo rast”, thotë ai. 

Image
Faton Mehmeti

Analisti në fund, potencoi që mundësia që të shpërbëhet kuvendi i Serbisë është prezent, në këtë mënyrë do të zgjatet mundësia për dialog sa më shpejt. 

“Nuk pres që as në takimin e ardhshëm të këtë qëndrim, sa per takimin nuk dihet kur do të mbahet aq më tepër që në Serbi flitet se mund të shpërndahet kuvendi e vendi të shkojë në zgjedhje, kjo vetëm sa do e vononte dialogun”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat