Opozita e analistët i reagojnë Qeverisë/ Kur do të publikohet versioni i saktë i draft-statutit për asociacion?

Politika

Opozita e analistët i reagojnë Qeverisë/ Kur do të publikohet versioni i saktë i draft-statutit për asociacion?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 3 nëntor 2023 Në ora: 08:06
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të ketë epilog së shpejti, kjo pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pajtuar me propozimin e Bashkimit Evropian për draft- statutin e tij. 

Ky draft statut i propozuar nga BE dhe i prezantuar në Kosovë e Serbi gjatë vizitës më 21 tetor në këto dy shtete të përfaqësuese të BE-së, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, ishte pranuar tri ditë më vonë nga kryeministri i Kosovës gjatë takimeve në Bruksel me tre liderët e BE-së, Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe Giorgia Meloni, si dhe me Përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell. 

Versioni i këtij asociacioni nuk është publikuar ende, ndërsa një version ka qarkulluar në medie dy ditë më parë. 

Sipas këtij,  një nga pikat parasheh rregullimin e strukturës organizative të Asociacionit, gjithashtu ai do të ketë kuvendin e tij, kryetarin, nënkryetarin, bordin, këshillin këshill dhënës dhe zyrën për ankesa. 

Te pika “Objektivat kryesore” në draftin e statutit thuhet se ai “siguron një vetëqeverisje kornizë me autonomi substanciale për komunitetin e serbëve të Kosovës”. 

Ndërkaq, në konkluzionet e draft-statutit theksohet se “projekt statuti nuk e kalon ndonjë nga vijat e kuqe të Kosovës”. 

Ky version u përgënjeshtrua të nesërmen nga qeveria e Kosovës, ku zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se dokumenti që ka qarkulluar  për sa i përket draft-statutit të Asociacionit, nuk është ai i cili e ka në dorë kryeministri Albin Kurti. 

“Dokumenti që është publikuar dhe që ka qarkulluar mbrëmë në disa portale dhe televizione si ‘draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe’ absolutisht nuk përkon me propozimin Evropiano-Amerikan që i është dorëzuar kryeministrit Kurti në takimin e 21 tetorit si plan për ecjen përpara”, ka shkruar Kryeziu. 

Ndërsa, kritikues ndaj qeverisë sa i përket çështjes së asociacionit shprehen nga opozita dhe analistët. 

Lekaj: Po presim të premten 

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se janë duke pritur deri të premten që kryeministri të raportojë dhe ta kuptojnë më saktë se ku po shkon Kosova. 

“Në media po qarkullon një draft statut mbi asociacionin, por deri tani nuk ka asgjë të vërtetë. Qeveria Kurti ka krijuar mjegulli në kuptimin e informatave mbi Marrëveshjen Kosovë-Serbi Fatkeqësisht deri tani nuk kemi informatë zyrtare për të vërtetat e takimeve, dakordimeve dhe elementet e marrëveshjeve që i ka zhvilluar kryeministri i Kosovës. Po presim të premten, ku do të raportojë Kryeministri dhe po shpresojmë që të na tregojë më shumë dhe më saktë ku po shkon Kosova, çka po arrihet dhe çka po nënshkruhet në raport me Serbinë. Transparencën e ka obligim dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe spektrit politik”, deklaron Lekaj. 

Image
Pal Lekaj

Ai pohon se partia e tij përkrahë asociacion që është në frymën kushtetuese dhe çdo gjë tjetër është e pa pranueshme. 

“Ne si AAK përkrahim atë draft statut i cili është nën frymën e Gjykatës Kushtetuese dhe nën nenet e ligjet e kushtetutës së Republikës së Kosovës. Çdo gjë tjetër është e pa pranueshme dhe besojë edhe e dëmshme”, shton Lekaj. 

“Bota sot” ka pyetur qeverinë se kur do të publikohet versioni i saktë që i është propozuar për asociacion, por nuk ka marrë përgjigje, ndërsa në anën tjetër versioni i publikuar në media doli të jetë i kryeministrit të Kosovës, Edi Rama. 

Bytyçi për Ramën: Investon që ta rivlerësojë mendjen dhe vullnetin e tij pro-serb 

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, pas reagimit të zëdhënësit të Qeverisë se versioni nuk është i saktë, ka thënë se ai version është projekt i Ramës. 

Sipas tij, kryeministri i Shqipërisë është mashtrues dhe i pa besë. 

“Ndërsa TV KLAN i Shqipërisë në edicion qendror të lajmeve të drekës ditën e sotme ka zbuluar burimin e projektit që qarkullon në medie. Ai projekt, thotë TV KLAN, është projekti që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka dërguar në fillim të korrikut të këtij viti kancelarit gjerman, Scolz dhe presidentit francez, Macron. Dihet historia e propagandës se Edi Rama po "luan rol në zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi me atë projekt"! 

Por mesa duket ky projekt në qarkullim nga dita e djeshme i është servir medieve nga Edi Rama ose njerëzit e rrethit të tij, me qëllim që publiku të thotë: "E shihni ju! Rama se Rama! Ai paska pasë të drejtë. Projekti i tij u pranua më në fund nga Albin Kurti! Për rrjedhojë këta që servirën një projekt të rremë donin të rithonin se kritikat që iu bënë Ramës nga opozita në Shqipëri dhe nga Kosova asokohe ishin të padrejta. Madje këtë e tha TV KLAN! 

Ndërkohë qeveria e Kosovës e përgënjeshtroi pikërisht pas lajmit të KLAN SHQIPËRIA faktin se projekti real, ai për të cilin Kurti thotë se do të firmosë, të jetë projekt i paraqitur nga Edi Rama. Ajo thotë se në dosjen e Albin Kurtit ka një tjetër projekt europian. Jo atë që qarkullon në medie. Pra, jo atë që ka dërguar Rama te Macron dhe te Scholz! 

A e kuptoni o njerëz, sa mashtrues dhe i pabesë është ky kryeministri ynë?! Sa egoist dhe i etur për protagonizëm është ai?! Sa shumë investon që ta rivlerësojë mendjen dhe vullnetin e tij pro-serb?!”, ka shkruar Bytyçi. 

Duhanaj: Të prezantohet versioni zyrtar 

Ndërsa, ndaj versionit të publikuar ka reaguar për “Bota sot” edhe analisti politik, Leon Duhanaj, i cili thotë se nëse ai version del i saktë është shqetësuese për Kosovën. 

Image
Leon Duhanaj

Sipas tij, nëse versioni i publikuar nuk është zyrtar atëherë duhet ta prezantojë atë që është zyrtar. 

“Sipas versionit, i cili u publikua nëpër media të ndryshme, del se pika 2 e tij, të jetë tejet shqetësuese për Kosovën. Kjo pikë e cila i referohet pikërisht marrëveshjes së Ohrit, për të cilën Kryeministri Kurti është dakorduar dhe në të cilën përshkruhet "vetëmenaxhimi" si koncept, del të jetë autonomi substanciale, gjë të cilën e kemi dyshuar në vazhdimësi. Dua të theksoj që nuk jam i lumtur, që parashikimet e mia rreth agjendës dhe qasjes së Kurtit, po dalin gjithnjë të sakta. Ky njeri, duket të ketë qenë me mision të qartë. Mision i cili tash e dy dekada, saboton çdo proces në Kosovë, vetëm e vetëm që në fund të tij, të dalë një konstrukt, i cili do ta pamundësojë zhvillimin e një shteti normal dhe do të bëhet shkaktarë ogurzi për zhbërjen e Kosovës si shtet. Nga kjo mund të na shpëtojë vetëm një integrim i shpejt në BE dhe nëse rajoni zhvillohet aq shumë e mirë, sa që njerëzit të heqin dorë nga politizimi dhe t'i kthehen interesave pragmatike, siç e bëjnë p.sh: në Tirol. Z. Kurti, edhe njëherë po e dëshmon mos transparencën e tij në gjithë ketë proces. Ai, nëse thotë se ky nuk është versioni zyrtar, atëherë duhet ta prezantojë atë që është zyrtar, e jo ta mbajë vendin në terr informativ”, thekson Duhanaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat