Paralajmërimi i Zelenskyt për luftë në Ballkan, flet profesori amerikan - “zbulon” planet e Rusisë dhe Serbisë

Politika

Paralajmërimi i Zelenskyt për luftë në Ballkan, flet profesori amerikan - “zbulon” planet e Rusisë dhe Serbisë

Nga: Naile Ejupi Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 10:01
Alon Ben Meir

Ukraina ka prova të synimeve të Rusisë për të nisur një luftë midis vendeve të Ballkanit, kështu ka deklaruar presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në komentet për mediat afrikane.

"Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne po marrim informacione. Rusia ka një plan të gjatë. (Së pari kemi pasur) Lindjen e Mesme - shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani", ka deklaruar Zelensky.

Ndaj komenteve të Zelenskyt ka reaguar e shqetësuar edhe BE-ja.

Zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjes se a e ndan BE-ja shqetësimin e shprehur nga Zelensky se Rusia do të tentojë të provokoj konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka thënë se: “Për një kohë të gjatë ne kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jo stabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe tjera”.

Ai ka shtuar se pikërisht për këtë arsye BE-ja ka shtuar ndihmën për partnerët në vendet e Ballkanit Perëndimor që të përballen me këto kërcënime.

Stano nuk ka dashur të flasë për hollësitë e informatave që kanë apo nëse Zelensky ua ka përcjellë informatat e tij, por ka shtuar se “BE-ja është e vetëdijshme se çfarë po tenton të bëjë Rusia në Ballkanin Perëndimor”.

“Ne nuk i komentojmë informatat, të cilat i shkëmbejmë me partnerët. Sidomos jo kur është fjala për diçka specifike si kjo. Por, ne kemi informata dhe i kemi vëzhguar këto aktivitete të Rusisë për një kohë dhe jemi të vetëdijshëm se çfarë tenton të bëjë Rusia. Prandaj, jemi në kontakt me partnerët edhe në Ballkan për këtë”, tha ai duke shtuar se për këtë është diskutuar edhe në takimin e fundit të ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian me kolegët e tyre nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Duke komentuar shqetësimin e Zelenskyt dhe Bashkimit Evropian, eksperti për Ballkanin Perëndimor dhe profesori amerikan Alon Ben Meir, ka folur për “Bota sot”, duke thënë se Rusia mund të dëshirojë ta arrijë këtë, por Putin duhet ta kuptojë se çdo përpjekje për të destabilizuar ushtarakisht shtetet e Ballkanit që mund të përshpejtojë paqëndrueshmëri të madhe në rajon, sigurisht që do të takohet me forcat e BE-së dhe SHBA-së.

Sipas tij, Rusia ka dhe do të vazhdojë të ushtrojë çdo përpjekje për të ndikuar në rajon.

“Me sa di unë, nuk ka indikacione faktike se Rusia do të përpiqet të nisë një luftë në Ballkan. Rusia mund të dëshirojë ta arrijë këtë, duke pasur parasysh dëshirën e tij për të shkëputur vëmendjen nga lufta në Ukrainë, por Putin gjithashtu e kupton se çdo përpjekje për të destabilizuar ushtarakisht shtetet e Ballkanit që mund të përshpejtojë paqëndrueshmëri të madhe në rajon, sigurisht që do të takohet me forcat e BE-së dhe SHBA-së për ta parandaluar atë. nga ndodhja. Megjithëse Rusia ka dhe do të vazhdojë të ushtrojë çdo përpjekje për të ndikuar në rajon në mënyrë që t'i shërbejë agjendës së saj afatgjatë dhe të parandalojë anëtarësimin e ndonjë prej shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE”, deklaron Meir.

Ai shqetësimin e BE-së e konsideron të justifikuar, duke shtuar se Rusia përmes Serbisë mund të përpiqet të destabilizojë me dhunë rajonin.

“Pavarësisht deklaratës së Zelensky, BE-ja ka qenë gjithmonë e shqetësuar për stabilitetin e rajonit. Por përsëri, edhe pse shqetësimi i tij mund të jetë i justifikuar, nuk besoj se në këtë moment apo në ndonjë moment në të ardhmen e afërt, Rusia përmes Serbisë do të përpiqet në çfarëdo mënyre të drejtpërdrejtë të destabilizojë me dhunë rajonin, megjithëse Vuçiq përpiqet të inkurajojë kosovarët serbë në veriu për të vazhduar rezistencën ndaj pushtetit qendror”, pohon Meir.

Paralajmërimet e Zelenskyt për mundësinë që Rusia të provokojë konflikt në Ballkanin Perëndimor i kanë komentuar edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, gjatë një takimi të enjten mbrëma në Zagreb. Ata kanë thënë se “përgjigja më e mirë për të stabilizuar në mënyrë afatgjatë rajonin e Ballkanit Perëndimor nga ana e BE-së do të ishte zgjerimi i Bashkimit Evropian për ta integruar edhe këtë rajon”.

Plenkoviq, ndërkaq, ka përmendur edhe sulmin e fundit të, siç e ka quajtur ai “grupit paramilitar serb“ në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, si dëshmi se si mund të eskalojë situata në rajon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat