Alarmi për sulm tjetër terrorist, flet profesori amerikan: Ja si do të ndikonte kjo “aventurë” e Milan Radoiçiqit/ Kjo është ‘këshilla’ për Kosovën

Politika

Alarmi për sulm tjetër terrorist, flet profesori amerikan: Ja si do të ndikonte kjo “aventurë” e Milan Radoiçiqit/ Kjo është ‘këshilla’ për Kosovën

Nga: Naile Ejupi Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 14:54
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe profesori amerikan Alon Ben- Meir

Kanë kaluar pothuajse dy muaj që nga sulmi terrorist i kryer në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe organizatori i këtij sulmi vazhdon të jetë i lirë.

Milan Radojçiq i cili ka pranuar pjesëmarrjen në sulmin terrorist është lënë i lirë nga Serbia pas marrjes në pyetje.

Ndonëse kanë kaluar muaj që nga sulmi, një tjetër sulm po paralajmërohet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti përmes një statusi në Facebook, ka deklaruar se në datën 10 nëntor, Radoiçiqi ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Sipas Kurtit, në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviçit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë.

Gjithashtu, kryeministri thekson se gjatë këtij takimi përveç deputetëve të Listës Serbe, kanë marrë pjesë edhe kryetari i ri i saj Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviç dhe Dalibor Jevtiç. Ndër të tjera, Kurti është shprehur se KFOR-i, EULEX-i dhe BE-ja, duhet të dalin me raport publik e zyrtar ku t’i atribuojnë Serbisë aktin e agresionit dhe krimin e terrorizmit në Banjskë si dhe të dënojnë Radoiçiçin.

“Në Rashkë të Serbisë, po ngjan riorganizimi paramilitar e terrorist i Millan Radoiçiq dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë. Të premten e 10 nëntorit, ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë. Gjatë këtij takimi përveç deputetëve të Listës Serbe, kanë marrë pjesë edhe kryetari i ri i saj Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviq dhe Dalibor Jevtiq. Aty është kërkuar mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS, në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Ata që janë në listë të rrogave janë kushtëzuar me to, ndërkaq për të tjerë janë ofruar vende pune në periudhë 3 dhe 6 mujore. Millan Radoiçiq, pas sulmit terrorist të kryer në veri, u lirua brenda ditës që të vazhdonte veprimtarinë e tij paramilitare e terroriste në shërbim të politikës shtetërore të Serbisë kundër Kosovës. U bënë pesë muaj pas rrëmbimit në Leposaviq të policëve tanë kufitar Rifat Zeka, Beqir Sefa e Shemë Mustafa dhe tetë javë nga vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku”, ka shkruar Kurti.

Ai ka shtuar se Serbia vazhdon ta kërcënojë sigurinë e Kosovës.

“KFOR-i, EULEX-i dhe BE-ja, duhet të dalin me raport publik e zyrtar ku ia atribuojnë Serbisë aktin e agresionit dhe krimin e terrorizmit, dhe ku dënohet riorganizimi i grupit të Radoiçiqit.

Edhe pas presionit ndërkombëtar, Serbia ende nuk ka tërhequr të gjitha trupat dhe artilerinë nga afërsia e territorit të Kosovës.

Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Republikës së Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën.

Kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë. Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve sipas projektit “Bota Serbe”, të Vulinit e të Vuçiqit.

Mungesa e sanksionimit të Serbisë, rritë nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor. Drejtuesit e grupit terrorist, në vend që të jenë duke u përballur me drejtësinë në Kosovë, vazhdojnë përgatitjet për sulme të tjera ndaj Kosovës dhe grumbullim të votave me shantazhe ndaj serbëve të Kosovës”, ka vazhduar Kurti.

Rreth paralajmërimeve të Kurtit dhe mundësisë së përsëritjes së një sulmi terrorist në Kosovë, ka folur për “Bota sot”, profesori amerikan dhe njëherësh ekspert për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben- Meir, i cili ka thënë se takimi i Radojiqit nuk është tregues i qartë se ata kërkojnë përsëritje të sulmit terrorist.

“Është e vërtetë që Radojçiq është takuar me politikanë serbë, por ne nuk shohim ndonjë tregues të qartë se ata me të vërtetë po kërkojnë të përsërisin ndonjë sulm terrorist kundër Kosovës. Edhe këtu, pavarësisht nga fakti që Vuçiç qëndron për rizgjedhje dhe ai mund të dëshirojë të tregojë një 'bravado', ai gjithashtu i kupton mangësitë nëse sillet në mënyrë të pamatur - duke nxitur një reagim të BE-së - veçanërisht sepse ai po kandidon për rizgjedhje”, ka deklaruar Meir.

I pyetur nëse Kosova duhet të jetë e përgatitur për sulm terrorist duke qenë se Milan Radojiq është i lirë dhe nuk ekstradohet në Kosovë, Meir, është shprehur se ai me një aventurë të tillë vetëm do ta përkeqësonte më tej Kosovën dhe marrëdhëniet me Serbinë.

“Përderisa Kosova duhet të jetë gjithmonë vigjilente ndaj çdo sulmi të perceptuar apo të vërtetë terrorist nga Radojcic, të gjitha palët i kuptojnë pasojat e një ndodhie të tillë dhe nuk e shoh në këtë moment se çfarë përfitimi do të kishte Radojcic nga një aventurë e tillë, e cila vetëm mund të përkeqësojë më tej Kosovën, marrëdhëniet me Serbinë, të cilat për mendimin tim, Vuçiq nuk dëshiron t'i tensionojë më tej, pavarësisht deklaratave të tij publike”, ka theksuar profesori amerikan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat