Incidentet në veri janë serioze/ Analistët zbërthejnë mesazhin që Stoltenberg përçoi me deklaratën e tij!

Politika

Incidentet në veri janë serioze/ Analistët zbërthejnë mesazhin që Stoltenberg përçoi me deklaratën e tij!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 30 nëntor 2023 Në ora: 20:31
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Shefat e diplomacive të 31 shteteve anëtare të NATO-s në takimin që po mbahet në Bruksel më 28 nëntor kanë diskutuar ndër tjerash edhe lidhur me situatën e sigurisë në rajon. 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu shqetësimin e tij për rritjen e tensioneve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. 

Por, sipas tij, aleanca do të bëjë gjithçka në mënyrë që të ruajë stabilitetin në rajon. Këtë deklaratë, shefi i NATO-s e bëri në Bruksel, para takimit të ministrave të jashtëm të 31 shteteve anëtare të NATO-s, ku do të diskutojnë ndër tjerash edhe lidhur me situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit. 

“Ajo që shohim atje është se tensionet po rriten. Po shoh rritje të tensioneve dhe retorikë nxitëse në Bosnjë-Hercegovinë. Kemi parë incidente të rënda dhune në Kosovë duke përfshirë sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s. Janë lënduar 93 ushtarë të NATO-s, nga të cilët disa shumë rëndë. Gjithashtu kishim sulmin në Banjskë”, tha Stoltenberg, duke shtuar se "NATO do të bëjë atë që është e nevojshme për të siguruar stabilitetin në rajon”. "Kjo është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të tërë Evropën”, tha Stoltenberg. 

Kujtojmë që të gjendur në këtë situatë KFOR ka bërë të ditur që ka shtuar trupat në veri të vendit. 

Duke parë këtë situatë a është koha që ndërkombëtarët të reagojnë edhe me sanksione të ashpra ndaj Serbisë?  

Mehmeti: Vuçiq ka humbur mbështetjen në Serbi 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Faton Mehmeti. 

Ai u shpreh se ndërkombëtarët janë në dijeni për provokimet e Serbisë dhe për këtë arsye është përmendur edhe nevoja për praninë e më shumë trupave në veri. 

Image
Faton Mehmeti. 

“Sigurisht se ndërkombëtarët janë në dijeni të tendencave të Serbisë për provokim të situatës, çka shton edhe më shumë nevojën fokusim në veri dhe kufirin atje. Deklarata e sekretarit të NATO-s konfirmon edhe më shumë nevojën për përkushtim të KFOR-it për ruajtjen e sigurisë në veri”, thotë ai. 

Analisti më tej, thekson që Vuçiq do të mundohet të krijojë tensione të tjera në mënyrë që të bëjë poenë politike për zgjedhjet që do të mbahen në Serbi. 

“Vuçiqi i dëshpëruar nga humbja në tavolinë dhe dështimit në Basnjkë e çka rezulton me rënie të mbështetjes ndaj tij në Serbi ka lidh koalicion me Sheshelin, dhe hapi tjetër do të jetë tendenca për tensione tjera. Kjo mund të ndodh pikërisht tani para zgjedhjeve në Serbi për poenë politikë”, foli Mehmeti për “Bota sot”. 

Duhanaj: Deklaratat e z. Stoltenberg janë për t’u marrë shumë seriozisht 

Ndërsa, analisti tjetër politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që sulmi në Banjskë ka shqetësuar ndërkombëtarët dhe se janë të pritura reagimet për veprime për ruajtjen e paqes në Kosovë. 

Sipas tij Rusia është duke kërkuar vatra të reja të krizave. 

Image
Leon Duhanaj

 

“Zhvillimet, përkatësisht sulmi i cilësuar si terrorist ne Banjskë, është gjithsesi serioz dhe natyrisht që i shqetëson akterët ndërkombëtarë, përkatësisht NATO-n, e cila edhe është përgjegjëse për ruajtjen e paqes në Kosovë. Natyrisht që është i pritshëm reagimi dhe paralajmërimi i z. Stoltenberg, pasi që, rreziku i eskalimit të dhunës është tejet i madh. Rusia është në kërkim të vatrave të reja të krizave përmes satelitëve të saj, siç ndodhi ajo përmes organizatës terroriste Hamas, në Izrael. Njëjt synon që në regjionin e Ballkanit, përmes elementit serb, të shkaktoj ndonjë krizë të re”, potencon analisti. 

Në fund, analisti kërkon syçeltësi nga të gjithë akterët pasi duke njohur Serbinë ajo mund të provokoj përsëri Kosovën. 

“Sulmi në Banjskë ishte i tillë, por që fatmirësisht u tejkalua me sukses nga Kosova. Kjo nuk nënkupton që tashme rreziku ka kaluar, prandaj kërkohet syçelëti nga të gjithë akterët, qoftë vendorë, qoftë ndërkombëtarë. NATO, ka informacionet e veta, prandaj deklaratat e z. Stoltenberg janë për t'u marrë shumë seriozisht. Institucionet e Kosovës, duhet t'i fokusojnë kapacitetet e duhura në parandalimin e çdo tentative destabilizuese, sepse një destabilizim, nuk e ndihmon as Kosovën, por as edhe rajonin”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat