Flet Tomë Gashi: Ky është dënimi që mund ta marrin autorët e vrasjes së Liridona Murselit

Politika

Flet Tomë Gashi: Ky është dënimi që mund ta marrin autorët e vrasjes së Liridona Murselit

Nga: Naile Ejupi Më: 2 dhjetor 2023 Në ora: 09:57
Tomë Gashi

Kanë qenë të martuar dhe nga martesa kishin dy fëmijë, por nëna e tyre u vra nga një vrasës i porositur nga babai i tyre, madje pranë fëmijëve të saj, kjo është ngjarja e cila ka tronditur Kosovën mbrëmë.

Liridona Murseli, nënë e dy fëmijëve është vrarë në mbrëmjen e 29 nëntorit ku fillimisht u raportua se nuk arriti t’i ikë grabitësve që ua kishin prerë rrugën, ndërsa rasti u zbardh më 1 dhjetor, ditën kur fillimisht u arrestuan Granit Plava dhe Naim Murseli dhe sipas raportimeve të dy pranuan fajin për vrasje dhe organizim në vrasje

Naim Murseli dyshohet se e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro që t’ia vrasë gruan. Raportohet se 15 mijë ia kishte dhënë para krimit të rëndë, e 15 mijë të tjera pas vrasjes.

Pas arrestimit të tyre, Policia dhe Prokuroria e Shtetit kanë dalë me një komunikatë të përbashkët, ku u tha se ata janë arrestuar në Gjakovë dhe se është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer krimi.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast. Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftim.

Lidhur me vrasjen e Liridonës, është arrestuar edhe Kushtrim Kokalla, që raportohet të jetë nipi i Naim Murselit.

Kokalla është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes.

“Në mesin e të arrestuarve si të dyshuar për vrasjen në Prishtinë është edhe pjesëtari i FSK-së, K.K. Organet e drejtësisë janë duke hetuar rastin, por gjithashtu ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Për rastin e Liridona Murselit dhe dënimit të mundshëm të autorëve, ka folur për “Bota sot”, avokati Tomë Gashi i cili e konfirmon se ajo tashmë është vrarë.

Sipas tij, rasti është ende në pikën fillestare.

“Në këtë rast tepër të rëndë tani për tani mund të konfirmohet vetëm se Liridona është vrarë më 29 nëntor 2023. Ndërsa sa i përket vrasësit që munde të jetë emrin nuk po ia di por me mbiemër Plava dhe eventualisht shtytësit në vrasje që mund të jetë bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli rasti është ende në pikën fillestare”, deklaron Gashi.

Sipas tij, dënimi minimal mund të jetë 10 vjet, ndërsa maksimal është ai me burgim të përjetshëm.

“Për këtë hetimet e Prokurorisë dhe të Policisë do të sqarojnë rrethanat, motivin apo arsyen e vrasjes që mund të jenë edhe vrasje e porositur në rrethana tepër rënduese ku vrasja ka ndodhur duke i rrezikuar edhe të tjerët - në këtë rast fëmijët e mitur sipas ligjit penal të RKS dënimi minimal është 10 vjet dhe dënimi maksimal dënim me burgim të përjetshëm”, shton avokati.

Kush është Naim Murseli?

Murseli në Kosovë njihet për angazhimin e tij si pjesë e stafit të ngushtë të kreut të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Me një shikim të shkurtër në profilin e tij në “facebook”, shihen fotografitë e shumta që Murseli ka publikuar nga jetesa luksoze që ka bërë, në Suedi, por edhe në udhëtime të ndryshme bashkë me Pacollin.

Të shumta janë edhe fotografitë e tij me gruan, Liridonën, e cila është varrosur dje në fshatin e saj të lindjes në Gjakovë.

Sipas të dhënave që janë të disponueshme në internet, Murseli e ka kryer edhe shkollën e mesme në Gjimnazin “Agnebergs” në qytetin Uddevalla nga viti 2006 deri në vitin 2009 në Suedi, megjithatë nuk dihet se në çfarë drejtimi.

Pas kësaj, Murseli ka regjistruar Shkollën për Biznes në vitin 2010 për të diplomuar më pas. Nga viti 2011, ai ka punuar në Suedi si shitës dhe agjent i shitjes në kompani të ndryshme suedeze.

Ai gjithashtu figuron si themelues i një kompani mediale dhe se është marrë edhe me marketing në Suedi.

Naim Murseli [1990] ka qenë i martuar me Liridona Murselin dhe me të ka dy fëmijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat