Vrasjet e fundit në Kosovë e Maqedoni, analisti “jep zgjidhje”/ Ja çka duhet të bëhet të ndalen ato

Politika

Vrasjet e fundit në Kosovë e Maqedoni, analisti “jep zgjidhje”/ Ja çka duhet të bëhet të ndalen ato

Nga: Naile Ejupi Më: 6 dhjetor 2023 Në ora: 14:07
Liridona Murseli- Naim Murseli

Vrasja e Liridona Ademaj Murseli dhe vrasja e vajzës shqiptare 14-vjeçares, Vanja Gjorçevska nga Shkupi, janë dy raste të rënda që kanë tronditur opinionin shqiptar tash e disa ditë.

Vrasja e Liridona Ademajt, ishte organizuar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, ndërsa vrasja e Gjorçevskës tashmë raportohet i përfshirë edhe babai i saj.

Analisti politik, Skënder Mulliqi, thotë se është rikthyer koha e luftës me vdekjet e tilla.

Sipas tij, civilizimi i një shoqërie varet edhe nga shkalla e barazisë gjinore.

“Sikur pas lufte na është bërë kohë e vdekjes! Përjetuam vdekje të rënda të shumë motiveve. Para pak kohe u shpeshtuan vrasjet për motive të ulëta, pastaj patëm edhe disa vetëvrasje. Për të qenë e keqja edhe më e madhe pamë vrasje të grave dhe vajzave tona, që është për çdo gjykim. Kemi hapëruar në shekullin 21, e po veprojnë disa me logjikën e shekullit të kaluar, kur gruaja shqiptare ishte e deskriminuar. Civilizmi i një shoqërie matet edhe me shkallën e barazisë gjinore , e që ende nuk e kemi në nivelin e dëshiruar. Është mallkim për ata njerëz të cilët marrin guximin të ngrisin dorë mbi bashkëshortet e tyre, rasti i vrasjes nga prita që iu organizua nga bashkëshorti, Liridona Ademaj Murseli. Ky rast dhe rasti i vrasjes së një vajze shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku ishte implikuar babai i saj, me të drejtë kanë tronditur opinionin e gjerë publik. Këso vrasje të ulëta nuk jane shënuar rrallë në trevat shqiptare”, deklaron Mulliqi.

Ai përmend “mënyra” sesi mund të mbrohen gratë dhe sipas tij duhet ndryshuar mendësia e tillë.

“Duhet kuptuar të gjithë se vrasjet e gjinisë femërore nuk janë numra, ato janë vajza, motra, nëna, bashkëshorte, kolege e fqinje të dikujt. Rrënjët e diskriminimit të gruas duhet të këputen. Këtë kulturë vrastare duhet ta ndryshojmë. Femicidi nuk ju shkon popujve të vjetër, nuk ju shkon popujve të civilizuar në këtë botë. Këto vrasje të gjinisë më të bukur janë ngulfatje e shoqërisë të cilën po e ndërtojmë, e nuk e kemi ndërtuar mirë për 20 vite e më shumë, pas përfundimit të luftës çlirimtare. Duhet, të krijohen fonde të posaçme për ta mbrojtur gjininë femërore. Barabarësia e femrave me meshkujt është tipar i shoqërive të civilizuara. Dhunuesve duhet ngushtuar rrethin e veprimit me masa drakonike e ligjore. Shteti ekziston që secili të mbrohet, edhe gjinia femërore. Duhet të ndryshohet mendësia jonë, për të gjetur dhunuesit dënimin e merituar. Të rreshtohemi të gjithë për të gjetur dhunuesit dënimin e merituar. Të rreshtohemi të gjithë për të drejtat e grave, e kundër dhunës makabre që ishim dëshmitarë këtyre ditëve. Mallkimi i Zotit raftë si rrufe mbi gjakatarët! Nuk vritet bashkëshortja, e nuk vritet vajza o ju të çmendurit e shekullit!”, shton Mulliqi.

Image
Skender Mulliqi

Si ndodhi rasti i Liridona Ademaj Murseli

Liridona u vra mbrëmjen e 29 nëntorit, në një fshat të Prishtinës. Deri tani për rastin janë arrestuar tre të dyshuar.

Mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Bërrnicë të Prishtinës u krye një krim i rëndë. Para dy fëmijëve të saj, u vra 30-vjeçarja me shtetësi suedeze, Liridona Ademaj.

Atë natë, rasti u paraqit si grabitje me pasoja vrasjeje. Por, dy ditë më pas, Policia e Kosovës arrestoi tre të dyshuar lidhur me rastin, përfshirë edhe bashkëshortin e Liridonës, Naim Murselin, poashtu me shtetësi suedeze.

Murseli dyshohet se e porisiti vrasjen e Liridonës, duke i premtuar 30 mijë euro Granit Plavës që ta kryente vrasjen. Ndërsa, Kushtrim Kokalla dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Si ndodhi rasti i Vanja Gjorçevska

Nxënësja e klasës së nëntë, Vanja, ka qenë e rrëmbyer në hyrjen e shkollës ku jeton, rreth orës 7.30 të mëngjesit më 27 nëntor, gjegjësisht të hënën e kaluar.

Ajo është marrë me një automjet “Citroen”, në pronësi të të moshuarit të zhdukur nga Velesi, Pançe Zhezhovski, i cili më pas është gjetur i vdekur. Bashkë me Citroenin, ka lëvizur edhe një automjet “Reno Kangoo”. Pronarët e këtij automjeti, fillimisht janë arrestuar, por më pas janë lënë të lirë, pasi që kanë dhënë deklaratë se automjetin e kanë dhënë për shfrytëzim në parti. Përndryshe, bëhet fjalë për partinë “Treta”, e cila lidhet me katër të dyshuarit e parë dhe me të cilën udhëhiqet Palevski.

Image
Vanja Gjorçevska

Automjeti “Citroen” është djegur në fshatin e Shkupit, Brazda, në të njëjtën ditë kur është rrëmbyer Vanja, më 27 nëntor. Vajza, vetëm dy orë e gjysmë pasi që është rrëmbyer, sipas hetimit, është vrarë me pistoletë dhe më pas është varrosur, gjithashtu në afërsi të fshatit Brazda. Arma ende nuk është gjetur.

Dje, në afërsi të Velesit, është gjetur i varrosur edhe trupi i berberit, Pançe Zhezhovski. Edhe ai është vrarë në të njëjtën ditë kur është paraqitur si i zhdukur, disa ditë para vrasjes së vajzës.

Të dyshuarit të cilët janë në paraburgim e kanë dërguar policinë në lokacionin e saktë ku janë varrosur trupat.

“Për të gjitha këto janë siguruar prova materiale dhe nga kjo nuk ka ikje”, tha Bubevski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat