Rezultatet e dobëta në testin PISA, profesori tregon fajtorët/ Ja pse përmend Thaçin dhe qeverisjen e tij

Politika

Rezultatet e dobëta në testin PISA, profesori tregon fajtorët/ Ja pse përmend Thaçin dhe qeverisjen e tij

Nga: Naile Ejupi Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 12:02
Aksioni i organizatës Studentore “Reforma”

Rezultatet e ulëta të nxënësve nga Kosova në testin e PISA-s për vitin 2022, vazhdojnë të kritikohen.

Organizata Studentore “Reforma” ka mbajtur një aksion simbolik të enjten para ministrisë së Arsimit, në shenjë proteste për rezultatet e testit PISA dhe gjendjen e arsimit në Kosovë.

Ata në objektin e kësaj ministrie kanë vendosur diplomën e ministres, Arbërie Nagavci duke treguar pakënaqësitë e tyre për këto rezultate.

Nota mesatare gjatë studimeve e Nagavcit ishte 6.46.

Gjersa nga opozita kanë kërkuar shkarkimin e ministers së Arsimit, Arbërie Nagavci, kjo e fundit ka thënë se shkaktar i rezultateve të dobëta të vendit tonë në testin PISA, janë kryesisht për shkak të problemeve që ka shkaktuar pandemia në mësimdhënie dhe mësim nxënie, por shtoi se janë edhe shumë faktor të tjerë që do të mundësonte rezultate të dëshiruara.

Në vitin 2022 kemi pas një situatë pas pandemisë me një adaptim dy vjeçare ku mësimi zhvillohej me vështirësi të mëdha nga distanca me ndërprerje jo të vogla dhe kjo ka ndikuar që për shkak të situatës me pandeminë, nxënësit kanë pësuar rënie në mësim nxënie dhe këto janë dëshmuar në studime të ndryshme. Kjo është treguar edhe në rezultatet e testit Pisa në përgjithësi, jo vetëm në vendet e rajonit por edhe te ne…në të gjitha vendet që kanë qenë pjesëmarrëse këtu, kanë pas rënie në krahasim me vetveten dhe përgjithësisht dhe beso se nëse i shmangim faktorët vendor në Kosovë që mund të kenë ndikuar, pandemia është faktori i përbashkët për të gjitha këto vende që ka ndikuar te këto rezultate që u prezantuan tashmë. Gjithsesi me politikat tona ne synojmë që të sjellim deri te përmirësimi i rezultateve dhe nuk mund të them se është një faktor por mendoj se ka më shumë se një faktor që ka ndikuar në këto rezultate”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka përmendur ndryshimet në legjislativ dhe mbështetjen që kanë bërë për shkollat dhe presin që të shohin rezultatet e para në vitin 2025.

Ndërsa, profesori Faton Mehmeti, thotë se arsimi është rrënuar që nga pas lufta.

Ai fajtor kryesor e konsideron politikën, në këtë rast qeveritë e mëhershme, duke përmendur qeverinë Thaçi 1 dhe 2.

“Arsimi është rrënuar që nga paslufta, edhe pse para lufte kushtet kanë qenë të vështira mirëpo suksesi nuk ka munguar. Fajtor kryesor për gjendjen në arsim është politika, qeveria Thaçi 1 dhe 2 gjatë kohës së saj krijoi universitet pa asnjë kriter duke punësuar militantë e të cilët pastaj kanë nxjerrë kuadro të dobët, analfabetë funksionalë, e që pastaj kanë zënë vende pune në arsim. Të tillët janë pjesë e arsimit kur nuk dinë për vete”, shprehet Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Ai përmend edhe faktor tjerë që ndikojnë në rezultatet e dobëta, gjersa shton se tekstet shkollore nuk janë në përputhje me nevojat e nxënësve.

“Faktor tjetër është mungesa e angazhimit të prindërve me fëmijët e tyre, dhe së treti është mungesa e reformave në arsim. Tekstet shkollore nuk janë në përputhje me nevojat e nxënësve, si dhe me politikën që ende fut hundët në arsim. Derisa zyrat e kryetarëve të komunave shërbejnë si vend punësimi për mësimdhënësit nuk mund të pritet diçka ndryshe”, shton Mehmeti.

Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022. Kosova ka zënë vendin e 76-të nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, vendin e 77-të nga 80 për shkencë dhe më së miri ka performuar në matematikë, duke u renditur e 74-ta nga 80 vende. Matematika llogaritet si lënda kryesore në renditje.

Kosova nuk ka regjistruar rezultate të mira në testin PISA ndër vite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat