“Hisedarë” në marrëveshjen për asociacionin, analistët komentojnë paralajmërimin e Presidentes për takime me opozitën

Politika

“Hisedarë” në marrëveshjen për asociacionin, analistët komentojnë paralajmërimin e Presidentes për takime me opozitën

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 8 dhjetor 2023 Në ora: 15:48
Ramush Haradinaj, Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar një takim me partitë opozitare në lidhje me draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.  

Siç ka thënë Osmani, të gjitha partitë do t’i thërras në takim ditëve më vijim për t’i marrë shqetësimet e tyre sa i përket draftit të dorëzuar nga euro-amerikanë. Në anën tjetër, nga partitë politike kanë thënë se ende nuk kanë pranuar ftesë për takim nga presidenca, pasi deri më tani, nuk ende një datë zyrtare se kur mund të ndodhë një takim i tillë.  

Hera e fundit që Osmani i takoi liderët opozitarë më 27 shtator, tri ditë pas sulmit terrorist serb në Banjskë. 

E analistët politikë e shohin veprim të qëlluar nismën e presidentes Osmani. 

Nisma e qëlluar e Osmanit 

Image
Gani Qarri

Analisti Gani Qarri për “Bota sot” thotë se veprimi i Osmanit vjen si përgjigje ndaj kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare. 

“Duke pasur parasysh faktin se përveç nënshkrimeve të marrëveshjes nga Thaçi në vitin 2013 dhe Isa Mustafa në vitin 2015 si dhe miratimit të "asociacionit", po atë vit edhe në Kuvendin e Kosovës, me shumicën dërmuese të votave nga deputetët e PDK-së, LDK-së, "Listës serbe", AAK etj, pranimin e propozimit më të ri të Bashkimit Evropian nga Qeveria aktuale e Kosovës si dhe kërkesës së faktorit ndërkombëtar dhe rekomandimit nga raporti i Këshillit të Evropës, për nisjen e proceduara të formimit të asociacionit, ku kërkesa e Kosovës për anëtarësim në këtë institucion të rëndësishëm evropian, pret miratimin e saj, duket se Presidentja ka ndërmarr një hap të arsyeshëm, si përgjigje ndaj kërkesave dhe obligimeve ndërkombëtare, që Kosova ka marrë, me marrëveshjet e nënshkruara më herët dhe këto të dakorduara së fundi në Bruksel dhe Ohër”, shprehet Qarri. 

“Kështu që Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, ka paralajmëruar fillimisht një takim me partitë opozitare, për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët të mbarë spektrit politik të Kosovës, në lidhje me draft-statutin e Asociacionit të cilin këto parti, pak ditë më parë e kanë pranuar edhe zyrtarisht nga Bashkimi Evropian”, deklaron Qarri. 

Më tej, ai thotë se ftesa e Osmanit është hapi më i domosdoshëm për një unitet duke përfshirë edhe opozitën. 

“Dhe në situatën në të cilën gjendemi si shtet i vogël, më shumë i atakuar gjithanshëm, se sa që gëzon mbështetje, jo vetëm nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga kryeministri aktual i shtetit amë, Edi Rama, veprim i zonjës Vjosa Osmani, është hapi më i domosdoshëm, për konsultimin serioz me të gjitha partitë, ngase kjo nuk është më çështje vetëm e Qeverisë por e mbarë spektrit politik vendor, në mënyrë që edhe me përkrahjen e opozitës, e cila është hisedar më i fortë, për pranimin e këtij konstalacioni, të shoshiten idetë dhe gjendet zgjidhja më e pranueshme për vendin tonë, përderisa Kosovës, i është dhënë mundësia që, asociacioni të formohet konform parimeve të ligjeve dhe Kushtetutës së shtetit tonë”, thekson Qarri për “Bota sot”. 

Por si duhet të veprojë Kosova karshi kërkesës së BE-së për Asociacionin? 

“Përndryshe, nëse Kosova nuk i përgjigjet edhe kësaj oferte, e cila po konsiderohet, si më e akomoduara me ligjet dhe Kushtetutën e shtetit të Kosovës, ekziston rreziku real, që pas 13 viteve dialog të stërzgjatur e maratonik, BE dhe faktori ndërkombëtar, të dal me propozim vetanak dhe të kushtëzuar me vendimin "merre ose lëre" nga i cili Kosova, në çdo aspekt, do të humbte vërtetë shumë. Madje siç del nga raporti i fundit i KE-së, gjë që ka kohë, që dihet publikisht edhe nga opinioni vendor, Kosova do të ketë probleme të stërmëdha dhe të vazhdueshme me Serbinë, edhe sa i përket ligjit për kishat dhe manastiret ortodokse, pretendimet pronësore të refugjatëve serb, dhe këmbëngulja e Manastirit të Deçanit, për përvetësimin e mbi 40 hektarëve tokë, përfshi edhe pushimoret e fëmijëve dhe qendrat rekreative të punëtorë, të cilat nuk i kanë takuar kurrë Manastirit, të falura nga qeveria e Millosheviçit në kohën e okupimit klasik të Kosovës, nga Serbia hegjemoniste, të cilat me shumë durim, mençuri politike dhe koordinim të thellë ndërpartiak të të gjitha segmenteve, shoqërisë civile dhe figurave më intelektuale në vend, duhet të tejkalohen, me sa më pak dëme ndaj qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”, shpejgon Qarri. 

Për fund, Qarri thotë se njëjtë si Osmani, duhet të veprojë edhe kryeministri, Albin Kurti. 

“Kështu që duket se është koha përfundimtare, kur përveç presidentes Dr. Vjosa Osmani, njëjtë dhe i koordinuar ngushtë me presidenten e vendit, duhet të veprojë edhe kryeministri Kurti, që në këtë moment vendimtar, për të ardhmen e vendit, të arrihet përfundimisht një mirëkuptim gjithë-kosovar dhe dakordim i njëmendtë pozitë-opozitë për tejkalimin me sa më pak dhembje, të daljes me propozimet e domosdoshme për asociacionin e imponuar dhe sfidat tjera të mëdha që e presin shtetin e Kosovës në ruajtjen e rregullimit të brendshëm shtetëror nga asociacioni një etnik serb, pretendimet e Serbisë hegjemoniste për pronat stërfryera të refugjatëve serbë dhe përshtatjen e ligjeve edhe për kishat e manastiret ortodokse konform rregullave dhe kushtetutës, si dhe sfidat që e presin Kosovën edhe në planin e jashtëm, në ballafaqim me faktorin ndërkombëtar”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri. 

Kritika Osmanit e Kurtit 

Image
Nexhat Haziri

Por kritika në drejtim të Osmanit dhe Kurtit po drejton analisti Nexhat Haziri. 

“As presidentja Osmani e as kryeministri Kurti nuk kanë kredibilitet për të ndërtuar unitet politik as edhe për çështjen e asociacionit si një nga çështjet më të ndjeshme me të cilën do të përballet vendi. E para, pra presidentja e vendit është më shumë si një zëdhënëse e kryeministrit dhe partisë në pushtet, ndërsa kryeministri jo vetëm që është jo transparent në çështjen e asociacionit por nxitë përçarje dhe polarizim në skenën politike kosovare duke i ndërsyer edhe ushtrinë digjitale partiake për të bërë video e për të fyer e akuzuar liderët opozitar”, thotë Haziri. 

Ftesën e Osmanit, Haziri e sheh si tentim për ikje nga përgjegjësia për formimin e Asociacionit. 

“Qëllimi i këtij “konsensusi” politik është ikja e kryeministrit nga përgjegjësia por edhe një relativizim i gënjeshtrave që ia kishte bërë qytetarëve se gjoja me ardhjen e tij ne pushtet nuk do të ketë “zajednicë” siç e quanin asociacionin e komunave me shumicë serbe. Draft-propozimi i statutit të AKS, të cilin tashmë e kanë në qeveri dhe presidencë është shumë më i avancuar përtej parimeve të 2015 dhe kjo sikur i ka frikësuar partinë në pushtet dhe po kërkon “shpëtimin e fytyrës” tek opozita duke e ndarë përgjegjësinë”, nënvizon Haziri. 

Qeveria i ka votat në kuvend për ta formuar asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është obligim të cilin e ka marrë Kosova, dhe nuk e shoh të arsyeshëm pse opozita duhet të jetë pjesë e përgjegjësisë të cilën e ka qeveria. 

Opozita asnjëherë nuk është marrë parasysh nga kryeministri Kurti, as në kuvend e as në komisione parlamentare përmes arrogancës së votave”, përfundon për “Bota sot” analisti Nexhat Haziri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat