“Shpërthen” Naim Miftari: Në listat e veteranëve kemi edhe vrasësin e ushtarëve të UÇK-së, edhe dëshmorin e vërtetë!

Politika

“Shpërthen” Naim Miftari: Në listat e veteranëve kemi edhe vrasësin e ushtarëve të UÇK-së, edhe dëshmorin e vërtetë!

Nga: N. Shaqiri Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 22:44
Naim Miftari

Ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, ka folur për listat e veteranëve të UÇK-së.

Ai është treguar mjaftë i ashpër me rritjen e numrit në këto lista.

“Kjo askund nuk ka ndodhur në botë që edhe vrasësit e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të një populli të jenë në të njëjtën listë sikurse dëshmori i vërtetë, apo vrasësit të jenë sot figura kyçe në politikë, që deri dje ishin edhe në pushtet”, thotë Miftari.

Ai thekson se, dalja hapur e abuzuesve me listën e veteranëve, e që sipas tij janë mbi 80% veteranë të rrejshëm që luftën veç në televizor e kanë parë, tregon qartë se edhe atëherë edhe tani qëllimi ishte të përfitojnë dikush miliona nga certifikatat e shitura.

Miftari shton se, partitë politike, sidomos PDK dhe AAK, por edhe LDK e kishin për qëllim që të përfitonin nga veteranët e rrejshëm vota politike.

“E kam thënë nga fillimi se konkursi për aplikim për veteranë është bërë qëllimisht me gabime ku mundet me konkurua kushdo qoftë që ka dashtë me konkurs, pa pasur pasoja ligjore nëse është veteran i rrejshëm”, shton ai.

Sipas tij, UÇK- ja kurrë nuk ka pasur më shumë se 14.600 pjesëtarë, ndërsa termi luftëtar i betejave përveç 2000 dëshmorëve, sipas tij, nuk dalin as 2000 luftëtar tjerë që kanë luftuar.

“Nga fillimi qëllimi ishte politik pasi PDK, AAK, LDK donin që përmes veteranëve të rrejshëm t’i përfitonin dikun edhe nja 200.000 - 300.000 vota politike dhe duke bashkëpunuar bashkë ta fitonin dhe betononin pushtetin e tyre për shumë vite e dekada”, shprehet ai.

“Mos të harrojmë se përpos luftëtarëve të rrejshëm edhe numri i dëshmorëve është dyfishuar dhe kemi dëshmor të rrejshëm që pos që është sot në listën e dëshmorëve, vetëm dy ditë pasi ka hyr KFOR-i/ NATO në Mitrovicë, në lagjen Tavnik, na kishin vrarë dy ushtarë tanë të paarmatosur të UÇK-së, e sot janë dëshmor në të njëjtën listë edhe ushtarët tanë edhe vrasësit e tyre që vinin nga bandat që e keqpërdorin luftën duke u privilegjuar dhe mbështetur nga disa komandantë të Drenicës”, shton tutje Miftari.

Tutje, ai potencon se, fajet i ka vet populli pasi të keqin, hajninë, gënjeshtarin, kriminelin... e përkrahim dhe i përkulemi.

“Pra ne nderojmë vetëm të huajt, e në anën tjetër i shkelim njerëzit tonë të pastër dhe atdhetarë”.

“Sa i përket luftëtarëve po ju them vetëm këtë se luftëtarin e vërtetë s’ka pare e botës që e blenë as që e mashtron dhe e manipulon! Parat që po jepen për veteran, e që janë 80% veteran të rrejshëm, duhet me i ndalu me ligj dhe ato pare, ato fonde me shkua direkt vetëm për me ble ame ushtarake për FSK-në dhe policinë tonë, për Kosovën”, përfundon Naim Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat