PDK-ja i “ikën” bashkëpunimit për Asociacionin, analistët tregojnë arsyet

Politika

PDK-ja i “ikën” bashkëpunimit për Asociacionin, analistët tregojnë arsyet

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 21 dhjetor 2023 Në ora: 15:38
Memli krasniqi

Derisa të hënën presidentja Vjosa Osmani u takua kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku, në lidhje me asociacionin, një takim të tillë e ka refuzuar kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

Krasniqi tha se takime të tilla janë “kurtuazie” dhe nuk prodhojnë asgjë.

”Takimin për të diskutuar, siç thuhet në ftesë: ‘për zhvillimet aktuale, takim konsultativ’ dhe ku mund të flitet edhe për propozimet që lidhen me dialogun nuk kam shkuar jo për arsye të tjera por për faktin që asgjë nuk del dhe as nuk prodhohet gjë nga një takim i tillë. Është kryeministri i Kosovës ai që e ka prerogativën kushtetuese dhe përgjegjësinë ligjore që ta lëvizë përpara për sa i përket procesit të dialogut duke përfshirë edhe Asociacionin; kjo nënkupton pranimin por edhe refuzimin, apo propozimin alternativ. I takon kryeministrit”, tha Krasniqi.

Mirëpo, si komentohet kjo deklaratë dhe ky qëndrim i PDK-së? A po dëshmohet fryma jo-bashkëpunuese e PDK-së në lidhje me asociacionin dhe me çfarë arsye mund të bëhet ky veprim?

Mulliqi: Opozita nuk po është konstruktive këto dy vitet e fundit kur pushtetin e ka LVV me Listën Guxo

Image
Skender Mulliqi

Lidhur me këtë çështje, njohësi i çështjeve politike, Skender Mulliqi thotë se, duhet të kthehemi prapa, kur edhe u nënshkruan marrëveshjet e dëmshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

Asociacionin e nënshkruan Thaҫi dhe Mustafa në Bruksel me palën serbe dhe kjo temë, Kosovës tash është duke i nxjerrë telashe të mëdha.

“U firmosë Asociacioni i komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive, në shumë kohë nga përfaqësuesit e BE në maratonën e bisedimeve është bërë tema qendrore. Është bërë tema e cila nuk po na lënë me marr frymë lirshëm. Këtë gjë e bënë sikur kanë harruar PDK dhe LDK, të cilat subjekte politike për një kohë të gjatë e patën pushtetin dhe bënë gabime të mëdha si në planin e brendshëm, e aq më shumë gabuan në planin e politikës së jashtme të Kosovës. Mos të harrojmë këtu të përmendim se Asociacionit i parapriu decentralizimi i pushtetit lokal, në krye me Lutfi Hazirin në atë kohë. Opozita nuk po është konstruktive këto dy vitet e fundit kur pushtetin e ka LVV me Listën Guxo”, thekson Mulliqi.

Ai thotë po ashtu se ky mos konstruktivitet është duke i dëmtuar vetë ata, por edhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Asociacionin më shumë e konsideruan si temë, e cila i takon pushtetit, se sa si temë e interesit të Kosovës dhe të shqiptarëve në rajon.

“Kjo është mos përgjegjësi e madhe, ku po tentohet që fajin për implementimin e draft asociacionit, i cili ende nuk është bërë publik, për opinion t’ia faturojnë Qeverisë së Albin Kurtit, i cili po e udhëheq dialogun mirë. Asociacionin na e solle te dera PDK dhe tash pa asnjë arsye Memli Krasniqi, nuk i përgjigjet thirrjes së presidentes, Vjosa Osmani, që gjithçka të diskutohet së bashku. Asociacioni nuk e ka marrë formën e prerë dhe ka vend për diskutim siç e pranoj edhe Krasniqi. Frymës së unitetit ishte dashur t’i përgjigjet edhe kreu i PDK, sikur që më në fund e pa të arsyeshme t’i shkon në takim zonjës Osmani, kryetari i LDK, Lumir Abdixhiku. Vetë thirrja në takim nuk është çështje kurtuazie, siç e ka quajtur Krasniqi, dhe se një takim i tillë nuk do të sjellë asgjë”, vlerëson ai.

Tutje analisti Mulliqi thotë se, kjo është retorike bajate politike të cilën e kemi dëgjuar shumë herë nga krerët opozitarë.

“Është turp që nuk lahet që përmes Asociacionit që është temë të jesh apo mos të jesh shtet, të bëhen lojëra të tilla politike për të rrëzuar nga pushteti, Albin Kurtin. Të bërit opozitarizëm nuk është lojë kur në pyetje vjen ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial. Kosova është atdheu i të gjithëve, jo vetëm i kryeministrit dhe presidentes. Çdo implementim i ndonjë asociacioni që bie ndesh me Kushtetutën, është vdekje e pavarësisë së Kosovës, për të cilën u derdhë shumë gjak historikisht dhe në luftën e fundit çlirimtare. Këtë nuk guxojmë me harruar asnjëherë. Serbia ka qenë dhe ka mbetur një shtet grabitqar i territoreve shqiptare, nga i cili shtet na shpëton vetëm uniteti në të dyja anët e kufirit. Prandaj, mos shkuarja në bisedime të Memli Krasniqit është gabim i madh, që nuk i shërben unitetit të spektrit politik, i një peshe kaq të madhe, siç është tema e Asociacionit”, vlerëson ai.

Tahiraj: Nuk guxoni ta lejoni të krijohet një asociacion i cili do jetë një bombë e kurdisur

Image
Saim Tahiraj

Po ashtu për këtë çështje ka folur edhe Saim Tahiraj. Ai thotë për ‘Bota sot’ se, marrëveshja për themelimin e asociacionit është futur në fazën finale dhe nuk ka shumë kohë për arsyetime dhe akuza ndaj njëra-tjetrës, opozitë dhe pozitë.

“Secila ka pjesën e saj të përgjegjësisë, qoftë për suksese apo dështime, por nuk e kanë luksin të merren me to sepse koha nuk pret. Është momenti i fundit të ulen bashkërisht, pozitë dhe opozitë, të koordinohen që të nxjerrin më të mirën e mundshme. Këtë jua keni borxh popullit dhe gjeneratave të ardhshme. Nuk guxoni ta lejoni të krijohet një asociacion i cili do jetë një bombë e kurdisur, që sa herë t’i nevojitet armikut tonë shekullor Serbisë, ta aktivizoj atë dhe ta destabilizoj shtetin tonë duke e bërë jofunksional”, vlerëson ai.

Tutje, analisti Tahiraj thotë se Presidentja ka filluar mirë me ftesa për konsulltime me opozitën.

“E vlerësoj përgjigjen pozitive të kryetarit të LDK-së z. Abdixhiku dhe takimin konsultativ me Presidenten Osmani. Nuk e vlerësoj mos përgjigjen pozitive të kryetarit të PDK-së z. Krasniqi, për takim dhe konsultim me Presidenten Osmani. Mendoj se ky refuzim i kryetarit të PDK-së z. Krasniqi, më tepër ka tendencë të një përfitimi elektoral se sa një qëndrim parimor. Ky veprim është plotësisht i gabuar, i cili jo vetëm që nuk do i sjellë përfitime elektorale, por përkundrazi do i kthehet bumerang. Populli i Kosovës është lodhur me fizkultura të tilla dhe nuk i pranon më. Ai dëshiron më tepër se kurrë bashkëpunim dhe konstruktivitet për çështjet madhore të shtetit. Nuk funksionon më me xhelozi, urrejtje dhe luftë të ashpër politike, kur është në pyetje ardhmëria e shtetit dhe qëndrueshmëria e tij”, vlerëson Tahiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat