Sondazhi që “trazoi” skenën politike/ Qarri tregon pse LVV është e para: Këtë parti e pret fati i Nisma-s

Politika

Sondazhi që “trazoi” skenën politike/ Qarri tregon pse LVV është e para: Këtë parti e pret fati i Nisma-s

Nga: M.L. Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 20:14
Albin Kurti- Ramush Haradinaj- Memli Krasniqi- Lumir Adixhiku

Një sondazh i publikuar të hënën në medie që pasqyron matjen e opinionit publik se cila parti do të fitonte nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, ka trazuar skenën politike në Kosovë.  

Nga sondazhi, në kuadër të OMNIBUS-it për matjen e opinionit publik, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të printe e para në listë, duke kryesuar me 48.5 për qind. 

Ndërsa, partia tjetër që kryeson në vend të dytë është Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me 18.2 për qind, duke lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), me 17.9 për qind. 

Pas këtyre partive pason AAK-ja, e cila rezulton të ketë 6.8 për qind. 

Lista Serbe ka marrë 3.2 për qind, ndërkaq Nisma Socialdemokrate ka marrë 1.5 për qind. 

Ndërkaq, partitë e tjera janë listuar në vende më poshtë, si Lista Guxo me 0.8  për qind, PSD-ja me 0.4 për qind, ndërsa Alternativa me 0.1 për qind. 

Ndërsa, të tjera janë listuar me 2.6 për qind. 

51.3 % kanë thënë që do të votonin, 29.0 % kanë thënë se ndoshta do të votonin, 3.9% më gjasë nuk do të votonin, 12.1% definitivisht kanë thënë se nuk do të votonin, 2.7% kanë thënë se nuk e dinë dhe 1 % s’kanë përgjigje. 

Këto statistika për gazetën “Bota sot” i ka komentuar publicisti Gani Qarri.  

Qarri theksoi se mbështetja e qytetarëve për partitë opozitare ka rënë aq poshtë sa atyre nuk po iu ndihmojnë as sondazhet që i organizojnë vet e nuk arrijnë ti vërtetojnë.  

“Siç shihet edhe nga perceptimi aktual i qytetarëve dhe sondazhet e herëpashershme publike legjitimiteti, kredibiliteti dhe mbështetja e qytetarëve, për opozitën e inkriminuar, ka rënë aq poshtë, sa që nuk po arrijnë tu ndihmojnë gjë, më as sponsorizimet partiake, porosia apo edhe blerja e sondazheve të dyshimta, vërtetësia e të cilave nuk po arrin të konfirmohet asnjëherë publikisht, nga analiza dhe vlerësime të paanshme, se gjoja, njëmend ka nisur çfarëdo formë, e re, e rritjes së mbështetjes së qytetarëve për opozitën”, ka thënë Qarri për “Bota sot”. 

Image
Gani Qarri

Qarri ka përmendur disa nga faktorët që kanë ndikuar në sjelljen e këtij rezultati siç janë bllokimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, dërgimi i ligjeve të ndryshme në Gjykatën Kushtetuese etj. 

“Madje siç del nga sondazhi i UBO Consulting, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), edhe më tej, vijon të kryesojë me 48.5 për qind të besueshmërisë së qytetarëve, përderisa LDK dhe PDK kanë përqindje pothuajse të njëjtë me 17-18 për qind, gjë që dëshmon se partitë opozitare, të cilat gjatë gjithë kohës prodhojnë vetëm skandale, bllokojnë marrëveshjet ndërkombëtare, nga të cilat për gati gjatë gjithë vitit, Kosovës iu bllokuan, qindra miliona euro, ndihma financiare nga BE dhe bashkësia ndërkombëtare, si dhe pengojnë Vettingun në drejtësi dhe ecjen përpara në zbatimin e ligjeve, duke quar ato, njërën pas tjetrës në Gjykatën Kushtetuese, për të humbur sa më shumë kohë, në zvarritjen e tyre, besojë se qytetarët e Kosovës kanë 100% të drejtë, ti bojkotojnë partitë opozitare, të cilat në vijimësi tregohen kundërshtare të mirëqenies së qytetarëve dhe mbajnë qëndrime deri armiqësore, jo vetëm ndaj Qeverisë Kurti, por edhe ndaj vet shtetit të Kosovës.  

Fatkeqësisht opozita nuk tregoi asnjëherë konstruktivitet as në procesin e dialogut, duke u vendosë në të shumtën e rasteve, edhe në një vijë me Serbinë, dhe akuzuar padrejtësisht dhe në vijimësi Qeverinë e Kosovës, për çdo gjë që Serbia ndërmerrte kundër vendit tonë, madje pati deklarata të tilla të rënda e skandaloze, nga anëtarë "famoz" të kryesisë së LDK-së, sa që Policinë e Kosovës, në momentet më kritike, e krahasonte publikisht me atë të Millosheviqit, pikërisht në çastet më të rënda dhe atëherë kur njësitë tona policore sakrifikonin shëndetin dhe vinin në rrezik edhe jetën e tyre personale dhe grupore, në luftën për vendosjen e rendit e të ligjit dhe mënjanimin përfundimtar të bandave kriminale dhe terroriste serbe, në veri të Kosovës”, ka nënvizuar Qarri. 

Ai është shprehur se sondazhi i publikuar mbrëmë tregon botërisht, se qytetarët e Kosovës, kohëve të fundit, janë emancipuar jashtëzakonisht shumë politikisht. 

“Kështu që edhe sondazhi i publikuar mbrëmë, në të cilin Lëvizja Vetëvendosje prin në pyetjen se kush do të fitonte nëse zgjedhjet do te mbaheshin këtë të diele, dëshmon se jo vetëm që është i besueshëm, por edhe tregon botërisht, se qytetarët e Kosovës, kohëve të fundit, janë emancipuar jashtëzakonisht shumë politikisht dhe përcjellin me vëmendje të madhe, veprimet anti-shtetërore dhe kundër mirëqenies së qytetarëve, të opozitës dhe elementeve të inkriminuara opozitare, të cilat adut të vetëm dhe kryesor të vetin, e kanë pikërisht pengimin e rivendosjes së rendit e të ligjit, bllokimin e ecjes përpara të shtetit tonë dhe të rritjes së mirëqenies së qytetarëve duke bllokuar edhe marrëveshjet aq pozitive financiare me BE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare, për përfitimin e qindra miliona eurove ndihma monetare dhe kredi të buta, për rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe mbarëvajtjen e forcimin e shtetit të Kosovës”, ka potencuar ai.   

Më tej, publicisti Qarri ka përmendur edhe sukseset e Qeverisë Kurti në veri të vendit, duke rikujtuar se qytetarët vazhdojnë të jenë të revoltuar nga qeverisjet e kaluara që nuk sollën rezultate në këtë drejtim.  

“Duke pasur parasysh rendin dhe qetësinë shembullore, të pa njohur tash e mbi 24 vite në veri,  ku për herë të parë, pas gati një çerek shekulli, është bërë shtrirja e plotë e sovranitetit institucional dhe shtetëror të Kosovës, janë eliminuar bandat kriminale dhe ndaluar me ligj organizatat terroriste si të ashtuquajturat "brigada e veriut" dhe "mbrojtja civile", janë zëvendësuar targat ilegale me ato legjitime RKS të shtetit tonë, të cilat pas mese 12 vitesh, në mes tymit e flakëve të protestave masive, që aktualisht po mbahen në Beograd, (sapo) u detyrua që ti pranonte ndërkombëtarisht edhe vet Serbia hegjemoniste, kryeterroristi Milan Radojçiq dhe 19 bashkëterroristë e bashkëmilitantë të tij, u shpallën në kërkim me "Red Notice" ("Njoftim të Kuq") ndërkombëtar nga Interpoli, e gjithë kjo donë të thotë se qytetarët me shumë të drejtë, janë po aq të revoltuar me qeverisjet e kaluara, sa që LVV-ja, vazhdon tu duket opsion me i mirë, ekzistues, madje edhe i pa alternativë në aktualitetin tonë politik”, ka theksuar Qarri 

Këtij sondazhi, sipas analistit mund ti falet besimi edhe për faktin se në LDK vazhdon “diktatura” e përzgjedhjes së kryetarëve, me diktime  nga lart. 

“Nëse dikur  hesapet qëroheshin me karrige, apo tërhiqej zvarrë zonja Gërvalla, para pak kohe në Kuvendin e dhjetë zgjedhor të kësaj partie, u përjashtua i vetmi kundër kandidat rival, në mënyrë që Lumir Abdixhiku të rizgjidhej kryetar i Lidhjes Demokratike pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë kundër kandidatë, njëjtë si në kuvendet e partive diktatorialo-komuniste, duke u refuzuar në mënyrë arbitrare, jo vetëm kandidatura e Faton Bislimit nga Kryesia e kësaj partie, por atij, nuk iu lejua as ta merrte fjalën, që të paktën, ta shprehte mendimin e tij të lirë, njëri nga aktivistët më të zot dhe të dinjitetshëm të LDK-së. 

Shto kësaj faktin tjetër, se kryetari aktual i LDK-së, pas skandalit në zgjedhje, ka porositur edhe sondazhe partiake, për zbukurimin e imazhit të vet, e të mos flasim edhe për PDK-në kryetarin aktual të së cilës, ithtarët e Thaçit as që duan ta shohin në krye, apo AAK e cila po shkon me shpejtësi marramendëse, rrugës së Nismës së Fatmir Limës, bazuar në mungesën e ideve, varfërinë e kreativitetit politik dhe pengesave e bllokadave të gjithanshme të partive opozitare, nga perceptimi i përgjithshëm qytetarë, si dhe argumentet e lartcekura, serish del se sondazhi i UBO Consulting, mbetet më i besueshmi për opinionin publik të Kosovës dhe deshën apo jo, partitë opozitare, LVV vazhdon të prij në besueshmërinë e qytetarëve”, ka përfunduar Qarri. 

Ndryshe, sipas sondazhit të UBO Consulting , nëse këto zgjedhje do të mbaheshin, atëherë VV-ja do të kishte ulëse 53 deputetë. 

Ndërsa, PDK-ja do të kishte 20 ulëse. Njëjtë do t’i kishte edhe LDK-ja – 20 deputetë. 

Kurse, AAK-ja do t’i kishte 7 deputetë e minoritetet 20 ulëse të cilat i kanë të rezervuara. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat