“Fundi i janarit normalizon raportet Kosovë-Serbi”/ Analistët për deklaratën e Lajçakut: Serbia mori ‘mesazh’

Politika

“Fundi i janarit normalizon raportet Kosovë-Serbi”/ Analistët për deklaratën e Lajçakut: Serbia mori ‘mesazh’

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 6 janar 2024 Në ora: 08:11
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë- Serbi mund të ndodhë para fundit të janarit, të paktën kështu ka deklaruar i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Lajçak është shprehur se shtetet anëtare të unionit, e kanë ngarkuar bllokun evropian që zotimet e Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja të përfshihen në Kapitullin 35 të negociatave me Serbinë.

“Ndërkohë, shtetet anëtare të BE-së e kanë ngarkuar BE-në që zotimet e Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja të përfshihen në Kapitullin 35 të negociatave me Serbinë, i cili mbulon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, para fundit të janarit 2024. Pra, këtu kemi një afat të qartë kohor për formalizimin e Marrëveshjes si pjesë e marrëveshjes kontraktuale me BE-në dhe e kritereve të anëtarësimit të Serbisë”, pati deklaruar Lajçak.

Emisari evropian më tej është shprehur se janë të gatshëm të bëjnë rregullimet e arsyetuara dhe të japin sqarime për draft statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që u propozua së fundmi nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajçak e ka lënë të hapur mundësinë për ndryshimin e këtij dokumenti, duke thënë se kjo mund të bëhet veçanërisht për ta përmirësuar lexueshmërinë e tekstit dhe për ta bërë atë më të kuptueshëm.

“E kuptojmë rëndësinë e qartësisë së plotë në lidhje me këtë dokument dhe kemi kënaqësinë t’i përgjigjemi secilës pyetje që lidhet me të. Në të njëjtën kohë, jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të arsyetuara dhe sqarime, veçanërisht për ta përmirësuar lexueshmërinë e tekstit dhe për ta bërë më të kuptueshëm”, ka thënë emisari evropian.

Analistët politikë tregojnë sesi mund të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve Kosovë- Serbi, gjersa shtojnë se zbatimi i marrëveshjes për targa nga ana e Serbisë është shenjë se ky normalizim ka filluar.

Zbatim i pjesshëm i marrëveshjeve

Analisti politik Blerim Burjani, përmend disa pika sesi mund të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve Kosovë- Serbi.

Sipas Burjanit, fillimisht janë zgjedhjet në veri, pastaj asociacioni dhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit nga ana e Serbisë.

“Kërkesa është e qartë, tash varet nga Kosova se a do ta formalizojë apo jo dhe të jap fjalën e saj për një draft të tillë. Për këtë draft pastaj duhet të kërkohet vendimi i Gjykatës kushtetuese, pastaj mbahen zgjedhjet në veri dhe formohet asociacioni. 2.Është e mundshme nëse ka pajtim pozitë- opozitë, kjo varet së pari nga Kurti për t’i thënë po, pastaj të kërkohet pëlqimi i opozitës, skenari i dytë Kurti nëse nuk pranon atëherë shkojmë në zgjedhje. 3. Serbia nëse do të zbatojë pjesërisht marrëveshjen e Ohrit. Ajo ka filluar t’i zbatojë marrëveshjet, por jo deri në fund, pra nuk do ta zbatojë disa pikat i ka pranuar, e disa jo”, pohon Burjani.

Image
Blerim Burjani

Në anën tjetër, janari ka filluar “mbarë” për të dyja vendet.

Nga 1 janari i këtij viti makinat me targa të Kosovës lejohen të hyjnë edhe në Serbi pa i mbuluar simbolet shtetërore (RKS), pas një periudhe të gjatë tensionesh ndërmjet dy vendeve. Autoritetet serbe thanë, se vendosën të lejojë lëvizjen e makinave me targa të Kosovës, por në vendkalimet kufitare ata vendosën afishe, në të cilat thuhet se "mundësimi i kalimit të kufirit me targa RKS bëhet për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës".

Ndërsa, Qeveria e Kosovës mori vendim të enjten vonë që të lejojë hyrjen në Kosovë të makinave me targa serbe, pa i mbuluar simbolet shtetërore të Serbisë (RS). Në këtë mënyrë Kosova hoqi masën reciproke vetëm pak ditë pasi Serbia mori vendim të ngjashëm për makinat me targa të Kosovës. Vendimi i Kosovës hyn në fuqi sapo të publikohet në gazetën zyrtare. "Heqja e regjimit të letër ngjitëseve është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”, thuhet në njoftim të qeverisë së Kosovës.

Goditja e parë dhe më e rënda për Serbinë

Ndërsa, analisti politik Gani Qarri, thotë se BE përfundimisht i ka vendosur kushtëzimet e para shtesë edhe Serbisë në kriteret për anëtarësimin e saj në BE.

Sipas Qarrit, vetë miratimi zyrtar i konkluzave të Këshillit të ministrave të BE-së për Serbinë është dëshmi se Serbia më në fund mori mesazhin serioz të rrezikut për izolim nga BE.

“Vet miratimi zyrtar i konkluzave të Këshillit të Ministrave të BE-së për Serbinë, është dëshmi se Serbia më në fund, mori mesazhin serioz të rrezikut për izolim nga BE, si dhe paralajmërimin ultimativ për normalizim dhe njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si shtete të pavarura, që në fakt është edhe kriteri fondamental për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe pjesë integrale për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Pas letrës së qeverisë serbe drejtuar BE-së, se Serbia përkundër dakordimit në Bruksel dhe Ohër, nuk do ta pranojë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE, ndërmjet Kosovës e Serbisë, nuk njeh integritetin territorial të Kosovës dhe se do të vazhdojë ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat tjera ndërkombëtare, mos bashkëpunimi i Serbisë me faktorin ndërkombëtar, për zbatimin e marrëveshjeve që qojnë në normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve që do të hapnin rrugën për integrime të përshpejtuara euro-atlantike, duket se pas mese 12 viteve dialog maratonik, ka lodhur shumë faktorin ndërkombëtar, si dhe vet Bashkimi Evropian me mashtrimet e vazhdueshme të Serbisë hegjemoniste, improvizimet cinike, si dhe nxitjet e pareshtura të situatave konfliktuoze në Kosovë dhe për Kosovën. Kështu që siç deklaroi javën e fundit të dhjetorit edhe i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, BE ka bërë të ditur afatin e qartë kohor për formalizmin e marrëveshjes si pjesë e marrëveshjes kontraktuale me BE-në dhe përfundimisht duket se do t’i vendosen kushtëzimet e para shtesë edhe Serbisë, në kriteret për anëtarësimin e saj, në BE. Vet miratimi zyrtar i konkluzave të Këshillit të Ministrave të BE-së për Serbinë, është dëshmi se Serbia më në fund, mori mesazhin serioz të rrezikut për izolim nga BE, si dhe paralajmërimin ultimativ për normalizim dhe njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si shtete të pavarura, që në fakt është edhe kriteri fondamental për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe pjesë integrale për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, thekson Qarri.

Image
Gani Qarri

Tutje, sipas tij, bazuar në rrethanat aktuale politike e të sigurisë, goditja e parë dhe më e rënda për Serbinë është bërë pjesën e konkluzioneve ku thuhet qartë se përparimi në sundimin e ligjit në Serbi dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe inkorporimi i konkluzioneve nga fundi i janarit

“Lajçak është shprehur se shtetet anëtare të unionit, e kanë ngarkuar bllokun evropian që zotimet e Serbisë të cilat rrjedhin nga Marrëveshja të përfshihen në Kapitullin 35 të negociatave me Serbinë, i cili mbulon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, para fundit të janarit të vitit 2024. Kjo dëshmon se pas thirrjes që 13 kryesues të komiteteve për punë të jashtme nga vendet kryesore të BE-së, drejtuar Josep Borrell-it, dhe emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, po ndodh edhe miratimi zyrtar i konkluzave të Këshillit të Ministrave të BE-së për Serbinë, që ndërlidhet me ndryshimin e Kapitullit 35 për integrim, në të cilat Komisioni Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së i propozojnë Këshillit të Evropës, që para fundit të janarit të këtij viti, të futen ndryshimet në kriteret e kapitullit 35 në negociatat e Serbisë me BE-në, si reflektim për detyrimet të cilat rrjedhin për Serbinë, nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”.

“Bazuar në rrethanat aktuale politike e te sigurisë, kjo është goditja e parë dhe më e rënda për Serbinë, në pjesën e konkluzioneve ku thuhet qartë se përparimi në sundimin e ligjit në Serbi dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe inkorporimi i konkluzioneve nga fundi i janarit, në kapitullin 35, do ta përcaktojnë ritmin e përgjithshëm të negociatave për anëtarësim e Serbisë në Bashkimin Evropian. Këshilli rithekson edhe pritshmërinë për të rritur përpjekjet e Serbisë, drejt harmonizimit të politikës së saj, me qëndrimet e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, si dhe përmbajtjen e politikës serbe, nga deklaratat kundër qëndrimeve të BE-së edhe sa i takon Kosovës”, shprehet analisti.

Zbatimi i marrëveshjes për targat, është një ndër shenjat e para se Serbia është e detyruar nga faktori ndërkombëtar të angazhohet për normalizim, thotë Qarri.

“Në dokumentin final të BE-së, nga Serbia kërkohet edhe ndëshkimi i sulmeve terroriste në veri të Kosovës dhe dënohen fuqishëm aktet kriminale të bandave serbe, kundër qytetarëve, forcave paqeruajtëse me 29 maj 2023 kur u plagosën mese 93 ushtar të KFOR-it, autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe mediave, si dhe dënon sulmin terrorist serb të 24 shtatorit 2023 në veri, ndaj Policisë së Kosovës dhe kërkon nga Serbia që të bashkëpunojë plotësisht për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve me Kosovën, gjë që me fillimin e zbatimit të marrëveshjes për targat, Serbia, sikur jep shenjat e para, se është e detyruar, nga faktori ndërkombëtar, të angazhohet për normalizim”, përfundon analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat