Këto shtete e kanë raportin ndërkombëtar për sulmin terrorist në Banjskë, ekspertët tregojnë arsyen e mos-publikimit!

Politika

Këto shtete e kanë raportin ndërkombëtar për sulmin terrorist në Banjskë, ekspertët tregojnë arsyen e mos-publikimit!

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 15 janar 2024 Në ora: 13:18
Pamje nga Banjska

Sipas deputetes konservatore britanike, Alicia Kearns një vend i ka hetimet për sulmin terrorist serb në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, sulëm ky që ndodhi para tre muajsh në Kosovë. 

“Unë e di që një vend tjetër – një vend i Five Eyes – ka me të vërtetë një hetim të tërë, por ata nuk janë të gatshëm t’i publikojnë ato rezultate. Kështu që, unë mendoj se në Mbretërinë e Bashkuar duhet të dalin me rezultate duke shpjeguar saktësisht se çfarë ndodhi atë ditë sepse Vuçiq ende thotë se ajo që ndodhi atë ditë, nuk ka ndodhur”, u shpreh Alicia Kearns, gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme të Sekretarit të jashtëm britanik, David Cameron. 

SHBA ose Britania e madhe si opsione 

E lidhur me pohimin e deputetes Kearns, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi thotë nga aleanca “Five Eyes”, vetëm tri shtete kanë trupa në Kosovë. 

“Nga pesë anëtarët e aleancës së inteligjencës “pesë yjet”, aleancë kjo e ngritur që nga mesi i luftës së dytë botërore, tri prej tyre kanë trupa në Kosovë, që janë SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Kanadaja, ndërsa Australia dhe Zelanda e Re nuk kanë trupa në kuadër të KFOR-it në Kosovë. Kanadaja ka vetëm 5 trupa të saj në kuadër të misionit të KFOR-it përderisa SHBA-ja dhe Britania e Madhe mbesin kontribuuesit më të mëdhenj. SHBA-ja dhe Britania e Madhe në kuadër të forcave të tyre kanë edhe misionet e inteligjencës, vëzhgimit dhe zbulimit por që veprojnë po ashtu në kuadër të Batalionit të KFOR-it për Mbikëqyrje dhe Zbulim të Inteligjencës”, shprehet Kuçi. 

Image
Gurakuç Kuçi

Sipas tij, shteti që mund t’i ketë hetimet për sulmin terrorist në Kosovë është SHBA ose Britania e Madhe. 

“Pra, si opsione na mbeten vetëm SHBA-ja dhe Britania e Madhe, ku po besoj që të dyja janë të përfshira në këtë çështje. Por, përderisa deputetja britanike Alicia Kearns ka qenë më e zëshmja në procesin e sigurisë në Kosovë dhe ka zbuluar fakte të infiltrimit të terroristëve serbë në Kosovë që shumë muaj më parë, më gjasë ajo ka aluduar për vendin e saj. Ky argument forcohet edhe më shumë nga qëndrimet të cilat i mbajti edhe Sekretari i jashtëm i Britanisë, z. David Cameroon, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë dhe pastaj”, thekson Kuçi. 

Më tej, ai shton se mos publikimi i hetimeve ndërkombëtare, mund të jetë mjet për presion diplomatik ndaj Serbisë. 

“Hetimet ndërkombëtare nuk publikohen për faktin se sulmi terrorist në Banjskë është duke u përdorur si mjet diplomatik që Serbia të lëshoj pe dhe të mos linçohet e sanksionohet për shkak të sulmit terrorist, apo në anën tjetër nëse vazhdon me qëndrimet e njëjta atëherë hetimet do të publikohen. Publikimi i hetimeve nënkupton pastaj sanksionim të Serbisë dhe ndryshim të procesit të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe afrimit të Serbisë me Perëndimin në përmasa armiqësore”, shprehet Kuçi. 

“Andaj, jo rastësisht gradualisht duke filluar me z. Cameroon presioni perëndimor ka filluar t'i shtohet Serbisë duke iu përmendur edhe publikimi i mundshëm i hetimeve për rastin e Banjskës dhe znj. Kërns është pjesë e kësaj diplomacie. Pra, me gjasë, nëse Serbia nuk bën hapa adekuat në kuadër të paqes me Kosovën dhe rrugën drejt perëndimit, mund të publikohen hetimet për rastin në Basnjskë që e infiltrojnë drejtpërdrejt Serbinë dhe kështu kjo e fundit do të sanksionohet. Këto janë momente diplomatike që Kosova duhet t’i shfrytëzojë shumë”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi. 

Mjet presioni ndaj Serbisë 

Image
Enver Bytyçi

Kurse sipas profesor Enver Bytyçit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të jenë ato që kanë kryer hetimet dhe kanë raportin ndërkombëtar për sulmin terrorist në veri të Kosovës. 

“Raportin besoj se e ka përgatit Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por edhe mund të jem i gabuar. Nuk besoj se gaboj kur them se ai raport është një akt-akuzë e rëndë për regjimin e Beogradit dhe kreun e këtij regjimi, Aleksandër Vuçiq. Është akuzë gjithashtu për strukturat e shtetit të Serbisë, BIA-n e Aleksandër Vulin, ministrin e Brendshëm, atë të mbrojtjes dhe ministrin e Jashtëm të Serbisë, si dhe për shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe. Është shuplakë edhe për institucione të tjera, si Kisha apo zyra që nuk kanë asnjë lidhje me dhunën, përkundrazi, predikojnë paqen”, thotë Bytyçi. 

Ashtu si Kuçi, edhe Bytyçi deklaron se mos publikimi i raportit mund të jetë mjet presioni ndaj Serbisë. 

“Pse nuk publikohen të dhënat që përmban ai raport. Ndoshta mbahet në sirtar si mjet shtrëngese dhe presioni ndaj presidentit serb për të ndryshuar kursin e tij anti-perëndimor. Fillimisht kujtdo këtu i shkon mendja. Dhe është logjike që diplomacia ndërkombëtare të përdorë mjete shtrënguese të tilla për të garantuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë e në rajon. Implikimi i plotë i shtetit serb në atë akt terrorizmi mund të shërbejë edhe si bazë për akuzë penale ndërkombëtare për liderët serbë të implikuar. Kësisoj duket qartë se presioni është qëllimi i mos publikimit të tij”, deklaron Bytyçi. 

“Sigurisht që deputetja Kearns e di se cili prej këtyre shteteve ka kryer investigimin në fjalë. Por etika diplomatike dhe politike nuk e lejon ta bëjë këtë publike. Ndërkaq Britania e Madhe si pjesë e pesëshes është në dijeni të përmbajtjes së atij raporti. Por i takon shtetit që ka ndërmarrë këtë hetim që të informojë publikun për gjetjet e tij. E sigurt është se kur deputetja britanike flet për një raport të tillë, kjo dë të thotë se ai raport ka provuar fajësinë e plotë të shtetit serb dhe presidentit Aleksandër Vuçiq për atë akt terrorist në veri të Kosovës. Është e sigurt se zonja Kearns më atë deklaratë dëshiron të provojë vërtetësinë e akuzave që ajo o ka bërë Serbisë dhe presidentit të saj sa i përket provokimeve të Beogradit kundër Kosovës. Sidomos akuzën se kisha serbe shërben si depo armatimi për akte të tilla terroriste”, përfundon për “Bota sot”, profesor Enver Bytyçi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat