“Kosova është duke u blinduar nga NATO pasi rreziku...”/ Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare ndez alarmin

Politika

“Kosova është duke u blinduar nga NATO pasi rreziku...”/ Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare ndez alarmin

Nga: P.Rudi Më: 27 janar 2024 Në ora: 14:02
Foto ilustrim

Pavarësisht sulmit terrorist që organizoi në shtatorin e vitit të kaluar në Kosovë, Serbia po vazhdon të përkëdhelet nga Bashkimi Evropian, i cili ka hezituar deri më tani që të sanksionojë shtetin serb.

E krejt kjo sipas doktori të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe hulumtuesit në institutin për studime të luftës hibride “Octopus”, Gurakuç Kuçi po ndodhë për shkak të ndryshimit të qasjes së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor pas fillimit të luftës në Ukrainë.

“Dinamika gjeopolitike dhe tendenca e mbylljes së sferave të ndikimit pas fillimit të luftë në Ukrainë ka ndikuar në mënyrë të dukshme në qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor. Në kontekstin e sulmit të fundit terrorist në Kosovë dhe mungesën e sanksioneve ndaj Serbisë, disa faktorë mund të shpjegojnë këtë situatë”, shprehet Kuçi.

Image
Gurakuç Kuçi

Sipas tij, joshja që BE i ka bërë Serbisë, ka ndikuar që kjo e fundit ta keqpërdor këtë.

“Në përpjekje për ta përfshirë nën ombrellën e sigurisë Perëndimore edhe Serbinë, bashkësia ndërkombëtare ka mbajtur një politikë e cila e ka toleruar me qëllimin e joshjes shumë herë Serbinë. Kjo i ka krijuar hapësirë Serbisë që të keqpërdorë “politikën e paqëtimit” të Perëndimit.  Përveç kësaj, Serbia ka vazhduar përkundër joshjeve, lidhjet e saj të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Vendet perëndimore janë munduar që ta joshin dhe ndalojnë radikalizmin e Serbisë, mirëpo kjo ka prodhuar kundërefekt dhe Serbia eskaloi deri në masën e angazhimit në sulme terroriste si ai në Banjskë”, deklaron doktor Kuçi për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se edhe qëndrimet jo unike brenda bashkësisë ndërkombëtare, kanë pamundësuar sanksionimin e Serbisë.

“Po ashtu, edhe divergjencat në bllokun Perëndimor për qasje më të ashpër apo jo ndaj Serbisë, kanë mundësuar që kjo e fundit të i shmanget ndëshkimit për veprimet e saj terroriste të sulmit në Banjskë. Këto divergjenca si duket po tregojnë se për perëndimin sanksionet ndaj Serbisë nuk janë një zgjidhje e përshtatshme”, thekson Kuçi.

“Serbia pas Banjskës mori edhe disa hapa për t’iu shmangur sanksioneve sic ishte zbatimi i marrëveshjes për çështjen e targave të Kosovës dhe njohja e pasaportave. Këto veprime bënë prape një efekt që Perëndimi t’i shmanget sanksioneve ndaj Serbisë”, shton Kuçi.

Për fund, doktor Kuçi deklaron se ka një rrezik real për një konflikt të armatosur në Ballkanin Perëndimor.

“Por asnjë situatë nuk është e përhershme, mjetet të cilat Serbia është duke i prodhuar në kuadër të “luftës hibride” do të prodhojnë prapë situata të cilat nuk mund ta mbajnë gjatë një status quo. Kemi pa që Kosova, të themi është duke u blinduar nga forcat e NATO-së pasi rreziku i një lufte me mjete jokonvencionale është real. Gjendja mund të ndryshoj shumë shpejt dhe Kosova duhet të vazhdoj të kërkoj një përgjigje ndërkombëtare efektive ndaj Serbisë për sulmin në Banjskë dhe gjithsesi të publikohet një raport hetues real i ngjarjeve të ndodhura me 24 shtator”, përfundon për “Bota sot”, doktori të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe hulumtues në institutin për studime të luftës hibride “Octopus”, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat