Konsiderohet i “pavlerë” kundërshtimi i Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, këto janë arsyet

Politika

Konsiderohet i “pavlerë” kundërshtimi i Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, këto janë arsyet

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 27 mars 2024 Në ora: 16:17
Flamuj të vendosur para ndërtesës së Këshillit të Evropës në Strasburg. 14 mars 2022.

Sot (e mërkurë) ka nisur mbledhjen Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, ku pritet të votohet raporti i Dora Bakojanis, raportuese për Kosovën në KiE.

Në Kosovë presin që raporti të marrë dritën e gjelbër dhe të kalojë për shqyrtim në Asamblenë Parlamentare, i cili do t’i hapte rrugë më pas vendimit final nga Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtme.

Por, Në Mal të Zi kanë paralajmëruar votë kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Partia Demokratike Popullore (PDP) në pushtet në Mal të Zi e ka mbështetur deputeten e vet, Maja Vukiçeviq, si kryetare e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), për të votuar kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

“Përkrahja e plotë i është shprehur nënkryetares së partisë, Maja Vukiçeviq, kryetare e delegacionit malazez në APKE, që të votojë kundër pranimit të të ashtuquajturës Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, thuhet në deklaratën e partisë të publikuar më 24 mars.

Batusha: Ne kemi raporte shumë të mira me shtetin fqinjë dhe besojmë që të tilla do të mbeten, pavarësisht qëndrime të një partie të caktuar

Image
Agon Batusha

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Agon Batusha për “Bota sot”, shprehet se këto janë qëndrime të një partie, e jo qëndrime të vet shtetit të Malit ti Zi, sepse Kosova ka një fqinjësi të mirë me Malin e Zi.

“Ky është qëndrim i një subjekti politik në Malin e Zi. Natyrisht që është shqetësuese për ne, sidomos në fazën ku jemi. Uroj që këto qëndrime partiake të mos bëhen qëndrime të vetë shtetit apo institucioneve të Malit të Zi. Ne kemi raporte shumë të mira me shtetin fqinjë dhe besojmë që të tilla do të mbeten, pavarësisht qëndrime të një partie të caktuar”, deklaron ai.

Lama: Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, pas largimit të Rusisë nga kjo organizatë, ekziston një shumicë solide në përkrahje të Kosovës

Image
Alma Lama

Ish-ambasadorja Alma Lama, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se kjo është e pritshme nga partia në pushtet e përbërë nga deputetët prorusë e proserbë.

Por, sipas Lamës, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar sepse me largimin e Rusisë nga kjo organizatë, ekziston një shumicë solide në përkrahje të Kosovës.

“Është e pritshme se deputetë të partisë pro rusë dhe proserbre në Mal të Zi të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Siç e dini, votimi i deputetëve është i lirë dhe disa deputetë nga Mali i Zi nuk mund të ndryshojnë rrjedhën e votimit për anëtarësimin e Kosovës, kur të vije momenti.

Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, pas largimit të Rusisë nga kjo organizatë, ekziston një shumicë solide në përkrahje të Kosovës. Nga ana tjetër qëndrimi i qeverisë së Malit të Zi është pozitiv në raport me anëtarësimin e Kosovës”, potencon ajo.

Rugova: Ky veprim do të ishte lajm i keq për raportet shumë të mira mes Kosovës dhe Malit të Zi

Image
Naser Rugova

Ish-deputeti i LDK-së, Naser Rugova, veprimi i Malit të Zi, shkakton luhatje serioze dhe bie ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë duke e dërguar Malin e Zi në anën e Serbisë dhe Rusisë.

“Qeveria aktuale e Malit të Zi është shumë heterogjene me elemente të partive serbe që haptas kanë orientim pro serb dhe pro rus. Por atë qeveri e përbëjnë edhe shqiptarët, kusht për pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë qeveri ka qenë orientimi pro perëndimor dhe qëndrimi zyrtar për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Një vendim i tillë i mundshëm nga delegacioni malazez në APKE së pari shkakton luhatje serioze të qeverisë së këtij shteti, bie ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë dhe e shpie Malin e Zi në anën e Serbisë dhe Rusisë që do kishte pastaj konsekuenca serioze për vet Malin e Zi në rrugën e integrimit në BE dhe si vend anëtar i NATO-s”, thotë ai.

Më tej, thotë se Mali i Zi nuk duket se ka e luksin për të bërë aventura.

 “Ky veprim do të ishte lajm i keq për raportet shumë të mira mes Kosovës dhe Malit të Zi, do të afektonte edhe marrëdhëniet rajonale që sipas mendimit tim do e dëmtonin më së shumti vet shtetin malazez dhe qeverinë e këtij shteti duke u bërë apriori pjesë e projektit "Bota Serbe". Vlerësoj se Mali i Zi nuk e ka luksin si në rrafshin e brendshëm edhe në atë të jashtëm të bëjë aventura të tilla”, përfundon ai për “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat