Shkuarja në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë: Ndërmjet lojërave politike dhe realitetit faktik/ Pse kërkesa e opozitës është e (pa)mundur?

Politika

Shkuarja në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë: Ndërmjet lojërave politike dhe realitetit faktik/ Pse kërkesa e opozitës është e (pa)mundur?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 29 mars 2024 Në ora: 08:11
Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku

Pavarësisht se shteti i Serbisë në vazhdimësi po kërcënon me luftë dhe sulme terroriste, opozita e Kosovës tash e një kohë po kërkon zgjedhje të reja në Kosovë. Madje PDK, sot e zyrtarizoi edhe kandidatin e tyre për kryeministër, Bedri Hamzën. E për zgjedhje të reja është deklaruar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ju e dini se unë moti jam për zgjedhje. Kam thënë se opsioni më i mirë është të shkohet në zgjedhje, por tash të gjithë po thonë se duhet sivjet. Ky vit i ka disa muaj dhe unë nuk mund të them se cila është koha më e mirë për të shkuar në zgjedhje, por ju e keni dëgjuar edhe kryeministrin që ka thënë se do të ishte në mbështetje të ndonjë iniciative të opozitës sa i përket shkuarjes në zgjedhje”, tha ai Konjufca.

Vendos Albin Kurti

Por sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçit, pavarësisht kërkesës së opozitës, është kryeministri Kurti ai që vendos nëse vendin do ta dërgojë në zgjedhje të reja.

Opozita në Kosovë ka folur vazhdimisht për zgjedhje të parakohshme. Madje përdorin terma të tillë si “Kjo qeveri ka rënë”! “Albin Kurti është i ikur”! etj. Më së shumti këto zgjedhje të parakohshme i ka kërkuar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Por jo pak edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike. Për Fatmir Limajn, Behgjet Pacollin e Dardan Molliqajn “Qeveria Kurti është katastrofë”! Prandaj dhe për këto tri parti jo-parlamentare Kurti nuk konsiderohet kundërshtar, por armik! Ata thonë se “Kurti është armik i Kosovës”! Kurse Lushtaku thotë se zgjedhjet duhen bërë se “Kurti është njësoj si Milosheviçi”! Ndërkohë Lidhja Demokratike është në traditën e vet. Në përgjithësi kjo parti nuk bën fushata populiste denigruese. Por herë pas here edhe LDK-stët kanë folur për zgjedhje të reja të parakohshme. Kryeministri Kurti ua ka kthyer me njëfarë intrige përgjigjen: “Po, hajdeni kur të doni shkojmë në zgjedhje”, thotë ai. Edhe para pak javësh e përsëriti këtë përgjigje. Por në vend të flitet për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, debati u kurthua në atë se qysh e si do shkohet. I thanë Kurtit “hajde ta votojmë në parlament shpërndarjen e tij”! Po derisa Kurti i ka votat në parlament, është ai që vendos nëse shkohet ose jo në zgjedhje të parakohshme. Nëse në parlament votohet shpërndarja e tij, atëherë do të thotë se është Kurti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja. Nëse jo, atëherë partitë e opozitës që përsërisin vazhdimisht melodinë e zgjedhjeve dështojnë”, shprehet Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Siç thotë ai, opozita kryesore nuk ka interes të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Nëse do ishte dikush i interesuar për këtë, kjo parti është Vetëvendosja. Për disa arsye: E para, se është e kuptuar mjaft lart në sondazhet që janë bërë. E dyta, se Vetëvendosja ka interes të bëhen zgjedhje para nëntorit, para zgjedhjeve në SHBA, ku mund të fitojë Donald Trump. Ka shanse që fitorja e saj të jetë më e madhe kësisoj. Por nëse Grennell p.sh fillon e vepron kundër zotit Kurti si në vitin 2020, për ta dëmtuar në zgjedhje, shanset për Vetëvendosjen do të ishin më të mëdha. Në Kosovë qytetarët nuk e durojnë arrogancën e askujt, as të ndonjë amerikani. Nuk janë dele siç janë shumica këtu në Shqipëri. Por ka edhe një çështje tjetër. Të kërkosh zgjedhje të parakohshme, kur zgjedhjet e rregullta do të bëhen pas dhjetë muajsh më duket se është paradoks i madh. Nuk e di çfarë fiton opozita apo mazhoranca. Nuk është praktikë e asnjë vendi në Evropë që të kërkohen zgjedhje të parakohshme në vitin e fundit të mandatit. Vetëm nëse ndodh ndonjë krizë e thellë politike, sociale apo ekonomike, apo të gjitha bashkë. Teorikisht nuk ka sens të flitet tashmë për parakohshmëri zgjedhjesh. Praktikisht edhe mund të ndodhë, por është e kotë, nuk fitohet as kohë, as ndryshimi ose rrotacioni”, shton Bytyçi.

Më tej, Bytyçi thekson se Kosova nuk ka komoditetin të shpërqendrohet pas kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë.

Të shkosh në zgjedhje të parakohshme se kështu dëshiron një pjesë e opozitës ose edhe opozita në tërësi dhjetë muaj para zgjedhjeve të rregullta, ose më saktë 7 apo 8 muaj para tyre, do të thotë se thjesht ke bërë një shou, ke spekuluar me të drejtën kushtetuese. Dhe këtë spekulim, e thashë më lart, mund ta bëjë vetëm mazhoranca, e cila i ka votat për shpërndarjen e parlamentit.  Ndërkaq, Kosova nuk ka komoditetin të shpërqendrohet. Gjatë gjithë këtij viti e ndoshta edhe më pas, Kosova do të jetë nën goditjen provokative të Serbisë. Nëse shkohet në zgjedhje, tërhiqet vëmendja nga çështjet e sigurisë. Kështu që rrezikohet që Serbia ta shfrytëzojë situatën zgjedhore për të destabilizuar Kosovën. Nga ana tjetër, duhet pritur që të dobësohen për shumë arsye pozitat e presidenti Vuçiq në Serbi. Pritet që ai ta humbasë Beogradin. Më pas unë parashikoj protesta të opozitës serbe dhe rritjen e kërkesave për zgjedhje të parakohshme të përgjithshme. Në këto situata Vuçiq do të kishte interes që të krijonte incidente e konflikte në Kosovë. Qëllimi i tij tashmë do të ishte i dyfishtë, të fitonte kapital politik në Serbi dhe të kërcënonte paqen në rajon”.

“Të gjitha këto më bëjnë të kuptoj se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk janë zgjidhje, përkundrazi krijojnë mundësi të thellimit të konflikteve dhe problemeve. Megjithatë është e drejta e subjekteve politike në Kosovë që të luanë lojën e kungulleshë me zgjedhje të parakohshme”, përfundon profesor Bytyçi.

Lojë e opozitës

Image
Luan Gacaferi

Kurse, Luan Gacaferi nga partia Guxo, thotë se zgjedhjet e parakohshme janë vetëm një lojë e opozitës në Kosovë.

Unë mendoj se kjo loja me zgjedhje të parakohshme është taktikë dhe pjesë e lojës nga opozita për te mbajtur të "zgjuar" militantët e tyre, sepse PDK LDK AAK kanë frikë mos po i braktisin edhe militantët e tyre! Por unë personalisht këtë lojën e opozitës me zgjedhje të parakohshme e shoh edhe si një lojë me zjarrin ku më se shumti mu të digjet vetë opozita, sepse të gjithë e dinë se partitë në pushtet, VV Guxo gëzojnë një përkrahje të frikshme të qytetarët e Kosovës dhe kjo pastaj nëse shkohet vërtetë në zgjedhje të parakohshme do e djegë shumë opozitën”, shprehet Gacaferi.

Siç thotë ai, Kosova nuk e ka luksin që të shkojë në zgjedhje të reja karshi situatës së tensionuar me Serbinë.

Tani se a është koha për zgjedhjet e parakohshme në këtë situatë delikate në gjithë botën e sidomos kur Serbia e kërcënon me luftë Kosovën, unë them se jo! Kosova nuk e ka as nevojën e aq më pak luksin te shkojë në zgjedhje të parakohshme vetëm pse opozita për lojërat e veta kërkon zgjidhje të parakohshme”.

“Kurse se a ka gjasa të shkojë Kosova në zgjedhje të parakohshme, unë e them me siguri maksimale, se jo nuk do shkojë Kosova në zgjedhje të parakohshme! Jo pse KM Kurti nuk i konvenon por se opozita nuk do pranojë sepse përtej lojës me militantët e vet, e dinë shumë mirë se zgjedhjet e parakohshme në këtë situatë delikate për Kosovën do ishte vetëvrasje e sigurt elektorale për opozitën”, përfundon Luan Gacaferi nga partia Guxo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat