Pse PDK e nominoi Bedri Hamzën pikërisht me 27 mars, dhe jo Memli Krasniqin?

Politika

Pse PDK e nominoi Bedri Hamzën pikërisht me 27 mars, dhe jo Memli Krasniqin?

Nga: P.Rudi Më: 29 mars 2024 Në ora: 16:52
Bedri Hamza dhe Memli Krasniqi

Edhe pse është në krye të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vendosur që mos të jetë kandidat i kësaj partie për postin e kryeministrit.

Këtë, Krasniqi ia ka besuar kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamzës i cili do të jetë edhe zyrtarisht njeriu i PDK-së që do të synojë ta rrëzojë Albin Kurtin në zgjedhjet e ardhshme kurdo që të mbahen ato.

Por këtë po  kritikon analisti politik, Gani Qarri.

“Jehona dhe imazhi më i mirë i mundshëm, që u krijua me 27 mars 2024, edhe nën këto kushte kaq sfiduese për Kosovën, në kohën kur vendi ynë si shteti më i ri evropian, atakohet tmerrësisht dhe në mënyrën më të ashpër jo vetëm nga Serbia e Rusia por edhe nga emisarët proserb euro-amerikan si Lajçak dhe Eskobar, përpjekjeve të tyre, për zbehjen e kësaj të arriture historike, ju bashkua me një aksion shumë antipatik, edhe PDK, apo partia më misterioze, e cila gjatë 13 viteve të sundimit arbitrar, pushtetin e ka siguruar duke falur tokat autoktone të Kosovës, shteteve hegjemoniste fqinje, ka tentuar ndryshimin e kufijve dhe dhurimin e veriut të vendit tonë Serbisë hegjemoniste, që Hashim Thaçi e quante edhe tokë të Rankoviqit, ka bërë pazare dhe paguar firmat e huaja me paratë e taksapaguesve të varfër, për ndarjen e Kosovës etj”, shprehet Qarri.

Qarri e quan të turpshëm vendimin e PDK-së që ta zyrtarizojë Hamzën si kandidat për kryeministër pikërisht me 27 mars.

Image
Gani Qarri.

“Parti pra, që tradicionalisht, vetëm dëme e mbrapshti i ka sjellë këtij vendi, e cila nuk u mjaftua me ato që ka bërë deri më tani, kundër Kosovës, por dje ajo shkoi edhe një hap më tej, duke keqpërdorur në mënyrën më flagrante atmosferën e gëzimit dhe harenë e krijuar të qytetarëve, me aktin e turpshëm të një kuazi emërimi, madje edhe për postin e kryeministrit,  sikur në Kosovë, të kishte rënë qeveria dhe PDK me grushtshtet, po përgatitej ta merrte pushtetin”, thekson Qarri.

“Zgjedhjet jo vetëm që nuk janë shpallur dhe kanë edhe rreth një vit afat ligjor, por edhe për mbajtjen e tyre nuk mund të vendosë PDK, ato mund ti shpallë vetëm Albin Kurti, në kohën dhe afatin e paraparë, ndaj një gjë duhet ta kuptojnë përfundimisht arrogantët naiv të PDK-së dhe mercenarët e stërkequr të këtij vendi, se në Kosovë, ka perënduar koha e tyre, dhe ata mund ti pres vetëm burgu për bëmat kundër shtetit dhe popullit të Kosovës, por jo më,-kurrë, sundimi e plaçkitja dhe marrja e pushtetit të këtij vendi!”, shton analisti Gani Qarri për “Bota sot”.

Qarri deklaron se Bedri Hamza dhe PDK nuk kanë gjasa që të arrijnë fitore në zgjedhjet nacionale.

“Kështu që propozimi i Bedri Hamzës nga PDK, per kryeministër nuk u bë se vërtet beson që do ti fitojë votat për pushtet, por u bë për tu solidarizuar me Serbinë dhe prishur, për aq sa mundej ajo, atmosferën e gëzimit të qytetarëve për arritjen e djeshme dhe suksesin eksploziv të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, ku rekomandimi i zonjës Bora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KiE, u miratua me 31 vota pro, nga 37 sosh, dhe vetëm 4 vota kundër që edhe ato ishin vota të lodhëta e dëshpëruese të serbëve, dy nga Serbia dhe 1 nga përfaqësuesja serbe e Bosnjës, e 1 nga përfaqësuesja serbe e Malit të Zi”.

“Përndryshe PDK, e di shumë mirë edhe vet se, përveç dobësive të theksuara të Memli Krasniqit, të cilin më tepër se gjysma e anëtarësisë, nuk e do as për kryetar partie, jo Bedri Hamza, por nuk mund ti ndihmojë më, as nominimi i Gabriel Eskobarit apo dylberit të Trumpit, Richard Grenell , si kandidatë për postin e kryeministrit, kur populli i di mirë bëmat e saj kundër Kosovës, veçanërisht pas suksesit të votimit me 27 mars në KiE për pranimin e Kosovës si shtet të pavarur dhe të barabartë me të gjitha shtetet e tjera në BE, akt i cili parasheh edhe largimin e fusnotës famoze të PDK-së, e cila ka amortizuar shtetësinë e Kosovës dhe është përdorur sa herë është përfaqësuar Kosova në Këshillin e Evropës dhe instancat tjera”, shpjegon Qarri.

Për fund, Qarri parasheh fitore të Kurtit edhe për një mandat qeverisës në Kosovë.

“Veçanërisht me arritjen e djeshme, të Kosovës në KiE, PDK, i ka larë duart përfundimisht, suksesi i 27 marsit dëshmon katërçipërisht, se më të vlefshme për popullin dhe shtetin e Kosovës po rezultojnë tri vite të Qeverisjes Kurti në pushtet, se sa 13 vitet e kaluara, nën sundimin arbitrar të PDK-së dhe partive tjera të inkriminuara, të cilat edhe qëndrimin në pushtet e kanë keqpërdorur për të vjedhur e plaçkitur dhe falur tokat tona autoktone, vendeve hegjemoniste fqinje duke tentuat faljen e veriut të vendit tonë Serbisë fashiste dhe bërë pazare e paguar firma të huaja, me paratë e taksapaguesve të varfër, edhe për ndarjen e Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat